Albspirit

Media/News/Publishing

PD kundër “provës” së Tahirit: Me 1800 faqe akuzë, duhet të ishte në burg

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj reagon ndaj deklaratës së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili publikoi një dokument të Prokurorisë së Katanias në Itali, duke thënë se është “prova” nuk po hetohet në Itali.

Alibeaj tha se letra që nxori sot Saimir Tahiri mund të tundet për militantët e oborrit por për askënd tjetër.

Në një dalje për mediat ditën e sotme, deputeti demokrat u shpreh se Prokuroria e Katanias, ka arrestuar Moisi Habilajn dhe kërkon anëtarët e tjerë të bandës, sepse ata janë kapur duke e kryer aktivitetin kriminal në territorin e tyre, në Itali.

Po ashtu nënvizoi se Prokuroria e Katanias, nuk mund dhe nuk e ka për detyrë të procedojë ministrin në Tiranë, që sipas tij, mbështet, lehtëson dhe i hap rrugën bandës në trafikun e drogës.

Alibeaj deklaroi se kjo është detyrë e prokurorisë shqiptare.

“Pikërisht, këtë detyrë të prokurorisë dhe drejtësisë shqiptare, Edi Rama dhe Saimir Tahiri po e pengojnë, duke mos pranuar kërkesën e saj. Aktakuza e antimafias italiane për Tahirin janë 1800 faqe prova, dëshmi, dhe fakte të drejtësisë italiane tregojnë përfshirjen direkte të Tahirit dhe përfitimet e tij në miliona euro nga trafiku i tonelatave me drogë. Çdo qytetar shqiptar do të ishte në burg me këto prova. Por Saimir Tahiri jo, sepse ka imunitet, dhe sepse e mbron Edi Rama”, u shpreh deputeti demokrat.

Ndër të tjera nënvizoi se arsyet pse e mbron Edi Rama, tashmë janë të qarta për këdo, duke thënë se është i kapur, sepse Tahiri nuk do të rrinte duarkryq, por siç ia ka bërë të ditur, do të nxirrte provat dhe materialet që ka për përfshirjen direkt të Edi Ramës, të familjarëve të tij, të ministrave të tij, në afera të rënda kriminale.

Ndaj, Edi Rama tha ai, jo vetëm nuk miratoi kërkesën, çka pritet ta finalizojë nesër në Parlament me votën kundër, por edhe më shumë, ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj prokurorisë.

Deputeti demokrat e cilëson si një sulm frontal, të paprinciptë, me shantazhe të njëpasnjëshme, ku dallon këtu kërcënimi ndaj dëshmitarit që ka prokuroria e krimeve të rënda, për lidhjen e Tahirit me Habilajt.

Ai tha se ndërkohë që ndaloi drejtësinë të bënte punën e saj, Edi Rama i dha kohën e duhur Tahirit të pastronte shtëpinë dhe të zhdukte provat që e lidhin me bandën e trafikut të drogës.

“Parlamenti shqiptar nesër ka provën, nëse do të zgjedhë drejtësinë dhe barazinë para ligjit, apo do të zyrtarizojë dy standardet e Ramës, e do të marrë në mbrojtje krimin.

Partia Demokratike dhe opozita qëndrojnë në anën e drejtësisë dhe barazisë para ligjit”, deklaroi në mbyllje Enkelejd Alibeaj.

Please follow and like us: