Albspirit

Media/News/Publishing

Irma Kurti: Pranë varrit të nënës

Pranë varrit tënd Nënë ndjehem në faj ashtu si atëhere kur isha fëmijë e thyeja padashur ndonjë gotë apo më vonë kur ndaja me ty brengat dhe të lija pa gjumë.

Në ketë qytet të ftohtë e të lagësht verior nuk jemi larg e, megjithatë, ndodh të kalojë ca kohë pa të vizituar. Një lule e egër ka mbirë mes të tjerave shumëngjyrëshe dhe zgjatet drejt qiellit pa mëshirë sikur do të matë mungesën time.

Nënë, do të më falësh? Për mungesat e mia, për fjalët e dashurisë të pathëna, për shqetësimet që të kam shkaktuar, për dëshirat e tua që s’munda t’i realizoj sa ishe ti në jetë. Me siguri që po. Zemra jote e madhe sa një oqean s’mund të mbajë gjatë dallgë zemërimi.

Kam dashur shpesh të të pyes: “Si ndjehesh në këtë mbretëri të heshtur? Në këtë dhe të huaj? E rrethuar nga njerëz të huaj? Nga Francesco, Antonella, Marzia, Tullio, Agostino? Ndjehesh e humbur, ashtu si unë ndonjëherë? Të duket se ndodhesh gabimisht në këtë vend? Sikur një stuhi e papritur të ka hedhur në bregun italian dhe ti përpiqesh të mbijetosh, ndërsa pret një anije të shfaqet në horizont, të të marrë në bord për të të kthyer në tokën tënde?”.

E kotë të të them se më mungon! Ti e di këtë. Të kujtohet sa lot kemi derdhur bashkë në muajt e fundit të jetës tënde? Rrinim përqafuar në shtratin ku lëngoje dhe tek mendonimfundin, nuk flisnim, por qanim. Ishin lotët që kishim ndarë gjatë jetës, por këto ishin më të mëdhenj, si kokrra breshëri të forta sepse dhimbja që mbanin ishte tepër e madhe.

Jeta do të ishte vërtet e bukur sikur ti të rrije edhe ca me mua! Do të kishte më tepër ngjyra e gëzime; vetë dashuria do të merrte kuptim. Një vit, e shumta dy … do të më mjaftonin.

Kur mjekja atë ditë shqiptoi me zë të ftohtë dhe pa asnjë notë dhimbjeje se të kishin mbetur disa muaj jetë, unë dola nga studioja e saj si e dehur. Po të isha vetëm do të nisja të vrapoja, do ta lija erën të më rrihte fytyrën dhe të m’i thante lotët që më rridhnin pareshtur. Do të shtrihesha mbi bar dhe, duke fiksuar qiellin, kaltërsinë, “atë” atje lart që deri në atë moment mendoja se ekzistonte do të thërrisja me zë të lartë: ”Thuamë që e gjitha kjo është një ëndërr e frikshme! Thuamë që s’do të ma rrëmbesh shoqen, miken, dashurinë më të madhe, mamin tim!”

Por ti Nënë ishe pranë meje. Më ndoqe pas dhe me zë të fikur më pyete: “Çfarë të tha doktoresha?”.

Hapat e mi ishin të ngathët, të paralizuar, qënia ime nuk dinte si të reagonte ndaj dhimbjes, ajo ishte aq e madhe sa më kishte anuluar çdo lloj veprimi, çdo lloj force e optimizmi.

Si mund të ta përktheja atë frazë? Unë që s’doja ta kisha dëgjuar kurrë parashikimin më makabër? Si mund të të thoja se pas pak muajsh unë s’do ta kisha më të vetmin njeri që më donte sa universi?

Çdo ditë ka një çast bosh kur toka e ndal rrotullimin, zhurmat dhe boritë shuhen dhe unë marr në duar celularin. Provoj ndjesinë, nxitjen, marrëzinë të të telefonoj, të shkëmbej  dy fjalë me ty, të ndaj një pikë loti në dy, si dikur. Mjafton të dëgjoj zërin tënd të më thotë “alo” dhe të gjithë pasiguritë do të shkrihen si flokë dëbore.

Jo… nuk kam ku të të telefonoj, ti s’ke më numër. Në këtë mbretëri je vetëm një numër. Po për mua je gjithësia!

Nuk je kthyer, qoftë dhe për një çast. Paskësh qënë vertet një udhëtim pa kthim! Më kishe premtuar se po të kishte një mundësi të vetme do të vije, për pak minuta, pak sekonda, aq sa zgjat një përqafim. Brenda atij harku zhgënjimet do të më dukeshin të vogla, do të ndjehesha e sigurt, e mbrojtur nga hipokrizitë, padrejtësitë, poshtërsitë e botës. Me sa duket e ke të pamundur, nuk të lënë që të vish të tjerët, njerëzit apo … hijet.

Këpus lulen e egër, që tenton të copëtojë kaltërsinë. Përkëdhel foton tënde, sytë e tu qeshur, buzëqeshjen që rrezaton diell dhe të strehoj sërish në shpirt, në vendin dhe hapësirën që të përket prej kohësh.

Please follow and like us: