Dokumenti i britanikëve, për Mid’hat Frashërin: Enver Hoxha kishte pakt me gjermanët
Erald Kapri
Kreu i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri, u ka dorëzuar britanikëve një promemorie mjaft interesante në prill të vitit 1945, pas përfundimit të luftës në Shqipëri. Në të, ai konfirmon se Balli Kombëtar nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i pushtuesve dhe ka luftuar kundër tyre. Ndërkohë, Frashëri kritikon politikën britanike për mbështetjen ndaj komunistëve gjatë luftës dhe marrjes së pushtetit prej tyre. Promemoria e Mid’hat Frashërit, drejtuar qeverisë Britanike, i është adresuar Dr. Okley Hillit, kryetar i Komisionit të UNRRA për Shqipërinë. Frashëri jep detaje mjaft interesante nga aktiviteti i Ballit Kombëtar, por edhe arsyet se pse komunistët nisën luftën civile. Ai thotë se komunistët patën një marrëveshje të fshehtë me gjermanët dhe kjo u reflektua në disa momente kyçe gjatë luftës. Konkretisht, në pranverën e vitit 1944, për disa muaj nuk pati asnjë beteje mes palëve, ndërkohë që mjaft çeta të Ballit Kombëtar u gjetën mes zjarrit gjerman dhe atij komunist. Kjo promemorie e rrallë zbardh qëndrimet gjatë luftës së Ballit Kombëtar. Dokumentin e plotë mund ta lexoni më poshtë.
Na është sugjeruar që të paraqesim këtë promemorie mbi çështjen e propagandës së radios së Aleatëve kundër Ballit Kombëtar, lidhur me bashkëpunimin tonë të ashtuquajtur me pushtuesit. Ne, të Ballit Kombëtar, kemi qenë dhe ende jemi fort të bindur se, në mbrojtje të Nacionalizmit Shqiptar kundër komunistëve dhe në luftën kundër komunizmit, kemi punuar jo vetëm për të mirën e vendit tonë, por edhe për atë të dy demokracive të mëdha dhe kështu kemi bërë pjesën tonë të detyrës, për t’i shërbyer tërë njerëzimit.
Përveç kësaj, ne jemi ndierë mirë për qëndrimin armiqësor të komunistëve ndaj Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara. Dy demokracitë janë akuzuar haptas nga të kuqtë në Shqipëri si kapitalistë, plutokratë dhe reaksionarë, pra, si rrjedhojë, armiq. Duke mos marrë parasysh këtë fakt, seksioni shqiptar i BBC, mori përsipër jo vetëm për ta favorizuar, por edhe për ta ekzaltuar komunizmin në sytë e shqiptarëve, duke u përpjekur të besojnë se ideologjia e kuqe nuk ishte e rrezikshme për ata, aq më tepër Radio Bari, e cila sulmoi dhe denoncoi Ballin Kombëtar (që është Nacionalizmi Shqiptar) në mënyrë shumë të padrejtë dhe me aspak fakte konkrete.
Ajo ishte aq prokomuniste, sa përdorte kohë pas kohe moton e kuqe “Vdekje fashizmit, Liri e popullit”. Dhe kjo bëhej në një kohë kur ishin bërë tashmë publike qarkoret sekrete të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste në Shqipëri, që denonconin anglo-amerikanët dhe urdhëronin anëtarët e saj, për të mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj misioneve ushtarake britanike! Prokomunistët, dhe si rrjedhojë edhe propaganda antishqiptare e BBC dhe veçanërisht e Radio Barit, ishte atëherë dhe ende është një mister për nacionalistët shqiptarë, të cilët mendonin se atëherë ishte (siç është edhe tani) më shumë në interes të Britanisë së Madhe të ishte një aleat i së djathtës, se sa të bashkëpunonte me komunistët.
Nacionalistët janë aleatë më të sinqertë dhe më të besueshëm jo vetëm për shkak të bindjes së tyre dhe dashurisë për Demokracinë, por edhe për arsyen e thjeshtë se interesat e shqiptarëve shkojnë së bashku dhe përkojnë me ato të Britanisë së Madhe dhe SHBA. Ndërsa komunistët, duke qenë vegla të Pansllavizmit në Shqipëri, kanë interesa krejt të ndryshme kundrejt atyre të Britanisë së Madhe dhe SHBA dhe natyrisht nuk do të jenë miqtë, por armiqtë e këtyre dy vendeve. Ngjarjet e fundit në Greqi, kanë provuar më së miri pikëpamjen tonë.
Kështu është edhe me Shqipërinë. Sikur Aleatët të kishin ndihmuar Nacionalizmin Shqiptar dhe të organizonin forcat e tij, ashtu, si i kishim kërkuar disa herë Misionit Britanik në Shqipëri dhe veçanërisht gjeneralit Dejvis, në nëntor 1943 (duke i dhënë atij një deklaratë me shkrim se ne do të kishim qenë me më shumë vlerë efektive në drejtim të luftës ndaj gjermanëve, se sa ishte Lufta Nacionalçlirimtare dhe në drejtim të ruajtjes së kauzës së demokracisë në Ballkan. Edhe pse komunistët treguan hapur armiqësinë e tyre ndaj nesh dhe planifikuan sulmet e tyre kundër nesh, ne kemi bërë çmos që të jemi tolerantë, duke menduar dhe duke thënë se ata, gjithashtu, ishin djem të Shqipërisë dhe se do të vinte një ditë kur ata, do të ndihen dhe do të veprojnë me më shumë arsye.
Qëllimi kryesor i Ballit Kombëtar ka qenë lufta kundër italianëve dhe gjermanëve. Por, komunistët, jo vetëm na sulmuan me të gjitha mjetet që kishin, por edhe guxuan të bashkëpunonin me armiqtë e Shqipërisë në sulmet e tyre kundër Ballit Kombëtar. Ka raste të shumta, në të cilat komunistët na kanë sulmuar, pikërisht në kohën kur ne ishim të angazhuar duke luftuar gjermanët.
Dhe misionet ushtarake britanike kanë qenë në dijeni të kësaj. Vetëm kur ne u sulmuam nga të dyja palët, atëherë u detyruam të pezullojmë luftimet kundër gjermanëve dhe të mbrojmë veten nga komunistët. Ndonjëherë, gjatë kësaj periudhe edhe gjermanët i sulmuan komunistët sipas llogarisë së tyre. Kjo situatë bëri që të kuqtë të përpiqeshin të paraqisnin në opinionin publik në Shqipëri dhe jashtë saj si “bashkëpunim në mes nacionalistëve shqiptarë dhe gjermanëve”.
Por, nëse ai do të quhet bashkëpunim, atëherë komunistët vetë kanë bashkëpunuar me gjermanët, kur gjykohet se na kanë sulmuar dhe luftuar në të njëjtën kohë, që gjermanët ishin duke na sulmuar ne. Në betejën e Prezës, për shembull, në 14 shtator dhe 15 tetor 1944, gjermanët sulmuan me granata pozicionet tona, ndërkohë që komunistët na sulmonin nga të tri anët. Pra, argumenti i “bashkëpunimit” punon shumë mirë anasjelltas kundër komunistëve vetë.
Përveç kësaj, komunistët kanë qenë disa herë në kontakt dhe mirëkuptim të drejtpërdrejtë me gjermanët gjatë pushtimit nazist të Shqipërisë. Një rast është, kur komunistët hynë në qytetin e Beratit, në shtator 1943, pas kapitullimit të Italisë: ata ishin në marrëdhënie shumë të mira me gjermanët, të cilët lëviznin lirshëm nëpër qytet pa u prekur nga të kuqtë. Kjo marrëveshje u bë prej Gjin Markut, komandanti i kuq dhe gjermanëve, nëpërmjet Iljaz Sevranit, komisar i kuq i Beratit, i cili veproi si ndërmjetës dhe kjo situatë ka zgjatur tri javë.
(Kryetari i Gjykatës Speciale të Tiranës, Bedri Spahiu, e pranoi këtë fakt dhe u përpoq për ta justifikuar deri në një farë mase). Një shembull tjetër shumë i rëndësishëm i ditës është vizita që majori gjerman Hanz bëri në selinë e komunistëve në Skrapar, mars 1944. Ata arritën në një marrëveshje atje dhe është fakt, që për tre ose katër muaj pas asaj vizite, as komunistët nuk i sulmuan gjermanët dhe as këta të fundit nuk ndërmorën ndonjë operacion kundër të kuqve.
Nëse kjo nuk mund të quhet kolaboracion, asgjë tjetër nuk mund të quhet. Nga mesi i verës së vitit 1944, Balli Kombëtar vendosi të rifillojë luftimet e pezulluara kundër gjermanëve, duke u bazuar në inkurajimin, shtysën dhe kërcënimet e BBC dhe Radio Barit, të cilat ishin tërheqëse, jo vetëm për organizatën si një e tërë, por edhe personalisht për presidentin e saj Mid’hat Frashëri (BBC, 9 Shtator 1944). Luftimi nisi në javën e parë të shtatorit dhe u zhvillua në fshatin Prezë e zonën përreth. Por edhe atëherë, Balli Kombëtar ishte sulmuar dy herë egërsisht nga komunistët, siç e kemi përmendur tashmë, edhe pse Misioni Ushtarak Aleat, i cili ishte duke qëndruar me ne, nuk ishte shumë larg.
Në operacionet, që gjermanët ndërmorën kundër komunistëve në Shqipëri, mori pjesë gjithashtu edhe milicia si forcë popullore, që i përkiste fshatrave përreth. Por, është e tepërt të thuhet se këto forca nuk kanë pasur asgjë të bëjnë me organizimin tonë: gjëja e vetme që kishin të përbashkët me Ballin Kombëtar ishte se ata ishin antikomunistë. Si një shembull tipik i këtyre forcave popullore, ne mund të përmendim këtu, ato të Dibrës ku Balli Kombëtar nuk kishte asnjë grup gueril të vetin.
Këto forca popullore të Dibrës luftuan ashpër kundër komunistëve dhe i mbajtën ata larg për një kohë të gjatë; komunistët arritën që të dalin nga situata në rajonin e Dibrës, vetëm kur ata sollën për të ndihmuar brigadat e tyre maqedonase të Titos, të përbëra nga sllavët. Një tjetër shembull është ai i Elbasanit, ku e vetmja forcë guerile e Ballit Kombëtar ishte ajo e rajonit të Polisit nën komandën e Nezir Muzhaqit, grupet e tjera ishin vetëm forca popullore që luftonin komunistët, por nuk kishin asgjë të bënin me organizimin tonë. Në mënyrë që të na fuste në sherr me aleatët, komunistët, si dhe gjermanët u përpoqën të bënin opinionin publik të besonte se Irfan Ohri, Nuredin Dino, Vizhdan Risilia, Halil Alia dhe të tjerët, ishin anëtarë dhe komandantë të Ballit Kombëtar.
Por në fakt, këta njerëz dhe simpatizantët e tyre, kurrë nuk kanë qenë anëtarë të organizatës sonë, as nuk kanë urdhëruar ndonjë force tonën. Këtë ne e kemi mohuar kategorikisht disa herë në gazetën tonë “Flamuri” dhe në fletushkat që kemi nxjerrë. Ne, veçanërisht, theksojmë këtu faktin, se edhe pse kemi pasur pezulluar veprimet tona armiqësore kundër gjermanëve për shkak të sulmeve komuniste, ne kemi pasur gjithmonë një qëndrim armiqësor ndaj tyre.
Fakti, se për momentin ne nuk i luftonim ata, nuk na bënte miq të tyre. Fletushkat e ashpra që Balli Kombëtar lëshoi në nëntor 1943, kundër Irfan Ohrit dhe gjermanëve, flet vetë dhe nuk ka nevojë për koment. Kështu që, gjermanët e dinin shumë mirë se arsyeja për pezullimin e luftimeve tona ishte presioni komunist: si rezultat, ata dyshuan shumë për tendencat dhe ndjenjat tona pro-aleate dhe e luftuan organizatën tonë. Mjafton të përmendim këtu, deportimin dhe internimin në Serbi dhe Gjermani të qindra anëtarëve të Ballit Kombëtar nga prefektura e Vlorës (1943- 1944); dhe vrasjet (fillimi i gushtit 1944) e avokat Skënder Muços, anëtar i Komitetit tonë Qendror dhe profesor Yzeir Ismailit e Zako Mezinit, anëtarë të Komitetit zonal të Vlorës.
Të tre u arrestuan nga gjermanët pranë Vlorës dhe u vranë nga ana e tyre në afërsi të qytetit të Lushnjës. Pikëpamja gjermane në lidhje me Ballin Kombëtar është shprehur edhe në broshurën konfidenciale, të lëshuar nga komanda gjermane për përdorimin e trupave të saj në Ballkan. Në kopertinën e saj lexojmë: “Nur für DienstgebrauchTruppenmerkblatt -Nordest-Ballkanit-Herausgegeben von der Dienststelle der Feldpostnummer 00.049. Në faqen 26 të kësaj broshure kemi: “Die Fronti Nacional (Balli Kombëtar) ist eine nationale democratische Partei, die eher zu Angli aks zu hinneigt Deustchland. Ihr Führer ist Mitat Bej Fraschery”.
“Kjo do të thotë: Fronti Kombëtar (Balli Kombëtar) është një parti kombëtare demokratike, që zgjatet më shumë në drejtim të Anglisë se sa ndaj Gjermanisë. Udhëheqësi i saj është Mid’hat bej Frashëri.” Duke qenë e vërtetë, është për t’u habitur se si propaganda e radios, veçanërisht Radio “Bari” dhe gazeta “Mundimi”, nuk pushoi asnjëherë duke na akuzuar, se po bashkëpunonim me armikun, duke përdorur termin “Nazi-ballist” dhe fraza të tjera ofenduese dhe të pamerituara kundër Ballit Kombëtar. Është e vërtetë se, ne nuk kemi sulmuar qeverinë shqiptare, kur ajo po luftonte komunistët, por është qesharake ta quash atë bashkëpunim.
Gjithashtu, ne kemi qenë të detyruar edhe për disa muaj, të lejonim pjesëmarrjen në qeveri të tre anëtarëve tanë, që më vonë u tërhoqën dhe prenë të gjitha marrëdhëniet me ne. Nga ana tjetër, ka raste të shumta, të cilat ne i kemi përmendur në një dokument të mëparshëm të politikës sonë, kur qeveria ka treguar haptas me vepra mosbesimin dhe qëndrimin armiqësor të saj ndaj Ballit Kombëtar. Disa prej anëtarëve tanë janë persekutuar dhe burgosur nga qeveria e Tiranës.
Ministri i Brendshëm ka lëshuar edhe një letër qarkore (maj 1944), duke urdhëruar prefektët, për të marrë masa kundër Ballit Kombëtar. Si përfundim, ne duhet edhe të përmendim një pikë tjetër të rëndësishme. Duhet të mbahet parasysh, në qoftë se dikush përpiqet sinqerisht për të paraqitur veten në vend të nacionalistëve shqiptarë, se gjermanët nuk ishin të vetmit armiq të Shqipërisë. Në fund të fundit, kur gjermanët të largohen nga Shqipëria, rreziku nuk do të jetë i përfunduar: një fazë tjetër e rrezikshme do të paraqitet, ajo e fqinjit tonë verior, Jugosllavisë, e cila kish pas punuar ngushtësisht me komunistët në vendin tonë.
Ne ishim me më shumë besim në lidhje me Greqinë, edhe pse ne shohim tani se ajo ka hedhur një sy lakmues ndaj Korçës dhe Gjirokastrës, të cilat, grekët i quajnë “Epiri i Veriut”. Shqipërisë i duhej, pra, të ruante forcat e saj kryesore për luftën finale për ekzistencën e saj etnike, si e kishim kuptuar ne, se asnjë garanci dhe asnjë siguri e çfarëdo lloji nuk ishte dhënë në lidhje me kufijtë tanë, me përjashtim të disa premtimeve të paqarta në lidhje me ruajtjen e pavarësisë sonë.
Përballë kësaj gjendjeje, Balli Kombëtar e shqyrtoi dhe pa se forcat e kombit ishin të ruajtura. Por edhe me atë preokupim në mendje, madje edhe me ankthin e luftës finale me fqinjët tanë, ne do ta hidhnim veten me zemër dhe shpirt në luftën kundër gjermanëve, nëse komunistët nuk do të na sulmonin dhe nëse Misionet Aleate të kishin mbështetur forcat nacionaliste, të cilat ne i vumë tërësisht në dispozicion të tyre, siç i kemi thënë Gjeneral Deivis në Shëngjergj, nëntor 1943. Kundërshtarët tanë nuk kanë sjellë fakte të veçanta në lidhje me të ashtuquajturin bashkëpunimin tonë: ne jemi akuzuar në mënyrë të përgjithshme.
Dhe kjo të bën të gjykosh se: ne jemi akuzuar për bashkëpunim me armikun, thjesht sepse ne luftuam komunistët. Por është e njohur për të gjithë se ishin komunistët, që filluan luftën kundër Ballit Kombëtar dhe ne duhej të mbronin veten. Dhe ishin sulmet e tyre, që na bënë ne të pezullonim veprimet armiqë- sore kundër gjermanëve. Kështu që, ai lloj pezullimi, nëse mund të quhet i tillë, u imponua mbi ne nga ana e të kuqve. Kur ne e rifilluan luftën tonë kundër gjermanëve, shtator 1944, komunistët u përpoqën me të njëjtën metodë: ata sulmuan dhe u përpoqën të na çaktivizonin, në mënyrë që ne të mos kishim mundësi për të luftuar pushtuesin. Ky është “bashkëpunimi” i Ballit Kombëtar! Mid’hat Frashëri Kryetar i Komitetit Qendror të Organizatës “Balli Kombëtar” Shkurt, 1945.