Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Sy të vdekur

 

(Ra drita dhe u ndjeva i verbër)

Nëpër një vit të tërë ecja pa fund, pa zgjim.
Shtrat pata vetëm lëkurën time
Ndjeja sa shumë sy më kishin vdekur.
Si yj, si fletë peme më kishin vdekur
në çdo pore. Pus lakuriq errësire
pa fill e fund, pa ujë e zall
pa qiell… Në sa sy të tjerësh paskam vdekur,
Sa sy të mi vdekur… e dot s’i ngjall.

Udhëtova një ditë dhe një gjysmë viti.
Mes zgjimeve e terreve të shpeshta
në pamjet e rrugës që ndërrohen
doja të gjej rrushtë e zinj të syve të mi.
Udhëve koka përplasej bam e bum
në pasqyrat e ditëve me diell
në pasqyrat e netëve me hënë.
Gishta kohe më paskan këputur kaq sy,
pjergulla me sy këputur
në vreshtën time të ngrënë.

Bam-bum rrëzohesha në honet e zgjimeve
në sytë e humnerave.
Mijëra vdekje, mijëra hone
i paskam mbajtur nën gjumë, nën lëkurë,
nën këmbë, në gjunjë, vraguar në ballë.
Vizatuar me vdekje
me damarë verbimi lidhur si me litarë.
Sa sy më kanë vdekur,
Nga vizatimi i vdekjes sa herë kam dalë.

Më duhet të eci që të mos vdes.
Faqen e lëmuar të një pellgu fshati
e paskam diku në një shtëmbë
te ky kurrizi im paksa i dalë.
Një shtëmbë e thinjur dhe tek rrënjët
e kockave dhe e flokëve të mi.
Të ulem të pi ujët e tyre
gur më gur të pi,
më të mos vdesin sytë e zinj.

Ra drita dhe u ndjeva i verbër.
Pjergulla me sy, vreshta me vështrime
te rrathët e një pellgu gjuajtur me gur
ranë në humbim.
Sa vite dritë do një sy
si pusi me ujë,
të mbushet prapë me vështrim?

Ec dhe ec të mbledh vështrimet e humbura,
dhe sa vjet të tjerë pa shtrat, pa zgjim?

1991
Nga libri “Si vdes gruri”

Please follow and like us: