Albspirit

Media/News/Publishing

Ramiz Gjini: Nostalgji për socializmin

Eh, çfarë begatie kemi pas në socializëm! Lëre, lëre…

Më mbushen sytë me lot kur e kujtoj… Aq shumë më ka marrë malli për atë kohë, sa. Katundin tonë, Kastriotin, e pat mbytur bollëku. Se, që ta dini ju, edhe bollëku të mbyt, të merr frymën kur të mbulon…

Kishim stalle lopësh, stallë delesh si dhe stallë pulash, por qumështin, mishin, leshin, vezët e të gjitha, i dorëzonim në shtet. Ne qemë të pasur e të lumtur, sepse tek e fundit, stallat ishin pronë e jona dhe ne krenoheshim gjithshka kishim e nuk kishim….

Po mollët?! Ah! mollët e Kastriotit; edhe në ëndërr më shfaqen. Aq shumë mollë ka pas në Kastriot, sa nuk i transportonin dot maunet, ndaj dhe kalbeshin. I kapte bora në parcela, por ne i mbulonim me kashtë, që të rrinin ngrohtë se na dhimbseshin. Dhe linin aty një roje si punë katili, që po t’i afroheshe të gjuante me gurë e ndaheshe nanas me të.

Ku shkonin ato maune të ngarkuara me mollë Kastrioti?!

Ca eksportoheshin jashtë, ca drejt e te Blloku ku jetonin, hanin e dhjesnin shokët e Byrosë Politike. Por edhe ne hanim, që ç’ke me të, pse jo…

Mbaj mend, që në dyqanin tonë shiteshin thela molle. Thela, të mëdha, mesatare dhe të vogla; pra, diçka si hazërllup, që populli i Kastriotit të mos lodhej duke i prerë me thikë.

Kjo ndodhte, sidomos, një ditë para festës së vitit të ri. U hiqnin kalbësinën dhe ia shisnin popullit të Kastriotit me 6 lekë kilogramin.

Dhe… O zot, kur e kujtoj! çfarë rregulli ka pasë!

Kur vjelëset e mollëve linin punën, brigadjeri u kontrollonte torbat e bukës se mos kishin fshehur aty ndonjë kokërr mollë. Dhe ashtu duhej, përderisa ato gra, qenë llupëse të mëdhaja, nuk ngopeshin kurrë edhe pse kishte plot. Pastaj, përse të vidhnin derisa paguheshin shumë mirë?

Me pagën e një dite, punëtorët e fermës mund të blinin, jo shaka, por dy bukë gruri; njërën për vehte, tjetrën për komshiun kooperativist.

Ky komshiu kooperativist, kur realizonte normën me kazëm e lopatë, e kishte pagën tridhjetë lekë të vjetra në ditë. Sepse edhe puna, asokohe ka qenë bio. Bëhej vetëm me kazëm e lopatë, nuk ka qenë e manipuluar me teknologji.

Ju ndoshta keni harruar, por një bukë misri kushtonte vetëm tridhjetë lekë. Dhe, merreni me mend: ato tridhjetë lekë, fshatari nuk i merrte për një muaj si në vendet kapitaliste, por i merrte vetëm për një ditë. Dhe t’i merrje kaq lekë vetëm në një ditë, nuk ishte pak, apo jo?

Aq e shijshme ishte at’here buka e grurit, sa katundari ynë e shtynte bukën e misrit me bukë gruri. Por ne, si ne…! Ndonëse mes bollekut, prap nuk na rrinte bytha rehat, sepse vidhnim, vidhnim sa i luanim fenë, të gjithë pa përjashtim.

Nuk vidhnim për të vënë kapital, ej… Vidhnim, thjeshtë se na hahej… Çudi, si na hahej kaq shumë asokohe, xhanëm?! Dhe kjo vjedhje, ishte si të vjedhësh për sport, për hiçgjë, vetëm sa për t’u turpëruar.

Edhe pse e dinim, që të vjedhësh nuk ishte një gjë e mirë, ne prap vidhnim… Nuk di pse e bënim…

Kur na kapnin, na gjobisnin, na vendosnin fletërrufe si dhe na diskretitonin si hajdutë para popullit tonë kryehajdut.

Kurse kuadrot… Ata shkriheshin me popullin, shkriheshin dhe ngrinin prapë. Shumica kishin pak bark si shenjë dallimi. Ata i kishin gratë antare partie, që gjithmonë ishin shumë dakort me parafolsin.

Parafolsi në Kastriot, ka qenë sekretari i partisë, shoku Rushit. Edhe sot i kemi parafolsit si athere, por sot, të paktën u a futim ndonjë të sharë aq drejtëpërsëdrejti sa i bëjmë të shkrihen gazit.

Tani, kur e kujtojmë atë kohë, na kap nostalgjia, një nostalgji për heroizmin tonë, për ngadhnjimin; për punën me vrull revolucionar e jetesën roje te grumbulli i misrit në arë.

“Pa, pa, pa…”, ia bëj unë nganjëherë me vehten time kur më kap nostalgjia, ” sa i bukur pat qenë ai xhumleku i sfungjerit, që ia mora kushëririt tim uha, që të shkoja e të konkuroja në Tiranë për tu futur në Akademinë e Arteve! Ashtu xhumleku nuk ka tani, sepse nuk ka as karrocierë tregtie. Vetëm ata mund të ta gjënin një xhumlëk të tillë kaq të bukur me vija.

Eh, çfarë të shtymjë kam bërë unë kur preva biletën e autobuzit për Tiranë! Jam krenar kur e kujtoj, sepse ia theva hundët një xhajë duke e shtyrë me kokë e me bërryla për t’u futur te sporteli. Ai xhaja, që ngordhalaq, nuk e preu dot biletën atë ditë, unë po! Lërë, lëre, sa i fortë kam qenë asokohe…

Eh, çfarë malli më ka pushtua për socializminr! Çfarë nostalgjie më ka zënë! Ka qenë tjetër kohe atëhere. Dhe ne, të tjerë njerëz, gjithashtu! Ishim të gjithë të rinj pavarsisht viteve që mbanin njerëzit në kurriz: njeriu i ri socialist.

Në mbyllje, dëshiroj t’iu rrëfej një episod, që përbën, si të thuash, sekret popullor, pra, nuk dua ta marrin vesh pushtetarët e asaj kohe, që ruanin në syrtare sekretet shtetërore. Nejse…

Kur mbarova studimet në Akademinë e Arteve, vajta të bëja ca lekë në Greqi. Shkuarja atje, nuk qe me avion, as me makinë, por që me këmbë, biles as me këmbë, por me stërvitje taktike, diku të përulur siç ecin kaçakët, e diku duke rrëshqitur barkas si zvarranikët, sepse bashkëudhetarit tim iu fiksua se do ta gjuanin ushtarët me snajper.

Më në fund ia dolëm të hynim në tokën helene, pa na gjuajtë me snajper.

Filluam punë. Vilnim ullinj në Zakinthos dhe paguheshim mirë.

Për çdo ditë, kur hanim, bosi na sillte dy litra vere, një pagure me vaj ulliri si dhe mish ose peshk me shumicë.

“Pini verë sa të doni” thoshte ai, “vetëm mos e teproni se do bini nga ulliri”. Mirëpo kishim një hallexhi më vehte që na u mërzit aq shumë sa pa u bërë java, deshi të ikte për Shqipëri. U mërzit pikërisht për shkak të ushqimit.

E quanin Emin. Gjithë jetën nuk qe ngopur as me bukë ky Emini.

“Çfar ke Emin, që je i mërzitur”, e pyeta.

Emini shau njëherë grekërit si nëpër dhëmbë e tha:

“Nuk hahet ky ushqimi i tyre, jo. U dogjëm për një domate turshi, për një gotë dhallë të thartë e për një lëng hoshafi..”

Pra, Emini, nostalgjinë për atë kohë e kishte ku e ku më të madhe se unë.

Deshi të ikte, por ne memzi ia dolëm ta mbanim. Dhe ai ndejti, e bëri vetëm për hatrin tonë.

Image result for foto nga komunizmi

Image result for foto nga komunizmi

Image result for foto nga komunizmi

Related image

Image result for foto nga komunizmi

Please follow and like us: