Albspirit

Media/News/Publishing

Hamdi Jupe: Mirë Saimiri, po me pensionet ç’kanë?

(Fejton)

Ka katërmbëdhjetë ditë, që pensionistët nuk po marrin dot pensionet e tyre. Ata shkojnë te bankomatet e bankës, por atje nuk ka para për ta. Fillimisht, kjo ndodhi me pensionet suplementare, që historikisht shpërndaheshin më datën dhjetë të çdo muaji. Këta janë disa qindra, në mos disa mijëra pensionistë. Pasi kaluan nja katër ditë dhe pensionet nuk po dilnin, këta mësynë sportelet e Bankës së Kursimeve. Banka nuk kishte çfarë t’u thoshte, s’kishte para.
Më në fund, pas katër ditësh vonëse, ajo u dërgoi nga një mesazh (SMS) pensionistëve. “Pershendetje. ISSH (kupto: Instituti i Sigurimeve Shoqërore – shënimi ynë) automatizon sistemin. Ju informojmë se pensioni suplemtentar do kalohet çdo datë 20, me pensionin e pleqërisë dhe shtesa te tjera. Credins Bank. 13.10.2019”. (Nuk merret vesh se për cilin muaj dhe cilin vit është kjo “datë 20”)
Nuk dihet se përse njoftimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (institucion publik) e dërgon Banka (institucion privat). A nuk ka gojë vetë Instituti të flasë publikisht, nëse ka vërtetë gjë për të thënë për vonesën e pensioneve? Mblodhën mendjen (edhe bishtin në shalë) pensionistët dhe ikën. Pritën të vijë data njëzetë. Ja, edhe një javë është akoma, nuk do vdesim. Erdhi kjo datë, po prapë te bankomatet nuk ka para. As për pensionet suplementare, as për pensionet e zakonshme tanimë. Tani nuk janë më disa mijera, tani janë rreth gjashtëqind e pesëmbëdhjetë mijë pensionistë, që presin të marrin paratë. Nuk është derdhur gjë në bankë. Është e premte, ditë pune, data 20 tetor 2017, po jo, s’ka para.
Pensionistët shkojnë prapë më datën 21, ditë e shtunë te bankomatet, por asgjë. Ata nuk kanë punë tjetër. Edhe më datë 22 tetor, asgjë ne bankomate. Bankat janë pushim për fundjavë e nuk ka kush t’u dërgojë SMS pensionistëve, t’u thotë pse nuk kanë dalë pensionet në bankë më datën 20, siç kishte thënë vetë Banka. Se ata e mbajnë mend mire mesazhin e Bankës për datën 20. ISSH, jo se jo, se edhe ai është me pushime.
Pensionistët u bien me dorë bankomatëve, domethënë: mos nuk janë këta në terezi? Po prapë, asgjë nuk del prej tyre. Ata largohen të zemëruar duke sharë. “Ah, u q …. qeverinë edhe bankën bashkë!” – shajnë ata nëpër dhëmbë. Mirëpo qeveria dhe banka e dinë: ata as atë punë nuk e bëjnë dot më, se janë pensionistë, nuk kanë fuqi. Nuk kanë faj, të zinjtë. Ato para që kishin vënë mënjanë nga korrupsioni dikur, kur ishin në punë, u kanë mbaruar tani.
Ata rrinë e mendojnë të trishtuar. Kur zhvillohen zgjedhjet, ata shkojnë të parët atje, te kutitë e votimit, pa u hapur akoma qendrat e votimit. Kanë votuar për qeverinë. Po qeveria është e zënë me punë. Me debatin për imunitetin e Saimirit. Shtatë orë debat në ditë. Me dyer të hapura e me dyer të mbyllura. Kënaqen pensionistët, sepse e dëgjojnë “live” debatin në të gjitha televizionet. Edhe këto, televizionet, vetëm me debatin për Saimirin merren, ditë e natë, nuk kanë kohë të merren me pensionet. E lagu, apo nuk e lagu Saimiri! Debati vazhdon maratonë. Eh, sa i mirë, ky debati për Saimirin! Po ja që, na duhen edhe domatet, edhe preshi, edhe spinaqi, edhe kosi, edhe çaji, edhe buka masive, edhe dritat. (More, si shumë pretendime paskan këta, qarratenjtë pensionistë!)
Pensionistët rrinë e kujtohen: Një here në gjashtë muaj, te banka atyre u kërkojnë “Deklaratën e gjallesës”. Çështë kjo deklaratë, do thoni ju? Është deklarata, që ti je gjallë e nuk ke vdekur. Ta kërkon banka, se ndryshe, s’ka pension. Se jeni shejtanër ju pensionistët, edhe vdisni, edhe vazhdoni të merrni pensionin te bankomati! Prandaj, do bëni “Deklaratën e gjallesës” çdo gashtë muaj. S’ka hau – hiu këtu. Jemi qeveri e forte ne, qeveri që e zë lepurin me qerre.
Në Shqipëri nuk ka ligj që të detyrojë njeriun të deklarojë se është gjallë çdo gjashtë muaj. Po ligjin e bën banka, kuptohet, me lejen e qeverisë. E kërkon Instituti i Sigurimeve, thotë banka. Eshtë detyrë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të bëjë verifikime, nëse ka abuzime me pensionet e atyre që kanë vdekur, se ka ndodhur edhe kështu. Po Insituti ia ka deleguar këtë të drejtë bankës (private), ashtu siç i ka deleguar edhe të drejtën për të bërë deklarata në emër të tij.
Ja mesazhi origjinal, i derguar nga Banka për pensionistët në muajin shtator 2017: “Pershendetje. Faleminderit qe terhiqni pensionin ne Banken Credins. Ne shtator ju duhet te plotesoni deklataten per marrjen e pensionit ne banke. Ju mirepresim.” Me SMS ata thonë “deklaraten”, po kur vete atje e pyet se ç’është kjo deklaratë, ta thonë copë: deklaratën e gjallesës, pra që je gjallë e nuk ke vdekur. Hajde estradë pa pare, hajde. Dhe kjo estradë është çdo gjashtë muaj.
Firmosin pensionistët deklaratat që janë gjallë, e nuk kanë vdekur, se ndryshe, s’ka pension. Mirëpo për bela, ata dëgjojnë kryeministrin në televizor (se s’kanë punë tjetër të bëjnë ata, a e kupton ti apo jo!) që thotë se “nuk ka më letra e vërtetime e çertifikata nëpër zyra. Letrat e vërtetimet janë në sistem, le të hapin sistemin elektronik te gjendjes civile ata të bankës e të Institutit të Sigurimeve e të shikojnë atje në je gjallë apo ke vdekur”. Mos e ka thënë gjë në muajin shtator kryeministri këtë? Pikërisht atëherë e ka thënë, kur dërgon mesazhin për “gjallesën” banka, në emer te Institutit, sigurisht. Po kujt i flet kryeministri! Se mos varet nga qeveria Insitutit i Sigurimeve! Jo, duhet “Deklarata” me shkrim, thotë banka dhe Instituti bashkë me të.
Nuk ka faj qeveria për vonesat e pensioneve. Tani për tani, nuk ka zgjedhje. Zgjedhjet e reja, duan dy vjet të vijnë. Qeveria është duke u riorganizuar. U bashkuan dy ministri dhe dymbëdhjetë drejtori. Tani atje po bëhet riorganizimi, riformatimi, rigjenerimi, rinovimi, ripastrimi etj. Nga punët e mëdha që kanë, ndoshta te Ministria e Financave, kanë harruar fare që ka pensionistë në Shqipëri. Prandaj ndodh kjo. Se, para ka sa të duash. Paratë janë me dengje në bankë. Pas dy vjetësh, kur të ketë prapë zgjedhje, nja njëzetë mijë nga këta gërxhot pensionistë, do kenë ikur në atë botë, kështu që, s’ka problem, ata s’do votojnë më.
Gjendja ekonomike e vendit është e mirë. Ekonomia ështe rritur me katër përqind. Treguesit makro janë nën kontroll, eksportet po ecin, rritja e pensioneve është bërë para zgjedhjeve të qershorit. Gjendja në rajon është e qetë e stabile. Ka ca turbullira atje, në Spanjë, po ajo është larg hë për hë. Atëherë, ç’kërkojnë tjetër këta pensionistët?
Një grup pensionistësh të vrerosur (me bindje të djathta, kuptohet, si puna e shokut tim, Jetit) marrin rrugën të shkojnë e të ankohen te SHQUP-i. Ka apo s’ka opozitë ky vend, xhanëm! Po atje nuk i pret njeri. “Jemi të zënë – u thonë. – Mos na bini në qafë tani. Ju e shikoni, që jemi duke u marrë me arrestimin e Saimir Tahirit. A nuk e kuptoni, që punojmë ditë e natë për këtë? Tani e gjetët kohën të ankoheni për pensionet? Prisni, të mbarojë kjo punë njëherë, pastaj e shikojmë edhe atë të pensioneve tuaja. Prêt ajo. Ka prioritete e prioritete.
Ata, pensionistët, e kuptojnë, natyrisht, me vonesë: e ka fajin sistemi, truri, domethënë….truri elektronik i ISSH-së, siç thotë banka. Duke ikur nga SHQUP –i, flasin me vete: “Mor po, e morëm vesh që opozita ka vdekur. Po këta të qeverisë, a e kanë dorëzuar atë “Deklaratën e gjallesës”, apo jo? Se mos kanë vdekur gjë edhe ata, e ne presim kot të marrim pensionet prej tyre.
Ishalla, Banka nuk u dërgon atyre prapë ndonjë SMS tjetër (dashurie, natyrisht), që t’i njoftojë për shtyrjen prapë të datës së marrjes së pensioneve, siç ndodhi për datën 20 (të cilit muaj, të cilit vit?). Njoftimi i parë i Bankës për shtyrjen e pensioneve suplementare, u vajti atyre katër ditë pas datës së caktuar të pensioneve. Mos do ketë prapë po atë mesazh edhe për pensionet e zakonshme, pas katër ditësh banka? Të presim. Rendësi ka debati për Saimirin në Parlament, pa te tjerat, rregullohen.

Please follow and like us: