Vizita e Sekretarit Tillerson në Lindjen e Mesme
Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson ka shprehur shqetësim lidhur me tensionin e zgjatur mes Katarit dhe fqinjëve të tij. Kryediplomati amerikan shkoi në Doha për të diskutuar mbi përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit. Ai mbërriti atje të dielën vonë pas një ndalese në Arabinë Saudite, ku bëri thirrje për bashkëpunim mes mbretërisë dhe fqinjit të saj Irakut, pas dekadash me tensione.
Në një konferencë shtypi në Doha, zoti Tillerson i bëri thirrje Katarit dhe fqinjëve të Gjirit Persik që të ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë në përpjekjet diploamtike, por nuk do të imponohen.
“Ndërsa mosmarrëveshjet mes vendeve të Gjirit po mbushin 5 muaj, Shtetet e Bashkuara mbeten të shqetësuara si në fillim. Mosmarrëveshjet kanë patur pasoja negative: ekonomike dhe ushtarake për vendet e përfshira dhe sigurisht, që edhe Shtetet e Bashkuara i kanë ndjerë pasojat e tyre,”- tha zoti Tillerson.
Shtetet e Gjririt dhe Egjipti e kanë akuzuar Katarin për strehimin e militantëve të mbështetur nga Irani, gjë të cilën e mohojnë si Doha, edhe Teherani. Irani i ka mbështetur forcat që luftojnë kundër Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri, por ai ka financuar gjithashtu grupin terrorist
Hamas dhe ka ndihmuar në armatosjen e rebelëve në Jemen.
Iraku dhe Arabia Saudite formuan të djelën një njësi të përbashkët për koordinimin e aktiviteve kundër terrorizmit. Zoti Tillerson e ndoqi ceremoninë nga Rijadi:
“Sigurisht, që forcat milicore iraniane tani ndodhen në Irak dhe luftës kundër Daesh-it dhe ISIS-it po i vjen fundit; këto forca duhet të kthehen në shëpitë e tyre. Çdo luftëtar i huaj në Irak duhet të largohet prej andej dhe ta lejojë popullin irakian të rimarrë kontrollin e rajoneve që kontrolloheshin nga ISIS dhe Daesh, por që tani janë çliruar, për ta lejuar popullin irakian të rindërtojë jetën e vet dhe të ndihmojë fqinjët,”- tha ai.
Bashkëpunimi rajonal vjen pas disa dekadash me tensione mes Irakut dhe Arabisë Saudite dhe përfshin bashkëpunimin ekonomik për rindërtimin e Irakut. Ministrat e Jashtëm sauditë thanë se të dyja vendet po përpiqen të kapërcejnë periudhën e gjatë të mosbesimit mes tyre.
“Prirja e natyrshme e të dyja vendeve dhe popujve është që të jenë shumë pranë njëri tjetrit, siç kanë qenë për shekuj me radhë,”- tha ministri i jashtëm saudit.
Edhe Kryeministri irakian Haider-al Abadi e përsëriti këtë ndjenjë miqësie. Iraku po përpiqet të vendosë unitetin, pasi rimori kontrollin e shumicës së territorit nga Shteti Islamik, që e mbajti atë për tre vjet. Por kurdët, të cilët kanë qenë shumë të rëndësishëm në këtë betejë, deklaruan muajin e kaluar pavarësinë nga Baghdadi, duke nxitur tensione të reja në Irakun verior. Shtetet e Bashkuara thonë se përfshirja e Iranit në Irak, Siri, Jemen dhe konflikte të tjera rajonale, është duke e destabilizuar rajonin.