Rrëzohet kërkesa për arrestimin e Tahirit
Në Shqipëri, me votat e shumicës së majtë parlamenti rrëzoi sot kërkesën e Prokurorisë për marrë autorizimin për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pas dyshimeve për lidhje të tij me vëllezërit shqiptarë Habilaj, pjesë e një organizate krininale italo-shqiptare e cila u godit nga autoritetet italiane në Catania. Deputeti Tahiri, i cili sipas rregullores kishte të drejtën për të dhënë shpjegime në sallë, u mjaftua vetëm me një deklaratë të shkurtër. “Nuk pres ta gjej të vërtetën në sallën e parlamentit, por aty ku më takon, para drejtësisë dhe qytetarëve. Kështu që mirëpres çdo vendim tuajin. Përpjekja ime për të gjetur drejtësinë nuk ndalet këtu”, u shpreh zoti Tahiri i cili ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij.
Përpara se parlamenti të votonte, u lexuan dy raportet e deputetëve të shumicës dhe atyre të opozitës, në Komisionin e Mandatave dhe Imuniteteve. Sipas përfaqësuesve socialistë prokuroria nuk ka sjellë prova dhe se ajo nuk ka kryer paraprakisht hetime ndaj ish ministrit të Brendshëm. “Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria, kërkesa ka sfond politik”.
Por sipas opozitës parlamenti nuk duhet të hyjë në vlerësimin e provave, pasi në këtë mënyrë vlerëson fajësinë apo pafajësinë e deputetit nën hetim. Raporti i përfaqësuesve të opozitës thekson se provat e paraqitura nga Prokuroria janë mëse të mjaftueshme dhe se mos arrestimi i tij përbën rrezik për prishjen e provave. Mosdhënia e autorizimit për arrestim do të ishte sipas opoztës “pengim i drejtësisë dhe goditja më e energjike ndaj shpresës së publikut dhe aksionit politik për reformën në Drejtësi. Parlamenti nuk mund të bëhet kurrë strehë e krimit apo e mbështetësve direkt të tij”, mbyllet raporti i opozitës.