Interesimi i Shoqërisë Britanike për Gjuhën Shqipe
Robert Pinkerton nga Shoqëria Britanike u interesua për Gjuhën Shqipe në vitin 1816 duke kontraktuar Vangjel Meksin si përkthyes dhe Grigor Gjirokastritin si redaktor për të botuar për të parën herë ‘Dhiatën e Re’ në Gjuhën Shqipe, shtypur me germa greke në vitin 1827 në Korfuz.
“Përpjekjet që shqiptarët të lexonin fjalën e Perëndisë në gjuhën shqipe vijnë për herë të parë në kuptimin e botimit të një libri real, pikërisht përmes lëvizjes protestante prej shtëpisë botuese së mirënjohur të botimeve biblike për vendet e huaja në Londër, financimeve të tyre dhe përpjekjeve për të gjetur gjuhëtarët e duhur, teologët e duhur, që do të ndërmerrnin përsipër këtë përkthim tashmë të certifikuar të Fjalës së Perëndisë në gjuhën amtare”, shprehet Persida Asllani, drejtore e Bibliotekës Kombëtare.
Në ekspozitën e çelur në Bibliotekën Kombëtare pasqyrohet përmes veprave rrugëtimi 200 vjeçar i kulturës biblike dhe librit shqip, i cili tani për lexuesin gjendet i ribotuar.
“Këto tekste që ne kemi sjellë këtu dhe që falë Shoqërisë Biblike dhe Bashkësisë Ungjillore Shqiptare kanë ardhur pas ’90-ës me botime të bukura, luksoze dhe cilësisht të punuara nga ana filologjike shumë mirë përmes kontributit të profesor Xhevat Lloshit, por edhe të profesoreshe Teuta Toskës mund të shikoni dhe shijoni shqipen e Kristoforidhit dhe Vangjel Meksit përmes këtyre botimeve”, tha Persida Asllani.