Albspirit

Media/News/Publishing

Një roman psikosocial ku dialogjet intesivë zbulojnë kthesa të papritura dramatike

 

 

Qazim D. SHEHU

 

Romani “Sekreti i dashurisë”i autorit të talentuar Sokol Pepkolaj, trajton aspekte të realitetit të trishtë shqiptar në një vit të zi, siç ishte viti 1997, pasojat e të cilit ndihen edhe sot, e me sa duket, do të vazhdojnë për një kohë të pacaktuar. Edhe pse i referohet një viti, ai e tejshtrin vështrimin prej prozatori në gjithë atë botë njerëzore që ngërthehet nga krimi, interesat, pabesia dhe halucinacione të tjera të një shoqërie që vrapon në kërkim të identitetit të vet shpirtëror e social. Kuptohet, në një sfond, që afron një horizont të pritshëm shprese është dashuria, ajo, që motivon një pjesë të personazheve për të dalë nga kurthi i absurdit në të cilën gjenden papritur dhe e hedhin vallen sipas tij. Në qendër të romanit është një familje e cila humb pasurinë, po rreth saj vërtiten edhe personazhë të tjerë, duke sjellë kështu idenë se familja dhe shoqëria ndodhen gjithnjë në korrelacione që interferojnë njëra tjetrën. Autori, Pepkolaj, me një penë të zhdërvjelltë, arrin ta portretizojë përmes një ankthi ekzistencial pikërisht këtë dhe  ta fokusojë problemin në mënyrë të tillë që të zbërthejë filozofinë sociale të një shoqërie që nuk arrin ta kuptojë atë e, për pasojë, mjaft personazhe bëhen viktima të këtij moskuptimi. Dialogjet intensivë që i ngjajnë gjuhës së përditshme bëhen kështu të gjallë dhe shprehës dhe krijojnë një temporitëm të shkëlqyer rrëfimor duke krijuar rrjedhshmërinë e një realiteti perceptues e ndiesor. Këto dialogje shprehin gjithë atë botë psikosociale, trazimin shpirtëror dhe ëndrrat, apo kthesat e papritura që marrin personazhet. I gjithë qëllimi autorial është të na tregojë dhe të shprehë trazimet shpirtërore përmes të papriturave dramatike, të shprehë atë botë të rinjsh, kuptimet dhe moskuptimet, dashurinë e tyre, vonesat dhe kundërshtitë që mbart kjo dashuri, e cila çon në humbje fatale ose shpëton me vështirësi të idhtë. Ajo që të bën përshtypje është kursimi i të shprehurit, çfarë flet se Sokoli e zotëron masën e të rrëfyerit në mënyrë të mirë që vjen nga intuita e zhvilluar e një artisti, nga shenja e një prozatori të së ardhmes. Dialogjet që herë herë janë si heminguejanë, me nëntekste, të shkurtra dhe lakonikë, shprehin gjithë atë arsenal shprehjesh duke përcjellë ankth e mendime të thukta që shpalosin mendësi dhe qëndrime të ndryshme;në roman përshkrimet janë të pakta, personazhet portretizohen nga ajo që thonë përmes motivimit të tyre shpirtëror. Ky motivim nuk është i thjeshtë, përkundrazi kalon përmes dritëhijeve dhe patologjisë së ndonjërit, siç është Arjani, një personazh i lig, i vizatuar me ngjyrat më të zeza duke sjellë kështu në galerinë e personazheve të romanit një tip Sekreti i Dashurisë 5 të konturuar me ngjyrat më të errta. Përballë tij vihet Ermiri, një personazh që ndërtohet bindshëm, me bukuri shpirtërore, po që i duhet të kalojë një kalvar vuajtjesh dhe fati ta sjellë që të gjejë shpresën dhe lumturinë e vet. Ai krijon një kontrast me Arjanin dhe lexuesit i vjen mbroth që e mira triumfon mbi të keqen dhe kjo ndodh në atë që quhet sekret i sekreteve:dashuria për jetën, dashuria si dashuri e cila nuk mund të mbrohet, veçse me vendosmërinë dhe qëndresën shpirtërore. Një veçori tjetër e romanit të Sokol Pepkolajt është struktura. Është një strukturë e ndërtuar mbi copëzimin duke sjellë fragmentarizimin e një shoqërie që degradon përmes moskuptimit apo keqësisë ku ndodhet, është një strukturë që ta siguron tipologjinë e modernitetit dhe tregon sesi mund të shkruhet një roman ndryshe duke mbajtur në vëmendje idenë qëndrore e cila nuk është e lehtë të zbulohet pa e mbaruar gjithë romanin;kjo është meritë e autorit që di ta mbajë në tension rrëfimin dhe ta sjellë këshërinë e lexuesit në mënyrë të atillë që ajo të rritet vazhdimisht. Struktura ndërtohet mbi parimin e mozaikut dhe krijon një polifoni shumëzërëshe në ansamblin e një vendosjes së personazheve të ndryshëm. Ky ansambël personazhesh tejshtrihet në mënyrë të tillë për të krijuar përmes tyre portretin kolektiv të shoqërisë, e cila sillet edhe përmes tyre. Meritë tjetër është se autori vjen nga një njohje e thellë e atyre gjërave që përshkruan, të cilat i njeh dhe i shtjellon me gjuhë lakonike të dialogut. Të bën përshtypje gjuha e të rinjve, ambientet ku ata lëvizin, mjediset e ngjyruara me korrektesë dhe që ta sjellin përqasjen me terrene dramatike ku lëviz rinia jonë, një rini shpesh e çinteresuar, e dhënë pas qejfeve apo kotësisë, pas delirit dhe moskuptimit, e hutuar në gjetjen e vetes së vet. Është meritë e tij që, pikërisht këtë ta japë me kolorin e nevojshëm të detajeve dhe të shprehjes autentike. Autenciteti i rrëfimit e sjell këtë për bukuri. Shija e hidhur që të lënë këto ambiente, bota e krimit dhe vrazhdë- sia e sjelljes së disa personazheve, natyrisht nuk mund të bëhen pa gjetur elementin kompozicional ndërlidhës, atë element që e mban strukturën në këmbë dhe krijon kështu arkitekturën e nevojshme romaneske. Kjo është shamia e Ermirit që gjendet tek Bashkimi i vrarë. Ky element kompozicional bën që ngjarjet të shkojnë jo vetëm drejt enigmës po edhe drejt rritjes së tensionit që vjen nga e papritura. Këto kthesa na bëjnë me dije se diçka do ndodhë, se fati i personazheve mund të marrë kahe të paparishikuara etj. Elementi kompozicional shërben si një pikë mbështetëse ku rri ngrehina e romanit. Vonesat dhe koha e rrëfimit gjithashtu janë disa teknika që tashmë njihen në letërsi. Vonesa nganjëherë bën vendosjet e ndryshme të shtresëzimeve ideore dhe thellon jo vetëm shtratin e rrëfimit, po krijon mundësi për vertikalitet të ndjenjës dhe rritje të ankthit. Këtë teknikë, autori e njeh mirë, ashtu siç di të coptojë kohën rrëfimore dhe ta bashkojë atë në tërësinë e romanit. Koha ngërthehet në shkurtësinë e zgjatjes së veprimit, në ndërkëmbimet e situatave dhe njëherit e krijon një tablo të horizontalitetit copëzues dhe të thellësisë shprehëse. Ne mund të themi se Sokol Pepkolaj me këtë roman arrin të mbajë gjallë  atë që në letërsi quhet fiksion. Trilli dhe imagjinata e tij shprehet bukur në krijimin e situatave dramatike, në mbajtjen gjallë të bukurisë së ëndrrës në një mjedis gri dhe të involvuar nga pasthirrmat çjerrëse të instiktit vrasës. Kjo është meritë, ashtu siç është meritë edhe ideja e shtjelluar artistikisht se shoqëria nuk mund të nënshtrohet ndaj këtij instikti vrasës edhe pse ai shprehet me kryeneçësinë e tij… Gjuha e Pepkolajt është e mbushur me shprehje tipike të rinjsh. Sa ç`mbart një zhargon të frustuar nga nxitimi dhe lirshmëria midis të rinjve, aq e mbart edhe thjeshtësinë, konkretësinë, duke synuar të japë gjithë botën mentale të këtyre njerëzve. Ajo është e mbushur me fjalë e shprehje të veçanta të kuptueshme dhe me intesitet rritës të energjisë së fjalës, larg manierizmave apo përpjekjeve të kota për abstraksione apo teprime figurative. Kështu, Sokol Pepkolaj me romanin e tij të ri tregon se di ta japë situatën rrëfimtare mirë, të japë një narracion të qepur me fijet e ideve, të shprehë gjendje dhe situate deri në kufijtë e një tragjizmi, pastaj ta afrojë jetën në mundësi të zgjidhjes e të kumtojë mesazhe humane e paqësore edhe pse përshkruan një kohë të vështirë me situata acaruese e dhimbje të mëdha. Ai është prozator që premton, kërkon forma origjinale të strukturës, rrëfen lirisht pa paragjykim, jep situata dhe ndërton personazhe përmes ngjarjesh e sjellesh jo të rastësishme, po duke i vënë ato në hullinë e ideve artistike të mirëfillta. Kështu, romani i tij lexohet me një frymë dhe rrjedh në një reliev subjektor të përthyer duke iu shmangur njëtrajtshmërisë. Është një roman plot intonacione rinore, fate dhe njerëz që i mbartin këto fate duke luftuar çdo ditë për një jetë më të mirë. Pepkolaj ia arrin që, sa ç`jep realizmin ngjethës të kohës, aq të japë romantikën e ditëve më të mira përmes ëndrrës dhe dëshirës për ta parë këtë ëndërr të realizuar, siç ndodh me personazhet e tij, të cilëve ai u jep mish e gjak përmes fantazisë dhe një frymëzimi të fortë e spontan… Këtë roman duhet ta lexojnë së pari, të rinjtë për të parë veten në të. Duhet ta lexojnë ata që e kanë kaluar një situatë të vështirë në jetë për të mësuar për qëndresën dhe durimin moral;ata të cilët kanë nevojë për të kuptuar ngatërresën e shoqërisë dhe kapërdimjet e saj traumatike, sepse është një roman sa realist, e vetkuptohet nga kjo, pasqyrues, e, në këtë pasqyrim gjejmë veten dhe motivohemi për një sjellje sa më racionale në jetën tonë jo të lehtë. Por ai duhet lexuar për të kuptuar edhe intesitetin rrëfyes dhe dramacitetin përmes fjalës estetike të vlertë…

Please follow and like us: