Berisha: Rama humbi kontrollin, sjellje ordineri me gazetarët
Ish-Kryeministri Sali Berisha, reagon ndaj fjalëve fyese ndaj gazetarëve, prej kreut të qeverisë, Edi Rama.
Duke publikuar videon me fjalën e Kryeministrit, pas seancës së sotme parlamentare, ai tha se fajin për lidhjet e tij me drogën e kanë gazetarët.
“Kryekumbar Edvini humbet kontrollin dhe sillet si ordiner me gazetarët. Duke dënuar këtë akt dhune të egër verbale ndaj gazetarëve, ju ftoj miq të ndiqni dhe dënoni qëndrimin e tij banditesk ndaj tyre”, shkruan Berisha në Facebook.
Në një shpërthim të papritur, komunikimi të drejtpërdrejtë televiziv Rama, ju drejtua gazetarëve me shprehje si “Ju përçoni si tel bakri, që as logjikon, as kupton”, “turp për të gjithë ju dhe ata si ju, që ende nuk e keni kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, e vazhdoni të torollisni miletin me këto pyetje pa pikë sensi”; “pyetjet tuaja burojnë nga padituria, jeni kaq të paditur”, “ju jeni për të qarë hallin” , “flisni përçart”, “Këto janë pyetje për të qarë hallin”, “kjo është një idiotësi, në këtë pozitë idiote me vë ti me pyetjen tënde”, “jeni një amplifikator thashethemesh i paparë”, “ju duhet t’i thërrisni mendjes”, “s’keni si ta kuptoni ju, që për fatkeqësinë tuaj nuk lexoni”, “është e drejta jote te besh rolin e budallait”.
Fjalët e Kryeministrit kanë sjellë reagim të ashpër në rrjetin mediatik, duke u përballur me kritika të shumta.