SHBA: Përgjigje masive ushtarake ndaj armatimit atomik të K. Veriore
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, i ka tërhequr vërejtjen Koresë Veriore se do të hasë në “përgjigje masive ushtarake” në rast të çfarëdo përdorimi të armatimit atomik, derisa tenisonet për shkak të provave raketore dhe atomike të Phenianit, mbesin të larta.
“Mos gaboni – çfarëdo sulmi kundër Shteteve të Bashkuara ose kundër aleatëve tanë do të mposhtet”, tha sot Mattis gjatë udhëtimit për në Seul të Koresë Jugore, ku mbahen bisedimet vjetore për mbrojtje, dhe ka shtuar se “çfarëdo përdorimi i armatimit atomik nga Koreja Veriore do të hasë në përgjigje masive ushtarake”.
Zyrtari i lartë amerikan, po ashtu, ka thënë se diplomacia mbetet “aksion i preferuar” por ka theksuar se “diplomatët tanë janë më efektivë kur mbështeten nga forca ushtarake e besueshme”.
Udhëtimi i sekretarit Mattis po bëhet para vizitës së parë zyrtare të presidentit amerikan, Donald Trump, në Korenë Jugore, gjatë muajit të ardhshëm, në kuadër të turneut nëpër Azi.