Albspirit

Media/News/Publishing

Greta Beqiri: Unë dhe ti, sa të ngjashëm dhe të ndryshëm

Eci këmbëzbathur në ato rrugë ku ju mendoni se me këpucët e cilës markë do ecni sot. Rrëmoj i dremitur, i pa ngrënë në çdo cak që ti ke vërtitur një letër a një karton.
Sot hëngra tostin e hedhur në kosh që ti kishe lënë përgjysmë, sepse ishe i ngopur. E mora dhe e hëngra që të shuaja urinë.
Sa herë që hap sytë në mëngjes shoh drejt qiellit, çatisë sime të vetme, që herë-herë është i buzëqeshur, e herë të tjerë i mbytur nën lot, ashtu si unë.
Botën time e rrethojnë mure të kartonta që sa i pushton një shi, më braktisin duke përqafuar të ftohtin. Përveçse më duhet të jetoj i uritur dhe në të ftohtë, me duhet të jetoj dhe në përbuzje.
Nuk e dija çdo të thoshte përbuzje, ma tregoi një ditë një fëmijë si unë që kishte veshur rroba të ngrohta e të buta, këpucë që shkëlqenin dhe në duar mbante një lodër elektronike e një kukull të pafajshme.
Kisha shumë dëshirë t’a prekja atë kukull, doja ta ndieja sesi ishte të kishe një kukull dhe… dhe e preka. Më veshtroi sikur t’i kisha rrëmbyer botën dhe filloi të qajë me denesë duke ma vërvitur kukullën në fytyrë duke u betuar me ngashërim që s’donte ta prekte, sepse duart e mia ishin të pista.
Fillova të lotoj dhe shihja kukullën në sy, ajo më buzëqeshte. Ishte gëzimi im i vetëm dhe i parë që dikush po me buzëqeshte mua.
Me duart e mia e rrembeva kukullën e hedhur dhe e shtrëngova fort në gji, ndieja sikur kisha ngrënë të gjitha gjellët e botës, sikur kisha veshur rrobat më të ngrohta të botës, sepse dikush po më përqafonte vërtet plot dashuri, duke mos u sjellë me mua sikur të mos isha inekzistent.

Please follow and like us: