Juncker: Katalonja nuk është ish-Jugosllavi
Shefi i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, në një intervistë është shprehur se populli katalanas nuk është nën presionin e Spanjës dhe sipas tij deri më tani nuk janë shkelur të drejtat e tyre.
Situata e Spanjës dhe Katalonjës nuk mund të krahasohet kurrsesi me ish-Jugosllavinë nënvizoi Juncker në intervistën e tij për një media portugeze.
“Unë mendoj se Spanja nuk është ish-Jugosllavi. Duhet të respektohet dëshira e tyre për të shprehur vullnetin e lirë. Por në Katalonjë nuk po përballemi me një problem të të drejtave të njeriut, sepse katalanasit nuk janë të shtypur e të kërcënuar nga Spanja”, tha shefi i KE-së.
Juncker tha se dëshirat e popullit katalanas duhet të dëgjohen, por sipas tij referendumi antikushtetues i 1 Tetorit, nuk pati një pjesëmarrje të tillë ku mund të thuhet se vullneti i përgjithshëm i popullit katalanas, është ajo që qeveria e tyre pretendon.
Zyrtari i Lartë europian shprehu shqetësimin se me shkëputjen e Katalonjës mund të humbasë kontrolli i unitetit të bllokut europian.
“Nuk dua në të ardhmen një Bashkim Europian të ndarë në 95 vende të ndryshme”, tha Juncker.
Diplomati tha gjithashtu se Kushtetuta spanjolle nuk e lejon një referendum për pavarësi, dhe sipas tij qeveria katalanase dhe pjesërisht Parlamenti rajonal tashmë e kanë braktisur ligjin.