Çapajev Gjokutaj: Tri leximet e Don Kishotit
Njeriu e lexon Donkishotin tri herë: në fëmini dhe qesh, në moshë të pjekur dhe bie në mendime, në pleqëri dhe i vjen të qajë. Kështu thotë Unamuno, një filozof spanjoll.
Në fakt Donkishoti i ka brenda të trija: dhe komiken, dhe dramatiken e tragjiken. Fëmija fokusohet tek komikja, e sheh Donkishotin si një figurë të largët e të çuditshme. Burri fokusohet tek dramatikja: zë e dyshon se mos i ngjet. Plaku e kupton se shpesh ka qenë Donkishot, e ka harxhuar një pjesë të jetës me aventura dhe idealisma.
Gjithsesi kur lexon një vepër – plak, burrë a i ri qofsh – mos u përpiq të gjesh çfarë ka dashur të thotë autori. Përpiqu të përjetosh çfarë kupton e ndjen ti si lexues.
Je ti që e rikrijon, e ringjall veprën në fantazinë tënde. Kështu bëhesh bashkautor. Dhe provon një kënaqësi të paparë, kënaqësinë e krijimit.
Por mbi të gjitha provon kënaqësinë e ikjes në botë të tjera. Provon magjinë e magjive: të shpëtosh nga vetja, qoftë edhe për pak kohë.