Ludovic Ehret: Xi Jinping barazohet me Mao Ce Dunin
Xi Jinping u afirmua sot si kryetari më i fuqishëm që prej 40 vitesh në Kinë. Ai hyri në Kushtetutën e Partisë Komuniste Kineze (PKK) në pushtet, duke u barazuar me themeluesin e regjimit Mao Ce Dun. Lideri 64 vjeçar, në krye të Partisë që prej fundit të vitit 2012, që me shumë mundësi pa asnjë dyshim do të zgjidhet për një mandat të ri pesë vjeçar si sekretar i përgjithshëm, si dhe do të marrë titullin suprem në vend. Të mbledhur që prej javës së kaluar në kongres në Pekin, më shumë se 2 300 të deleguar të ardhur nga i gjithë vendi miratuan të martën futjen në kartën e Partisë “Mendimin e Xi Jinping për socializmin kinez të epokës së re”. Një koncept që përbën një guidë veprimi për partinë më të madhe në botë (89 milionë anërtarë). “Kjo do t’i japë Xi-së një autoritet të jashtëzakonshëm (…) ai do të ketë një status të ngjashëm me atë të Timonierit të Madh, që e kishte Mao. Ai mund të bëhet njësoj si Mao, drejtues i përjetshëm për sa kohë të jetë në shëndet të mirë”, deklaroi Willy Lam, politolog i Universitetit kinez të Hong Kongut. Asnjë drejtues që prej Maos (1893-1976) nuk ka parë qasjen e tij teorike të bashkohet me ideologjinë gjatë kohës që ka qenë në funksion. Emri i Deng Xiaoping, që ishte artizani në fund të viteve 1970 të reformave që e bënë Kinën fuqinë e dytë ekonomike në botë, hyri në këtë Kushtetutë të partisë vetëm pas vdekies, në vitin 1997. Ndërsa dy paraardhësit e Xi Jinping, Jiang Zemin dhe Hu Jintao, kishin parë kontributin e tyre të shkruhej vetëm pas tërheqjes nga funksioni dhe emri i tyre nuk figuron me të gjitha gërmat.
Rinovim i Madh
Por në çafrë konsiston “Mendimi i Xi Jinping”? Në hapje të kongresit komunist të mërkurën e kaluar, Xi kishte shënuar vetë linjat e mëdha në një fjalim të gjatë prej më shumë se tre orë. “Në radhë të parë, rilindja e madhe e kombit, pra riafirmimi i Kinës si fuqi e pasur dhe e respektuar, pas më shumë se një shekull e gjysmë rënie, mundime dhe poshtërime”, kishte deklaruar lideri kinez. Për këtë, Xi Jinping premton se “do të ndërtojë një ushtri që të jetë e para në nivel botëror deri në vitin 2050, të përmirësojë mbrojtjen sociale dhe mjekësore, shtetin e së drejtës socialiste, si dhe të garantojë bashkëjetesën në harmoni mes njeriut dhe natyrës”. Por të gjitha këto nuk do të sjellin asnjë liberalizim politik. “Gjithçka duhet të vendoset nën drejtimin e PKK-së. Organizimi i PKK-së, qeveria, ushtria, shoqëria civile dhe cilidoqoftë vendi ku ne gjendemi”, kishte theksuar ai.