Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli RAKIPI: Frikërat e Edi Ramës

“Siç e tregoi koha, në detyrën që mori, nuk i ndërhyva asnjëherë të vetme, në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve, në ministrinë e brendshme.”

Kështu tha Edi Rama, i frikësuar, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke menduar se me një fjalë të vetme, i lau duart, me bashkëpunëtorin e vet më të ngushtë dhe më të rëndësishëm, në qeverisjen e shkuar katër vjeçare.

Duket qartë, që në të gjithë fjalimin e vet, Edi Rama përpiqej të ruante vetëveten.

I trembur, ashtu siç di të trembet vetëm Edi Rama, ai e flaku Saimir Tahirin, si të mos e kishte njohur kurrë më parë, vesi më i madh dhe më i keq ky, i Edi Ramës në karrierën e tij politike dhe ndoshta në të gjithë jetën e vet. Kjo është një sjellje e njohur tashmë botërisht.

“Nuk mbaj mend të kem folur me ndonjë drejtor policie, apo shef komisariati, por vetëm me ministrin e brendshëm”, – tha Edi Rama, në panik e sipër.

Se sa i besueshëm është Edi Rama në këtë që thotë, që edhe pastrueset dhe shoferët e gjithë dikastereve të qeverisë, i emëron me dorën e vet, këtë nuk ka shqiptar që të mos e dijë. Po përse, Edi Rama, deklarohet se nuk ka komunikuar me askënd në Ministrinë e Brendshme? Përse mund ta ndihmojë një deklaratë e tillë?

Shpjegimi i kësaj pyetjeje, është fare i thjeshtë. Edi Rama sot, druhet se mos në dikasterin më të rëndësishëm të vendit, në ministrinë e brendshme, plasin të tjera bomba, si kjo e Tahirit. Dhe një gjë e tillë, në një dikaster, ku akuzohet si trafikant droge, vetë kreu i tij, është plotësisht e mundur, që edhe funksionarët e tjerë të kenë bërë të njëjtën gjë.

Kjo është njëra nga frikërat e Edi Ramës sot. Frika se mos hapet Kutia e Pandorës, në ministrinë e brendshme, e detyron Edi Ramën, të distancohet prej institucionit më të rëndësishëm në qeverisjen e tij, në katër vjet.

Por Edi Rama dhe qeveria e tij, rezultojnë, të mos kenë vetëm një Kuti Pandore. Në një vend ku krimi, trafiqet, korrupsioni, janë në një shkallë të frikshme, vështirë të mendosh se mund të gjesh një institucion të pastër.

Në vitin e pestë të pushtetit të tij, institucionet, që bëri Edi Rama, kanë qenë dhe janë, bashkëpunëtore të afërta të krimit. Këto institucionë më së shumti, janë bashkuar dhe kanë bashkëjetuar me krimin.

Precedenti i mbushjes së parlamentit me njerëz me rekorde kriminale, është një akt qe nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër. Edhe ky akt, tregoi një nga frikërat më të mëdha të Edi Ramës. Rrethimi që i bën vetes me elementë të kësaj kategorie kryeministri Rama, tregon se në sub-koshiencën e vet, levizin frikëra të hatashme dhe të çuditshme.

Mbushja e parlamentit me elementë të inkriminuar, çuditi shumë botën, por jo Edi Ramën. Në vend që të mësonte nga ky akt i paprecedent, rezulton që Edi Rama të ketë bërë të kundërtën.

“Unë e kam mbrojtur Saimir Tahirin, për shkak të detyrës si ministër i brendshëm, dhe për këtë shkak u krijua perceptimi i gabuar, se ai ishte bashkëpunëtori im i afërt.”

Kështu tha Edi Rama, përpara parlamentarëve të vet, duke menduar se me këto fjalë shpëtoi, duke i dhënë duart Saimir Tahirit…

Por, Edi Ramës dhe qeverisë së tij, të vjetër dhe të re, “Rama I” apo “Rama II”, tani i kanë plasur ujrat dhe largimi i Saimir Tahirit, apo ndonjë tjetri, nuk mund ta nxjerrë atë nga loja.

Edi Rama mendon, se me largimin e Saimir Tahirit nga grupi parlamentar, shpëton ai dhe Partia Socialiste. Kjo është ideja që ai tani e shpreh qartë.

Por mbi të gjitha, Edi Rama, mendon se kjo është mënyra për të zgjatur ditët e qeverisjes.

Ndoshta, por më së shumti kjo duket një taktikë e gabuar dhe largimi i Tahirit mund t’i hapë rrugë të keqes së madhe. Tani shigjetat nuk do të jenë më mbi Tahirët, por mbi Edi Ramën.

Sali Berisha, në raste të tilla ka vepruar krejt ndryshe. Ai kurrë nuk i ka dorëzuar bashkëpunëtorët e vet, para prokurorëve apo ligjit. Ky stoicizëm, për të mos i dorëzuar bashkëpunëtorët, i ka dhënë Sali Berishës, jo vetëm ditë më shumë në pushtet, por edhe formatin e një burri të fortë Ballkanik, formatin e njeriut që i mban të vetët, deri në fund, duke u bërë një me ta.

Ndryshe nga Berisha, Edi Rama edhe e dorëzon, edhe nuk e dorëzon, edhe e lejon kontrollin e shtëpisë, edhe nuk e lejon, edhe e përjashton, edhe nuk e përjashton, Saimir Tahirin. Ndryshe nga Berisha, Edi Ramën, nuk e lënë frikërat për fatin e vet, që të ketë një qëndrim të qartë.

Frikërat që e kanë pushtuar Edi Ramën, sigurisht që janë një e keqe e madhe për popullin që ai qeveris. Por nga ana tjetër, me këto që bën, ne duhet të jemi edhe të gëzuar, që Edi Rama është një njeri i frikësuar. Sigurisht, që ky duket si një konstatim absurd, por është një realitet. Edi Rama e ka një të mirë, dhe kjo është frika e tij.

Ky emocion që ai e ka, shumë më shumë se njerëzit e tjerë, ndonjëherë e detyron Edi Ramën, të marrë vendime dhe të mos e lërë të keqen të shkojë deri në fund. Loja me largimin e Tahirit sot, largimi i deputetëve të inkriminuar dje, apo ndonjë rast tjetër, si të mos kishin ekzistuar kurrë, vërtet Rama, e bën për të shpëtuar veten dhe për të zgjatur ditët e tij në pushtet, por përfytyro ç’mund të bënte ky njeri, sikur të mos rrethohej nga frikërat!

A është kjo një mënyrë e Ramës, për të zgjatur ditët e pushtetit, qoftë edhe ditët e një pushteti në agoni? Ndoshta.

Berisha, siç thamë më lart, bënte të kundërtën . Ai i zgjaste ditët e pushtetit pa u frikësuar, por duke guxuar deri në marrëzi.
Ndërsa Edi Rama, në çdo hap që hedh, është i rrethuar nga frikërat. Por, a do ta ndihmojë kjo frikë e madhe, të zgjatë ditët e tij në pushtet, ashtu si Berishën guximi i marrë për të ndenjur në pushtet, përgjithmonë? Këtë gjë, nuk dimë ta themi saktësisht.

Por, ligjet e fizikës, që na mësojnë , se të kundërtat tërhiqen, mund të bëjnë sens edhe në politikë…

Please follow and like us: