Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollaq Neranxi: Për dy Tanat (Shkreli dhe Lame) që do sjellë Edi në Himarë!

 

 

 

Sot rreth orës 11 e 30 na paska kërkuar takim me populllin e Himarës Artan Shkreli dhe Artan Lame! Pyetja që lind natyrshëm është: këta Tanat për çfarë i bëjnë takimet, çfarë kuptimi kanë? A u vendos në mbledhje me ministrat Gjiknuri dhe Kumbaro që ne si komunitet nuk pranojmë asnjë projekt pa marrë certifikatat e pronësisë dhe jo vetëm për ato familje që preken nga plani, por për të gjithë Himarën? Këta bënë sikur nuk dëgjuan dhe iu sollën ultimatume banorëve të largohen nga shtëpitë e tyre për 5 ditë!

Ky Tani i legalizimeve që nuk la shtëpi pa legalizuar në çdo cep të vendit edhe në prona të grabitura, si ka mundësi që nuk i tha kryeministrit të tij, çfarë do bëjmë me himariotët që kanë shtëpitë dhe tokat e tyre por nuk kanë asnjë letër?

Madje edhe në rastet kur himariotët kanë ndërtuar pa leje, ato ndërtime kanë qenë në tokat e tyre, jo në toka të grabitura. Prandaj zotërinj të nderuar jeni shumë vonë për të ardhur në Himarë. Ne kemi vite që iu themi, hajdeni dhe pajisni të gjithë himariotët me certifikata pronësie, pastaj flasim për investime, por ju kishit të tjera plane me ne!

Në këto kushte, duke qenë përballë një pushteti qendror dhe vendor në shërbim të mafias, banorët e Spilesë i janë drejtuar Gjykatës Administrative e cila ka nxjerrë një vendim dje, ku thuhet se ju pushtetarë nuk keni të drejtë të prekni shtëpitë tona, sepse është cenim i të drejtave të garantuara me Kushtetutë.

Pra ne nuk kemi ç’të flasim më me ju. Nëse doni të merrni kthesë pozitive, futjuni punës dhe na sillni letrat e pronave. Boll më me teatro sa për të dalë në televizor që të dukeni si konstruktivë.

Të gjithë e kanë marrë vesh tashmë, ju dështuat në Himarë me planin e grabitjes, sepse himariotët me të vërtetë nuk janë kriminelë dhe nuk mbjellin hashash, por ama historia ka treguar që në momente kritike, ata dinë të mbrojnë shumë mirë vendin e tyre! Mos hajdeni në Himarë zotërinj! Nuk kemi asgjë për t’i thënë më njeri-tjetrit!

 

*Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturës Himarë.

26 tetor 2017

Please follow and like us: