Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Akif Ersoj , shqiptari që krijoi himnin kombëtar turk

 

Mehmed Akif Ersoj, me prejardhje shqiptare nga Shushica e Pejës, është një figurë e shquar në Turqi, një personalitet i dalluar në shumë fusha: besimtar, dijetar, akademik, poet, shkrimtar, politikan, pedagog dhe deputet. Ai njihet në Turqi si autor i Himnit Shtetëror dhe për këtë admirohet si një shenjtor…

Ndërsa në Shqipëri njihej pak, dhe për këtë arsye Fondacioni Alternativa e së Ardhmes “Alsar” dhe Bashkësia e Sindikatave Arsimore “Eğitim-Bir-Sen”, në mars të vitit të kaluar kanë gjetur mënyrën për ta sjellë atë në shqip, me një vepër voluminoze dhe një seminar dy-ditor të organizuar në Tiranë ku referuan profesorë, akademikë, studiues e historianë të mirënjohur nga rajoni i Ballkanit dhe Turqia.

Historia e Himnit Turk

Në vitin1921, me kërkesën e ushtarakëve, Ministria e Kulturës u dha gazetave të datës 7 nëntor një njoftim, ku bëhej e ditur se :”Shpallet konkurs për Marshin e Pavarësisë dhe se për fituesin e tekstit dhe melodisë do të jepej nga një shpërblim prej 500 lirash”. Në qendrën e konkursit u paraqitën mbi shtatëqind tekste, por, me gjithë këtë, komisioni vlerësues nuk pranoi asnjë poezi, sepse asnjë prej tyre nuk plotësonte  kriteret e kërkuara, që të zgjonte ndikimet e dëshiruara. Atëherë, Hamidullah Suphiu, që ishte ministër i Kulturës, me gjithë komisionin vlerësues, iu drejtuan Mehmed Akifit, që të shkruajë poezinë. Mehmed Akif Ersoj, iu përgjigj ministrit se poezinë do ta bënte, por se ai nuk shkruante për para. Kur ministri me bashkëpunëtorët i premtuan se “nuk do t’i jepnin shpërblimin edhe nëse do të fitonte, ai me këtë kusht, shkroi tekstin.

Marshi i Pavarësië (Istiklal Marshi), i shkruar nga Mehmed Akifi, u lexua në Kuvendin e Madh të Kombit (Parlamenti Turk) më 1 mars 1921, dhe po më 21 mars 1921 u pranua dhe u votua zyrtarisht. Kur zyra e llogarisë e Kuvendit të Madh e ftoi të merrte shpërblimin, Mehmed Akifi i mori pesëqind lirat, por menjëherë ua shpërndau fukarenjve e jetimëve përmes Institucionit Bamirës “Daru’l Mesai”.

Krijimtaria letraro-artistike

Mehmed Akif Ersoj, përveç shërbimeve që bëri në Turqi, siç tregohet në jetëshkrimin e tij, është marrë edhe me krijimtari letrare dhe artistike duke lënë si trashëgim një thesar të tërë, një pasuri që mund të ndahet në dy kategori: Veprat e shkruara në vargje ose veprat poetike dhe veprat e shkruara në prozë. Veprat e shkruara në vargje janë të përmbledhura me një emërtim të përgjithshëm “Safahat” ose “Fletët”. Kjo është një përbledhje librash poetikë në shtatë shtatë libra me emërtime të veçanta: Safahat, përmbledhje me 44 poezi; me 3084 vargje; Në Katedrën e Sulejmanijës, 1 poezi, me 1002 vargje; Zëri i së Vërtetës, 10 poezi, 482 vargje; Në Katedrën e Fatihut, 1 poezi, 1692 vargje; Kujtimet, 10 poezi, 1314 vargje; Asimi, 1 poezi, 2292 vargje; Hijet, 41 poezi, 1374 vargje etj.

Në këto vepra, thënë me pak fjalë, trajtohen çështje njerëzor, shoqërore dhe shprehet mahnitja, admirimi, ndaj forcës qetësuese, ngushëlluese të besimit dhe ndaj të fshehtave të botës hyjnore. Përveç shtatë veprave me poezi, të cilat kanë mbi 10.000 vargje, Mehmed Akifi ka botuar edhe gjashtë vepra në prozë, titujt e të cilave janë: Tefsiret ose Komentet e Kur’anit; Vazët apo predikimet; Artikujt; Përkthimet; Veprat ose shkrimet tjera; Letrat.

Ndonëse i lindur në Stamboll, Turqi, ai ka pohuar me krenari se është shqiptar. Mehmed Akif Ersoj në shumë shkrime përmend Shqipërinë, Kosovën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën.

Është e njohur poezia me titull “A s’e njeh? Kosova”! Ndërsa, në një poezi tjetër, ai shkruan: “E mos u përçani mes vete, / e të dobësoheni e ta humbni fuqinë…/ A ende të përfytemi?/  “Kur individët të thonë “unë e “ti”, bashkimi prishet/ Dhe atëherë për kombet kijameti fillon!/ Zbrit në të shkuarën dhe shëtiti/ Të gjitha kohët e shkatërrimeve/ Do të shohësh se ligji i Allahut nuk ndryshon…!

Mehmed Akif Ersoj ishte burrë edhe i idesë, edhe i shoqërisë. Ishte i vendosur, besnik, modest, serioz, i guximshëm, trim e i qëndrueshëm… Thënë shkurt, ai bindjet e tij i kishte ndërtuar mbi një formulë të thjeshtë me një fjali: “Fe, baras Moral, baras Atdhedashuri, baras Dituri…”

                          Kush ishte Mehmed Akif Ersoj

 Lindi në Stamboll më 20 dhjetor 1873 në një familje besimtare, intelektuale. Babai i tij ishte Tahir Efendiu, një myderriz i njohur në Medresesë e njohur “Fatih” të Stambollit. Tahiri kishte lindur në Shushicë të Pejës.

Mehmed Akif Ersoj,  mësimet fillestare i kreu në “Iptidaijen,”  “Ruzhdien” e “Idadijen”.

Në vitin 1893 diplomohet në Fakultetin e Veterinarisë, ku ishte shpallur studenti më i mirë. Krahas mësimeve, studimeve, Mehmed Akifi në Medresënë “Tabhane” të Stambollit mësonte gjuhën arabe. Mësoi përmendësh Kur’anin e Shenjtë, e mori titullin Hafiz i Kur’anit.

Në vitin 1894 filloi punën si inspektor i veterinarisë, ku iu dha rasti të shëtisë e vizitojë shumë qytete e zona të ndryshme të shtetit në Anadoll, Arabi, Rumeli dhe në Shqipëri.

Në vitin 1918 u emërua kryesekretar i Këshillit të Lartë Islam (Daru’l Hikmeti’l Islamiyye).

Në qershor të vitit 1920 u zgjodh deputet i Burdurit dhe u pranua nga Kuvendi (Mexhlisi).

Në shtator të vitit 1922, Mehmed Akifi u zgjodh anëtar i Akademisë së Studimeve Islame.

Prej vitit 1925 deri më 1936, Mehmed Akifi ka jetuar e punuar në Kajro, ku shërbeu si profesor i turqishtes në Universitetin e Egjiptit.

Ndërroi jetë më 27 dhjetor 1936 në Stamboll, në moshën 63-vjeçare. Mbahet mend se është varrosur me nderime të mëdha ku merrnin pjesë mijëra studentë e besimtarë, të cilët, në shenjë nderimi, e mbajtën për orë të tëra në krah deri sa e çuan në Varrezat e Dëshmorëve në Edirne Kapi.

Please follow and like us: