Çapajev Gjokutaj: Jemi trima e të besës apo dembelë e vrasës të pashpirt?
Jemi trima e të besës apo dembelë e vrasës të pashpirt?
Jemi shqiptarë. Dmth jemi një bashkësi e qendrueshme.
Na lidhin e na bëjnë bashkë fakti që flasim të njejtën gjuhë, ndajmë të njëjtat troje, kemi një histori e kulturë të përbashkët.
Kemi dhe dy shtete shqiptare, rrjedhimisht kemi krijuar dy bashkësi që lidhen brenda vetes edhe me ca veriga të tjera: ndajnë të njëjtat sisteme arsimore e shëndetësore, kontribuojnë dhe ndajnë të njëjtin fond pensionesh, kujdesen për të njëjtin teritor, për mbrojtje ekologjike etj.
Të gjitha këto i kuptoj dhe i çmoj si fije të fuqishme që na lidhin e na bëjnë bashkë.
Nuk kuptoj pse duhet të jemi të gjithë trima apo dembelë, mikpritës apo të rrëmbyer, të besës apo hakmarrës primitivë e të pashpirt.
Janë këto cilësi që shquajnë dhe bëjnë bashkë një popull apo janë mburrje dhe sharje që kanë të bëjnë pak apo aspak me të vërtetën? Burojnë nga një realitet apo zbresin nga ca mite e stereotipe?