Shpëtim Nazarko: I ka zënë tmerri nga rasti “Tahiri”
Historia e akuzës për Tahirin, iniciuar prej tre prokurorëve nga Tropoja, mund të shqetësojë jo vetëm militantët qorra, apo siç quhen ndryshe “idiotë të dobishëm” nga Lenini. Në një rast normal, zgjedhja e tyre vetëm nga një rreth i vetëm, mund të shkrijë së qeshuri çdo lexues minimalisht të vëmendshëm, që menjëherë mund të përfytyrojë skenarin e mëtejmë të zhvillimit të ngjarjeve pa ndonjë vështirësi të madhe.
Duken sikur kohërat kanë ndryshuar nga viti i largët ’93, kur gjykata e ardhur nga “kursi 6-mujor i plepave të Durrësit” iu vërvit bashkë me emisarët politikë të PD-së së atëhershme (të ngjashëm në shumë plane me këta të sotmit) Fatos Nanos. Këto ngjashmëri, siç u theksua, i shkojnë ndërmend çdo vëzhguesi neutral, por zonja Kryemadhi arriti dje a pardje të bëjë dallimin midis dy proceseve. Nano u dënua për Amita, oriz, sheqer a dava rreckash, kurse Tahiri për drogë. Harroi të thotë se Nanon e nxorën të pafajshëm pas ca viteve të mira burgu, çka mund t’i ndodhë dhe Tahirit, kështu që edhe nëse ndodh ky i fundit mund të ngushëllohet për një farë të vogël…
Megjithëse arsyetimi i zonjës Kryemadhi mban era shvejkizëm, sepse hajduti apo krimineli kanë të njëjtin emër, pavarësisht dëmit që bëjnë, nuk është e vështirë të kuptosh në këtë histori se politika, në thelb, ka mbetur po ajo e vitit ’93. Nuk ka arsye të ndryshojë, sepse po të citojmë zonjën në fjalë, janë të njëjtit njerëz që bëjnë gjithnjë të njëjtat gabime. Ajo që mund të çudisë fare pak, është se nuk e kanë përsosur gjëkundi oratorinë apo teknikën e të sjellurit. Ndoshta ngaqë i kanë fituar gjithnjë me të njëjtën lehtësi betejat dhe nuk kanë nevojë ta përsosin arsenalin e tyre mendor apo logjikën…
A jemi në rastin e Tahirit përpikmërisht në të njëjtën situatë?
Vazhduar me frymën e ironisë, ngjarja e filluar me kaq bujë, duket sikur na rregullon me Evropën apo SHBA-në. Mund të thërresim fort, se më në fund e kapëm një peshk të madh, të cilin do ta dorëzojmë ku duhet. Bile pa treguar asnjë pikë mëshire. Tamam ashtu si në rastin e barcaletës së njohur në Tiranë, kur një kryetari komune, bashkë me të afërmin, iu kërkua koka dhe ai kërkoi mëshirë e afroi para për të shpëtuar, i thanë shkurt.- Jo, jo, ti na duhesh për BE-në dhe i afërmi yt për Amerikën. Në këtë rast nuk bëjnë fajde paratë e tua për të shpëtuar…
Hequr dorë nga ironitë, besoj se palët që po bërtasin për të vënë drejtësinë në vend mendoj se do t’i zbusin tonet pak e nga pak, sepse çështja e tanishme është më e ngatërruar sesa duket në pamjen e parë. Dhe këtu nuk është problem, se prokuroria nuk ka shumë fakte, apo se ato nuk janë të mjaftueshme për gjahun e zënë. Për të tilla hollësira të vogla, këtu, ashtu si në rastin e prokurorëve që dalin të gjithë nga Tropoja, nuk para e vret mendjen njeri shumë.
Problemi lidhet drejtpërdrejt me Vetting-un dhe këtij procesi të tmerrshëm zor t’i shpëtojë njeri, qoftë majtas apo djathtas. Ai nuk është në dorë as të Ramës dhe as në të të Bashës. Procesi është filluar nga të tjerë, që kujdesn deri në hollësinë më të vogël kur nisin operacione të tilla. Çështja për këtë arsye shtrohet drejtpërdrejt:
A përkon saktë çështja Tahiri me atë të bilbilit që bie në ringun e boksit për të filluar ndeshja?
Dyshoj fort se është kështu. Nisur nga kompetencat e reja, Prokurori i Përgjithshëm zor të ketë fuqi apo të ndikojë fort në procesin që e quajmë Vetting. E po ashtu nuk mund të themi se Prokuroria e Krimeve të Rënda të jetë e gatshme apo e emëruar deri në njeriun më të fundit për të udhëhequr procese të tilla dhe delikate. Nuk e di a u kanë dhënë besimin e duhur ata që e kanë iniciuar procesin.
Në këtë sens gjykimi, duket se akuza e përbërë vetëm nga tre prokurorë nga Tropoja, duket më tepër vepër e karakterit vullnetar, apo përpjekje për t’u dalluar në një luftë ku rënia e borisë për sulmin e përgjithshëm nuk është bërë akoma.
Po kaq është ende pak. Edhe nëse bie arsyetimi i mësipërm, klasën politike të majtë apo të djathtë, do të fillojë ta zërë tmerri nga “Rasti Tahiri”. Duke dashur t’i bjerë vetë e para bilbilit për këtë ndeshje të madhe, ajo do ta kishte më keq po ta merrte seriozisht njeri në Evropë. Në një betejë të filluar keq proceset e ardhshme, do të ishin të paparashikuseshme, sepse nuk janë në dorë të tyre.
Nëse Tahiri do të dënohej me këto lloj rregullash që kërkohen të imponohen në bazë të këtij procesi, besoj se gjysma e klasës sonë politike do të arratisej nga sytë këmbët pa i thirrur njeri në dyert e prokurorisë nesër.
Thua po bëjmë shaka, apo po tallemi?
Ambasadori amerikan tha para pak kohësh se Shqipëria i ngjante Amerikës së viteve ’20 të shekullit të kaluar. Ambasadori nuk e përmendi rastin e Al-Kapones, që e zunë në fund për ca kupona tatimore, apo për shpenzimet e kafesë, që ai nuk i justifikonte dot.
Këto “hollësira”, që mund ta kenë bërë për të qeshur klasën tonë politike të tranzicionit, ndoshta vërtet nuk do të duhen fare. Do të mjaftonte një sy i thjeshtë i “inspektorit calaman” siç e kam qejf ta quaj me të qeshur, që do t’u vinte re pasurinë e flllluar nga veshja, te mobilimi i shtëpisë, apo te vetë kjo e fundit, që siç thashë më sipër, do ta çonte vetë në burg vullnetarisht mbi gjysmën e klasës politike.
Qesh ndonjëherë me kolegët kur zëmë e bëjmë muhabet për këto gjëra. Arsyetimit tim se shumë nga pasanikët e klasës poltike do t’i zënë “hasha” shtëpitë e tyre, i shtohet pyetja se ç’do bëhet me fatin e këtyre shtëpive. Përkundër arsyetimit tim se shumë prej tyre mund të bëhen shkolla, çerdhe, apo kopshte, një nga kolegët thotë se “do t’i zërë populli pa vendim ”siç ndodhte dikur më të rrallë në kohën e Enver Hoxhës.
Sa më sipër, duket se “Çështja Tahiri” është më e komplikuar sesa duket për klasën tonë politike. Duke lexuar deklaratën e prokurorëve dje kundër Ramës, se në Rumani e Kroaci ishin arrestuar deri dhe kryeministra, kuptova se palët janë akoma në euforinë e çastit të zënies së një peshku të madh.
Prokurorët, ndoshta siç e theksova më sipër, nuk e kanë kuptuar ende se procesi është më i ndërlikuar se kaq dhe se vullnetarizmi i tepërt pa pasur fakte reale në dorë në vend të dekoratës, mund t’u sjellë fatkeqësi më të mëdha.
Shqipëria, natyrisht, është më keq se Rumania apo Kroacia, që rron me traditën austriake. Është kjo arsye e fundit, që të zënë edhe për një orë dore. Me këtë kriter në dorë, këtu do të vinte në burg jo vetëm klasa politike, por dhe një pjesë e madhe e prokurorëve dhe gjykatësve.
Çfarë pritet të ndodhë? Mendoj se pas euforisë së çastit për kapjen e një peshku të madh, klasa politike e të dy krahëve do të zërë e të mendohet dhe do të kuptojë shpejt se edhe në këtë rast procesi do bërë i rregullt, për të pasur për vete të nesërmen një process po të tillë të rregullt.
Rrëmuja dhe nguti për të shpënë Tahirin para togës së policisë në marrshin drejt burgut është parathirrja dhe për ata vetë.
Me kalimin e ditëve do të shohim se mund të ngjasë kështu. Ndoshta jam kundër rrymës dhe kësaj radhe. Një pjesë e politikës dhe analistëve, mendojnë se do kërcasin dosje të tjera kompromentuese. Kjo ka ngjarë dhe në të shkuarën dhe pastaj palët të lyera me baltën që i kanë hedhur njëri-tjetrit kanë ulur armët dhe kanë vazhduar të sundojnë qetësisht popullin e tyre, bashkarisht, apo veç e veç.
Kësaj radhe mendoj se problemi nuk është i njëjtë. Ata që kanë në dorë “bilbilin e ringut” janë jo shqiptarët, por perëndimorët.
Dhe duket se më në fund, pas njëzet e pesë vitesh, janë pikërisht ata që do na kujtojnë një thënie të vjetër tonën “Këpucët e Parisit nuk bëjnë për këmbë Korçe”. Çka ndryshe do të thotë se nuk do të lejohen procese as si ai i vitit ’93 dhe as si ai i Gërdecit, 21 Janarit, apo kohës së tmerrshme të vitit 1997.
Duke e mbyllur, besoj se fillimi me rrëmujë dhe tam-tame i “Procesit Tahiri” nuk do të vazhdojë të jetë i tillë. Jo vetëm se nuk e lënë ata që kanë iniciuar realisht procesin e Vetting-ut, por siç e thashë edhe më sipër, perëndimorët e kanë kuptuar duke na e parë për një kohë të gjatë sjelljen tonë, se e meritojmë frazën “Këpucët e Parisit nuk bëjnë për këmbë Korçe”.(Konica.al)