Albspirit

Media/News/Publishing

Enton Abilekaj: Rama lëshoi përfundimisht Tahirin

 

I magjepsi të gjithë. I bëri Tahirit avokati më të fortë se vet avokati, e quajti njeriun më të afërt, e bëri pjesë të familjes, e rreshtoi veten pas babait të Saimirit, e rreshtoi Saimirin para djalit të tij, aq sa të gjithë besuan se i vuri gjoksin si barrikadë përpara sulmeve politike. Në fakt e lëshoi përfundimisht. Vërtet e quajti bashkëpunëtorin më të ngushtë, por u distancua nga Ministria e Brendshme, e quajti pjesë të familjes, por e largoi arbitrarisht nga familja politike. Nga sot e në vazhdim gjithçka që do të dalë në dritë, do të fajësojë njeriun e lirë Saimir Tahiri dhe do të habisë Ramën.

Kështu Kryeministri ka vendosur ta përdorë në mënyrën më të keqe për publikun, por më të mirën për veten, dosjen që akuzon policinë dhe ish kreun e saj, për trafikun e 300 milionë eurove kanabis. Ajo që kishte nisur që pas daljes së emrave të Qeverisë, ku Saimir Tahiri mbeti jashtë, përplasja e heshtur, negociatat e dështuara më ish ministrin për të bërë paqe më emërimin honorifik në krye të Bashkëqeverisjes me publikun, kërcënimet e koduara të Tahirit me fjalime në Kuvend dhe në Asamblenë e PS, morën përgjigjen këtë mëngjes, me një manovër të shkëlqyer të timonierit të vetmuar. Ashtu, i vetmuar, pa pyetur as bashkëpunëtorët dhe as forumet, e përzuri Saimirin nga autobusi, për të larë hesapet politike me të, e emëroi përsëri pa e pyetur, këtë herë si mëkatarin e vetmuar të mandatit që shkoi.

Nuk mbaron këtu. Me lëshimin e Tahirit në det të hapur, Rama po kërkon të ndërrojë drejtimin e erës që sa ka nisur dhe pritet të shndërrohet në një stuhi që mund ta rrënojë qeverinë e tij. Duke mos e lejuar të arrestohet, duke e mbajtur si shënjestër lëvizëse, duke r drejtuar sa më larg tij, mendon që t’I shpëtojë stuhisë që po vjen nga ana tjetër e Adriatikut. Sot foli për shndërrimin e policisë, për vajzat e bukura të veshura me uniforme, që të mos fliste për hashashin që u shndërrua në uniformën e vërtetë të policisë në 2016. Sot doli në mbrojtje, sepse deri sot vendosi të mbajë përgjegjësi për punën e Tahirit. Nga sot Tahiri është vetëm, mban përgjegjësi për atë që ka bërë, Kryeministri nuk dinte gjë.

Duke e larguar Tahirin, duke e lënë të lirë, në fakt ai e ekspozoi politikisht dhe penalisht. Shkarkoi nga anija e tij në varkën e Tahirit, qindra tonët e kanabisit që tronditën botën, mijëra faqe përgjimesh ku përfshihet qeveria e tij, miliona faqe gazetash që etiketojnë Shqipërinë si burimin e drogës dhe të krimit dhe e nisi për ta mbytur, me shpresën se bashkë me Tahirin do të mbyten edhe ato nga stuhia e pritshme.

Nuk zgjodhi as të shpjegojë, jo më të kërkojë ndjesë, për kanabizimin e vendit, për punësimin masiv të policisë në organizatat kriminale, për shndërrimin e Qeverisë në shërbëtore të trafikantëve dhe bizneseve preferenciale. Nuk zgjodhi, ashtu sic premtoi në 17 tetor, ta linte çështjen në duart e Drejtësisë, por  zgjodhi t’I jepte edhe një goditje tjetër Prokurorëve, t’u kujtonte vettingun që do të nisë këtë javë dhe fundin e karrierës që I pret, nuk zgjodhi t’I kërkojë ndjesë Dritan Zaganit që u largua nga vendi I kërcënuar nga Qeveria e tij, pasi denoncoi pikërisht këtë bandë trafikantësh, por sulmoi edhe një herë akuzuesit e tij.

Këshilli Europian për Politikën e Jashtme, e akuzon direkt për rritjen e korrupsionit, trafiqeve dhe pastrimit të parave, Prokurori I Antimafias përsëri foli për kanabisin shqiptar që po mbyt Italinë si asnjëherë tjetër, policia greke raportoi për tonelata kanabisi që vazhdojnë të kalojnë kufirin me Shqipërinë. Nuk është vetëm politika e kazanit, as mediat e kazanit. Kazani po vlon nga të gjitha anët. Qeveria e korruptuar nuk mund të mos ketë asnjë fajtor me emër. Policia që mbolli, korri, ngarkoi dhe trafikoi hashash nuk mund të rreshtohet tani në anën e ligjit. Largimit të Tahirit në fakt është vetëm një lehtësim I përkohshëm I anijes që po fut ujë dhe është e destinuar të mbytet, edhe sikur timonieri të hedhë në det gjithë ekuipazhin.

Please follow and like us: