Kiço Blushi: Të rroni vetë! Foshnja Veting paska lindur e vdekur
Shumë zhurmë shpërtheu për procesin “Tahiri”. Njëri skandal po mbulon tjetrin, më lehtë se pluhuri pluhurin. Mediat gëlojnë, gërmojnë e gumëzhijnë sa kohë nuk ka plasur një tjetër ububu. Ballkan-kafenetë tona anekënd Shqipërisë ziejnë dhe mërzejnë nga kundërshtitë e hamendësimet. Aq e përndezur ishte situata, sa natën që “Skënderbeu” luante me “Partizanin” e Beogradit, edhe tifozët më të flaktë braktisën tifozllëkun të ndiqnin debatet që zhvilloheshin nëpër kanalet televizive paralel me ndeshjen. Jo vetëm partitë, po edhe qytetarët, sipas traditës, janë ndarë më dysh: ca besojnë që Tahiri është koka e narkotrafikut, të tjerë jo. Rama thotë në “Facebook” se lufton për drejtësi, kurse Basha për karrige…Dhe anasjelltas: njëri është i përfshirë në krim dhe korrupsion, tjetri në luftë të pa kompromis kundër tyre..
Gjithsesi, në këtë tollovi shumëkush kujtoi e besoi se Vetingu do të jepte rezultat. Fakti që disa ditë më parë ambasadori Lu denoncoi familjet mafioze dhe më pas u kapën disa tonelata hashash në depot e Habilajve në Babicë, njoftimi i njëkohshëm se hetimet, përgjimet e arrestimet nuk i kishte kryer pala shqiptare, por antimafia italiane dhe shërbimet e huaja inteligjente, e bënte më të besueshëm përrallën e bukur se Vetingu do të jepte frutat e veta, se, me gjasë kishte ardhur koha të kapeshin e të mos iknin në drejtim të paditur peshqit e mëdhenj.
Aq më tepër që edhe Tahiri, si i akuzuar, edhe Rama, ky kryeministër i vetëshpallur si mbështetësi më kryesor i reformës dhe i Vetingut, edhe altoparlantët e rilindjes, ditën e parë deklaruan njëzëri se ata ishin tjetër “racë”; se ata nuk do të pengonin drejtësinë, si patën vepruar pararendësit, që kishin bërë krime më të mëdha, vjedhje dhe vrasje në Gërdec e në bulevard…
Ndaj qytetarët krijuan bindjen se rilindësit e Ramës do të kërkonin nga organet e drejtësisë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën; se nuk do të pengonin drejtësinë, dhe se ata, -më në fund!- do të jepnin shembullin e parë të zbatimit të Vetingut, pavarësisht nga postet dhe ngjyrat partiake.
Por të nesërmen, teksa po zhvillohej seanca maratonë e Komisionit kuvendor për Imunitetet, shqiptarët e gjallë e me mend në kokë panë dhe “shijuan” live të njëjtën skenë absurde, të cilën e kishin parë e dëgjuar në situata të ngjashme të heqjes së imunitetit. Gjysma e anëtarëve, edhe në këtë Komision, është pro heqjes së imunitetit dhe hapjes së rrugës për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, gjysma kundër. Kjo do të thotë se në seancën e pritshme të Kuvendit, ku do të votohet për Tahirin, shumica do të votojë në mbrojtje të “shokut të tyre të armëve”.
A nuk ka ndodhur kështu përherë, edhe kur nuk kemi pasur Veting? A nuk pamë sërish që partitë të ishin vendosur në llogore, me heshta në duar e në gojë për të mbrojtur interesat e krerët e vet mëkatarë, për të uzurpuar, trembur, përdhunuar dhe nënshtruar organet e drejtësisë duke fshehur të vërtetën, në dëm të interesit shoqëror e kombëtar?
Vetëm se kësaj here pati një ndryshim. Sigurisht jo “me procedurë”, si me proceset “Basha” apo “Mehdiu”, por me sinqeritet “procesi Tahiri” ka dëshmuar, deri tani se Vetingu, (aq i propaganduar si shpëtimtar i “demokracisë tonë të brishtë”), qenkësh një foshnjë që ka lindur e vdekur.
Sulmi i orkestruar ndaj “prokurorëve tropojanë”, madje edhe ndaj ambasadorit amerikan që “kërkon të na bëjë ligjin në shtëpinë tonë”, gërrvëret e gërrmëret me “argumente” dhe “kundërargumente” në Komision për të nxjerrë Tahirin të larë, jo si një të akuzuar, por si një viktimë e madje edhe si një hero, (si medemek një “Gjergj Dimitrov” të kohës tonë që e mbrojnë militantët me demonstrime), pasi “kazani politik“, në bashkëpunim me “kazanin mediatik” po i bëjnë padrejtësi…Kjo trysni nuk synon vetëm të shmangë, të politizojë dhe të nxjerrë jashtë loje hetimin, si në raste të tjera të ngjashme, por, më kryesorja, të vrasë Vetingun që në shpërgënj.
Vetingu dhe reforma në drejtësi ka marrë këto ditë një goditje vdekjeprurëse që nuk le shumë vend për optimizëm se, mbas sodit, edhe pse reforma e drejtësisë u miratua me 140 vota në Kuvend, politika, partitë dhe sidomos kryetarët përkatës të tyre nuk do të lejojnë që organet e drejtësisë dhe autoritetet që e përfaqësojnë, gjykatës e prokurorë, të sillen e të jenë përnjëmend të pavarur.
Vështruar me këtë sy “procesi Tahiri“ nuk ndjell e nuk rilind asnjë shpresë të mirëqenë, madje as kureshtje nëse do të dënohet apo do të dalë nesër i pafajshëm Tahiri. “Me prova e pa prova”, mesazhi i pa koduar, i drejtpërdrejtë, i pa fshehur, i sinqertë, i gjithë kësaj butaforie dramatike që kemi parë e dëgjuar deri tani nga seancat e hapura të Komisionit, është: Në Shqipëri, si ka qenë, do të jetë, si me Berishën dhe me Ramën në krye të sofrës, pasi pakogjë ka ndryshuar në raport me drejtësinë.
Sepse, si pa Veting, si me Veting, si me demagogji dhe me ndryshime kushtetuese, si me konsensus dhe me bojkote, si ka qenë do të jetë; sepse mesazhi i “procesit Tahiri” është më se i qartë: Mos besoni e mos shpresoni që edhe ne, shqiptarët, pas reformës së drejtësisë do të trajtohemi si qytetarë të barabartë para ligjit.
Kjo është domethënia më ndjellakeqe e kësaj farse politike: prej frikës dhe panikut se mos, po u tërhoq një fije e rilindjes, do të çmbështillen edhe “çorapet” e tishërtet shumëngjyrëshe të Ramës do ta bëjnë reformën dhe Vetingun një tjetër vërë në ujë./Gsh/