Albspirit

Media/News/Publishing

Oligarkët që ju kanë punësuar janë harbutë, makutë dhe m…!

Ardit Rada

Po lexoj gazetarë që u vjen turp nga Kryeministri! Një lumë fyerjesh të Edi Ramës ndaj reporterëve me mikrofon në dorë sigurisht që do eklipsonte lajmin e ditës, për t’u bërë pikërisht ky lajm. Dhe kjo me gjasë ka qenë edhe taktikë e Ramës.

Megjithatë, cilitdo që është gjendur sot përballë Ramës ngushëllimi nuk vlen. Kjo për faktin se Rama nuk është problemi për sjelljen e tij. Tani pyetja shtrohet për kolegët që u vinka sot turp për kryeministrin që kanë: Po nga pronari ku punoni a ju vjen turp?

Domethenë, a e keni problem që punoni për klientin e qeverisë? Sepse nuk është më sekret në këtë bythë vend se kush ka televizion, ka edhe kompani ndërtimi, merr projekte të qeverisë e të tjera përfitime.

A ju vjen turp për faktin që pronarin juaj, shok i Kryeministrit, nuk ju mbron dhe ju ngushëllon duke vendosur një kronikë me titull “Rama sulmon gazetarët”?

Rama nuk është rivali juaj! Ju nuk mund ta kapni atë në vështirësi me pyetje sepse realisht ato të sotmet nuk ishin pyetje. Por ju i bëni sepse ju duhet të çoni diçka tuajën në redaksi. Diçka të tipit: Rama flet për mikrofonin e X TV.

Ju që bojkotuat Ramën në momentin që po jepte konferencën, a mund t’i shkoni në aktivitetin e ardhshëm dhe t’i thoni: Zoti Kryeministër, ke shumë të drejtë. Ne nuk lexojmë sepse pronarët e shkollave private ku ne kemi mësuar janë miqtë e t’u dhe ti nuk i inspekton. Sepse rektori i universitetit publik ku ne kemi studiuar është emërim politike.

A mund t’i thoni në sy që: Unë kaq mund të bëj sepse rroga nuk më del. Sepse pronari më paguan gjysmën në dorë e gjysmën në bankë, në rastin më të mirë një herë në 45 ditë. Dhe këtë e bën për të shmangur sigurimet shoqërore. E ti nuk e inspekton këtë mashtrim fiskal sepse pronari im të duhet ty. Dhe unë zoti Rama nuk mund të dal kundër pronarit sepse nuk kam kontratë që më mbron.

A mund t’i thoni se niveli juaj i përgatitjes është më se normal kur merr parasysh se pronar të televizionit keni një injorant që dreqi e di sesi bëri lekët për ta hapur. Dhe se kurrë nuk e kuptoni pse dita-ditës po krijohen media në një vend ku liria e shtypit nuk mungon. Pra jo si nevojë, por si mani dhe makutëri e zengjinëve të rinj!

Dhe kur të mos ju kthejë Rama përgjigje për këto, mund ta hidhni shurrën përpjetë nga mëngjesi në darkë. Se nuk mund ta pyesësh Ramën për hallet që ka Saliu në Facebook, kur as me veten tendë nuk guxon t’i qash hallet e tua.

Masa më ekstreme e protestës është bojkoti i Kryeministrit në vijim. A e bën dot pronari i televizionit tuaj këtë? Nuk e bën edhe sikur të mos jetë shok i Ramës, sepse pronari mbetet pronar. Pronari është harbut dhe makut. Të paktë janë ata pronarë që nuk ndodhen rastësisht në krye të medias dhe që ju kuptojnë sepse dikur kanë qenë gazetarë si ju.

Ndërsa shumicës së pronarëve u intereson shikimi, klikimi, dëgjimi i televizionit të tij. Nuk mund të lejë dot pa futur Ramën kur konkurrentët e tij vijojnë ta ndjekin. Por a mundet që të gjithë pronarët të bien dakord për t’i bojkotuar lajmet e qeverisë? Jo, sepse në Shqipëri edhe unionet e gazetarëve janë ndarë në të majtë e të djathtë. Dhe në mos qoftë kështu, mos harroni: Oligarkët që ju kanë punësuar janë harbutë, makutë dhe mut!

Please follow and like us: