Bard Camaj: Test i parakohshëm për “reformatorët” e drejtësisë
Një numër i madh i atyre që ditët e fundit, në një mënyrë apo një tjetër, i kanë dalë në mbështetje Sajmir Tahirit, shfaqin një tipar të përbashkët: një indiferencë shembullore ndaj pyetjes, nëse ai është me faj apo jo për akuzat që i janë ngritur. Me një zell prej komsomolasish, sheh të rreshtuar militantë partie por edhe figura publike që i bien papushim daulleve të betejës për të mbrojtur Tahirin me çdo sakrificë. Paradoksalisht, në disonancë totale me mesazhin fillestar të liderit suprem, që la të kuptonte që Tahiri do lejohej ti nënshtrohej testit të drejtësisë.
Kakofonia e zërave në mbështetje të ish ministrit të brendshëm, tregon që Partia Socialiste në lidhje me këtë çështje po operon në dy nivele: në sytë e publikut, kërkon të demonstrojë që nuk është kundër hetimit, ndërsa në praktikë po bën ç’është e mundur që ky hetim të mos procedojë. Një ogur i keq për vendin ky, për një forcë politike që reformën në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit e kishte shpallur në fushatë si kalë beteje. Që ngre dyshimin nëse e gjithë poterja për vetting-un ishte një spektakël hipokrizie.
Mazhoranca e këtyre ditëve, mund të krahasohet me një anije të mbingarkuar mallrash në det goxha të trazuar, e cila për të mos rrezikuar do ti duhej të hidhte një pjesë të ngarkesës në det. Një vendim i kollajtë ky, përveçse në rastin kur ngarkesa në hambar është flori. Ose dinamit.
Në teori, Sajmir Tahiri nuk duhej të përbënte për Partinë Socialiste ndonjë aset për të cilën ia vlen të rrezikosh: ai dukej tashmë i mënjanuar nga sfera më e lartë e pushtetit, jo më një benjamin i hierarkëve të PS, teksa muajt e fundit nëpër media flitej për një ftohje substanciale mes tij dhe Kryeministrit. Fakte këto kontradiktore me gjithë atë zell parlamentar të shfaqur nga Gramoz Ruçi për ta përkrahur përballë prokurorëve që kërkonin dorëzimin e imunitetit të tij.
Por mbase jemi të nxituar në konkluzionin që Tahiri është një kartë e djegur e pa vlerë për këtë mazhorancë. Qëndrimi i saj në fakt të shpie në kah të kundërt: që mazhoranca, megjithëse të zhveshur nga meritat e pushtetit, megjithëse diskredituar në opinionin publik,Tahirin e sheh si një e çarë në hambarin e anijes, që rrezikon ti përmbytë të gjithë. Gjithë ky përqendrim i pajustifikuar energjish politike e mediatike në mbrojtje të Tahirit tegojnë që mbyllja e kësaj të çare është një urdhër, jo një porosi.
Varësisht nga sa larg do të shkojë Partia Socialiste në vendosmërinë e saj për të mos e lëshuar Tahirin në duart e prokurorëve, do të kuptohet sa serioze është retorika e kësaj mazhorance ndaj reformës në drejtësi. Nëse marrin distancën e duhur nga ish ministri i brendshëm, hetimi ndaj të cilit ka marrë tashmë përmasa ndërkombëtare, kanë një shans për të reduktuar kostot dhe për të izoluar çështjen; nëse këmbëngulin të fusin duart në një hetim që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë(siç kanë bërë 24 orët e fundit), ata do ti japin të drejtë të gjithë atyre që skeptikëve që deri më sot e konsideronin reformën në drejtësi një teatër politik. Me sa po shihet, prirja e ekzekutivit për ta parë raportin me drejtësinë si një marëdhënie mes eprorit dhe vartësit, do të vazhdojë të jetë një tundim i parezistueshëm për liderët e një mendësie ballkanike që duan ti kenë të gjitha pushtetet në dorën e tyre.