BE deklarohet për përfshirjen e Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi
Deklarimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe kryeministrit, Ramush Haradinaj, se duan përfshirje të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun në Bruksel mes Kosovës e Serbisë janë parë me shqetësim në Serbi.
Kjo pasi serbët nuk do të donin në tryezë një palë që perceptohet se është në favor të Kosovës dhe kosovarëve.
Gazeta Vecernje Novosti e Serbisë ka bërë një temë rreth kësaj çështje dhe mundësisë që amerikanët të bëhen pjesë direkte e tavolinës ku diskutohet normalizimi i raporteve mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, njofton Klan Kosova.
E pyetur për këtë çështje nga kjo gazetë, Maja Kocijançiç, zëdhënësja e përfaqësuese së lartë të BE-së, Federica Mogherini, nuk është përgjigjur direkt në pyetje, përveç se ka thënë se edhe në të kaluarën BE ka bashkëpunuar ngushtë me SHBA-të.
“BE punon shumë ngushtë me Amerikën rreth Ballkanit Perëndimor. Puna në dialog për të normalizuar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës është në progres. Të dyja palët kanë konfirmuar vazhdimisht angazhimin e tyre të fuqishëm për vazhdimin e bisedimeve dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve”, ka thënë Kocijançiq.
Sipas saj, data për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë ende nuk është përcaktuar, por “formati dhe temat e dialogut përcaktohen nga të dy palët”.
Në Serbi ka zëra që nëse SHBA do të përfshihej në dialog, atëherë njëjtë duhet të ndodhë edhe me Rusinë dhe edhe ky shtet, partner i Serbisë, të marrë pjesë në tavolinën e bisedimeve.