Letrat sekrete të dashurisë së Calvinos
“Dua të shkruaj për dashurinë tonë… dua të të dua duke të shkruar dhe asgjë tjetër…”. Kjo është vetëm një nga 407 letrat që shkrimtari dhe publicisti i njohur Italian Italo Calvino i shkroi të dashurës së tij, aktores dhe regjisores Elsa De Giorgi. Për tre vjet rresht ajo i lexoi kudo ato letra, në dhomat e provës në teatër, në rrugë, në kafenenë ku ulej gjithnjë me të, apo në shtratin e madh mbrëmjeve, teksa kërkonte ta kishte pranë… Calvino e takoi për herë të parë aktoren në vitin 1955, pas një shfaqjeje teatri. Në një nga letrat ai përshkruan fustanin e saj atë mbrëmje…diskutimet dhe duart e saj. Ajo ishte e martuar dhe disa vjet më e madhe se ai, por kjo nuk i pengoi që ata të jetonin atë pasion të fshehur. Botimi i letrave të shkrimtarit në 2004 nga Corriera della Sera do të hapte një diskutim të madh në shtypin italian, pasi në to përveç fjalëve të dashurisë, përfshiheshin dhe rrëfime për miq të shkrimtarit personalitete të kohës… Romanca e tyre, ndjehet dhe sot në fytyrën e Elsës nga fotot e asaj periudhe… Italo Calvino një nga romancierët më të rëndësishëm të letërsisë italiane të shekullit të XX, kandidat për çmimin Nobel në jetën e tij, ishte një udhëtar i dritës.
Duke dashur të shohë gjithnjë përtej së dukshmes, në letërsinë që shkroi ai na sjell atë ccfarë fshihet thellësive. Ashtu si në “Qytetet e padukshme” libër i cili ka ardhur dhe në shqip nën përkthimin e Viola Adhamit. Në një kohë kur bëhet gjithnjë e më e vështirë të jetosh në qytete, Calvino na i sjell ato në një rrëfim kaq poetik, sa të fton ti duash sërish. Çdo qytet ka një emër gruaje, çka e bën më te ndjeshëm historinë e tij. Por si lind një libër për Calvinon? Ja si e përshkruan vetë ai: ”Libri tek unë lind pak nga pak, me interval edhe të gjata, si poezi që i hedh në letër duke ndjekur frymëzime nga më të ndryshmet. Unë të shkruarin e kam të skeduar: mbaj shumë kartela ku vendos faqet që më rastis të shkruaj, sipas ideve që më vërtiten nëpër kokë, ose vetëm shënime të gjërave që do të doja të shkruaja. Kam një kartelë për sendet, një kartelë për kafshët, një për njerëzit, një kartelë për personazhet historikë dhe një tjetër për heronjtë e mitologjisë; kam një kartelë për katër stinët dhe një për pesë shqisat… Kur një kartelë nis të mbushet me fletë, filloj të mendoj për librin që mund të nxjerr prej saj…”. Nga të gjithë shkrimtarët italianë të pasluftës Italo Calvino është më aventurieri.
Ai shkëlqen me brilancën stilistikore të pangatërrueshme. Italo Calvino lindi më 15 tetor 1923 në Santiago de Las Vegas në një fshat afër Havanës (Kubë), ku i ati drejtonte një stacion eksperimental bujqësor dhe një shkollë bujqësore. Nga babai agronom dhe nëna botaniste ai mori një edukatë laike. Më 1925 familja kthehet sërish në Itali dhe vendoset në San Remo në vilën Meridiana ku ndodhet sot qendra e stacionit Eksperimental të Flori kulturës. Aty Calvino jeton deri në moshën 20 vjeçare. Pas mbarimit të shkollës së mesme, prindërit vendosin kundër dëshirës së tij që ai të studiojë Agronomi, studime të cilat i lë në gjysmë. Që në adoleshencën e hershme, kopshti plot lule ekzotike, librat në dhomën e ndenjes në shtëpi, kishin zgjuar tek djaloshi një pasion të fshehur për letërsinë. Nga 8 shtatori 1943-shit , Calvino mbasi i shpëton rekrutimit të detyruar në ushtrinë fashiste dhe duke përmbushur një dëshirë që e ushqente që në adoleshencë, bashkohet me partizanët e ushtrisë “Garibaldi” duke bërë kështu udhëtimin e parë drejt njohjes së botës së vërtetë njerëzore. Pas çlirimit ai bëhet pjesë e Partisë Komuniste Italiane, bashkëpunon me gazeta dhe revista dhe regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë në Torino, ku diplomohet më vitin 1947. Në Torino ai bashkëpunon me revistën “Politecnico” të Viottorin-it dhe bëhet pjesë e redaksisë së shtëpisë botuese “Einaudi”. Puna në këtë shtëpi botuese do të zgjojë tek Calvino dëshirën për parë emrin e tij në kopertinën e një libri. Por ndërsa në atë periudhë e kishte gjetur veten vetëm tek publicistika, Calvino nis të shkruajë letërsi. Më 1947 ai boton librin “Shtegu i folesë së merimangës”. Me këtë roman ai vlerësohet si shkrimtari i ri më i talentuar ndër shkrimtarët neorealistë. Dy vjet më vonë boton vëllimin me tregime “I fundit erdhi korbi” . Gjatë viteve 50-60-të Calvino është drejtor i shtëpisë botuese “Einaudi” dhe gjithnjë e më shumë bëhet i pranishëm në faqet e shtypit italian, duke u bërë protagonist i debateve të kohës. Ndërkohë në panoramën letrare italiane, pas botimit të përmbledhjes “Tregimet” (1958) dhe sidomos të vëllimit “Të parët tanë (1960), që përfshin trilogjinë e romaneve fantastikë dhe alegorikë për njeriun bashkëkohor “Viskonti i përgjysmuar” (1952), “Baroni kacavjerrës” (1957) dhe “Kalorësi i paqenë” (1959), shfaqet si më origjinali ndër shkrimtarët e rinj. Gjatë këtyre viteve boton dhe esenë e rëndësishme “Fuqia e luanit” 1955, si dhe përmbledh dhe përkthen “Përrallat italiane” që botohen në 1956 , vit në të cilin ngjarjet në Hungari e bëjnë të shkëputet nga partia komuniste italiane dhe të heqë dorë nga angazhimi politik. Mes viteve 1959-1967 drejton revistën kulturore “Il Menabo”, ku boton shkrime të karakterizuara nga një angazhim i llojit etiko-njohës si “Deti i objektivitetit (1959)” dhe “Sfida e labirintit (1962”. Më 1963 , vit i Neoavangardës, boton përveç “Stinët në qytet” edhe tregimin “Dita e një vëzhguesi” . Më 1964 hapet një fazë e re në jetën dhe karrierën e Italo Calvinos. Ai martohet me argjentinasen Judith Esther Singer dhe zhvendoset për të jetuar me të në Paris ku vijon të punojë për “Einaudi” dhe frekuenton ambientet letrare dhe kulturore avangardiste. Më 1965 lind vajza Abigail dhe del libri “Komikatkozmike” i cili pasohet më 1967 me “T me zero” ku shfaqet pasioni i tij rinor për teoritë astronomike dhe kozmologjike. Interesi i tij për problematikat e semiotikës dhe proceset kombinuese të rrëfimit, gjen shprehje dhe te “Qytetet e padukshme (1972), dhe “Kështjella e fateve të kryqëzuara” (1973). Gjatë viteve shtatëdhjetë, vite në të cilat ushqen një farë shprese tek arsyeja, ndonëse po vë re një degradim të përgjithshëm të jetës qytetare italiane dhe asaj botërore, Calvino boton mjaft shkrime, parathënie, dhe përkthime në shumë gjuhën gazeta të rëndësishme italiane. Më 1979 del romani “Nëse një natë dimri një udhëtar” i cili kthehet menjëherë në best seller. Më vitin 1980 ai zhvendoset në Romë dhe boton një përmbledhje të eseve të tij më të mira. Më 1984 kriza në shtëpinë botuese “Einaudi” e shtyn të kalojë tek Garzanti, ku përveç ribotimit të disa prej veprave më të rëndësishme boton dhe librin “Koleksione rëre”. Më 1985 mban një sërë konferencash në SHBA në Cambridge, në Universitetin e Harvardit, përgatiti “Leksione amerikane” një libër i cili mbeti i papërfunduar dhe u botua pas vdekjes së tij më 1988. Më 19 shtator 1985 Calvino vdes nga një hemorragji cerebrale në spitalin e Sienës. Pak kohë para se të vdiste shkrimtari ishte shprehur se donte të shkruante një libër me kushtuar pesë shqisave./shqip/