Albspirit

Media/News/Publishing

Rama reagon ndaj revoltës së gazetarëve: Nuk ofendova askënd, shpreha opinion

Me një status në facebook, të titulluar “asnjë ofendim thjesht opinion”, Edi Rama ka shkruar se gazetarët kanë dezinformuar publikun ditët e fundit.

Ai thotë se në komunikimin me gazetarët shprehu opinionin e vet personal për punën që ata bëjnë.

“Po pse qenkan ofenduar gazetarët nga unë? Sipas tyre po edhe sipas të tjerësh, në kazanin mediatik e në atë politik, i paskam fyer sot pas seancës së Kuvendit!

Fare! Nuk kam fyer askënd. Thjesht kam dhënë opinionin tim, për çka ata kanë bërë, gjatë gjithë këtyre ditëve duke e dizinformuar publikun, lidhur me qëndrimet e mia dhe të Partisë Socialiste!”, shkruan Rama.

Numri një i qeverisë vijon më tej duke kërkuar nga përfaqësuesit e medias, në rastin konkret gazetarët, të mos ndihen të ofenduar nga opinioni i tij.

“Padiskutim ata janë në të drejtën e tyre të mos kuptojnë atë që thonë ose të thonë me qëllim gënjeshtra e budallallëqe. Janë në lirinë e tyre të dëgjojnë siç u bëjnë veshët apo kur nuk e dinë diçka, të mos përpiqen as ta mësojnë. Janë në punën e tyre që ta bëjnë punën duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik, të një profesioni aq fisnik e të vështirë njëkohësisht.

Por as ata – dhe këtu nuk flas, siç nuk fola as sot thjesht për gazetarët e terrenit, po e kisha dhe kam me të gjithë ata që lirinë e pushtetit të medias janë mësuar ta përdorin si armë, për të “vrarë e prerë”, pa teklif e as karar – dhe as kushdo tjetër, nuk më ndalon dot mua të shpreh opinionin tim; qoftë për turpin që i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke më vënë në gojë gjëra që s’i kam thënë dhe jo vetëm; qoftë për paditurinë që shfaqet brutalisht nga mëngjesi deri në darkë, si liri dhe e drejtë për të dhunuar lirinë e të drejtat e tjetrit, në emër të profesionit (kur je gazetar je ëngjëll, kur je politikan je djall, prandaj o burra bjeri t’i biem kujt të duam se brenda jemi); qoftë për transformimin e urës së komunikimit mes politikës e publikut, në një grykë thashethemnaje frenetike, ku nuk e merr vesh i pari të dytin!”, thuhet më tej.

Pas seancës së sotme plenare, Kryeministri u shfaq para gazetarëve me një eufori për të folur, por që në shumicën e rasteve kritikoi apo shpërfilli pyetjet e tyre.

Nga goja e kreut të qeverisë nuk munguan as tog-fjalësha si “pyetje idionte”, “sjellje prej budallai”, “katund mediatik”, etje, që në statusin e tij në facebook i quan opinione.

Please follow and like us: