Agron Duka: Apel për njeriun e pambrojtur në Tepelenë!
Kushdo që ka kaluar Tepelenën me makinë, besoj i ka rënë në sy një qënje krejt e vetmuar që qëndron gjithë kohën palevizur, i cili në pamje të parë duket si një pemë e mbirë rastësisht në anë të rrugës. Bëhet fjalë për një njeri me aftësi të kufizuara mendore, që rri e sheh makinat që kalojnë, me një qese plastike në dorë, të mbushur me copa buke e mbeturina ushqimesh. Sa herë më bie rruga shpresoj që dikush të jetë kujtuar dhe ta ketë marrë nën përkujdesje, por gjithmonë e shoh në të njëjtin vend. Nuk besoj të ketë njerëz të afërm, por si ka mundësi që strukturat shtetërore, ata që e kanë për detyrë, të tregohen kaq indiferentë e të mos bëjnë atë që i takon, detyrën. Të thuash që nuk e kanë vënë re është e pamundur, sepse ky i mjerë qëndron në të njëjtin vend, sapo kalon rrethrrotullimin e Tepelenës në drejtim të Gjirokastrës, qëndron në shi, në zhegun e vapës së gushtit, kohë kur shumë nga pushtetarët kalojnë në atë rrugë me makina luksoze me destinacion plazhet e Sarandës e të Greqisë. I bëj thirrje atyre që i takon të meren me këto raste, besoj spitalet shtetërore ose qendra të ngritura posaçërisht, të merren me rastin në fjalë sepse flitet për një qenje njerëzore, bir i perëndisë, që meriton të trajtohet si i tillë. Në rast se vdekja e gjen në ato kushte, në rrugë, të pangrënë, të paveshur, të zhuritur nga vapa përvëlonjëse apo të ngrirë nga të ftohtit, përgjegjës do jemi të gjithë dhe fantazma e këtij të mjeri do na ndjekë sa herë të kalojmë në atë rrugë. Përsa më takon jam gati të kontribuoj me sa mundem.