Pasdite në Top Channel pa Jonida Shehun
Pasditen e sotme është mësuar largimi i papritur i moderatores Jonida Shehu, nga “Top Channel” dhe emisioni që ajo drejtonte. Menjëherë pasi mediat shpërndanë lajmin e largimit të Shehut nga “Tch”, televizioni reagoi përmes një artikulli, ku thuhej:
“Nga Top Channel njoftohet se marrëdhëniet kontraktuale me znj.Jonida Shehu janë ndërprerë në mënyrë përfundimtare më 23.10.2017. Sjellja aspak profesionale e Jonida Shehut dhe braktisja e emisionit në mënyrë të papritur janë arsyet e largimit të gazetares nga Top Channel.
Për këtë arsye, zyra ligjore do të ndërmarrë rrugët ligjore në raport me të, duke shtuar pas qëndrimit të saj në media edhe kërkesën për dëmshpërbim për prishje të imazhit.”,-shkruan Tch.
Sipas informacioneve të dritare.net, arsyeja e vërtetë e largimit të Jonida Shehut, është një kronikë e transmetuar gjate emisionit, para disa ditësh. Kronika shoqëronte paraqitjen e Rezarta Shkurtës në emision dhe kishte të bënte me paraqitjen e kompanisë së saj “Hera”.
Mësohet se “Top Channel” ka qenë kundër transmetimit pa pagesë të kësaj kronike, sepse sipas tyre, ishte publicitet i papaguar për televizionin. Media mësoi se Zyra e Finances TCh ka gjobitur autoren, dhe ka kërkuar nga Shehu vlerën 1500 euro të reklamës, gjë të cilën ajo e ka kundërshtuar, duke u larguar përfundimisht nga ky televizion.