Albspirit

Media/News/Publishing

“Balilët” vazhdojnë punën, sepse “debilët” po merren me “Habilët”

Pandeli BARDHI

Në skenën politike të kësaj periudhe më shumë se një çerekshekulli, i vetmi “ndryshim” që ka sjellë demokracia, është krijimi në mënyrë “demokratike” i bandave dhe banditëve të pafund! Askush në këtë vend, nuk është i qetë. Nuk është i qetë jo më shumë nga fukarallëku e mjerimi, as nga hallet e shumta personale e familjare që secili përballon në jetën e tij të përditshme. Kot lodhet edhe opozita që “bllacet” gjithë ditën që “më shumë se pesëdhjetë përqind e qytetarëve, duan të largohen nga ky vend për shkak të keqqeverisjes”! Opozitarë me pak mend dhe jo opozitarë “parashkollorë” si Basha, e kuptojnë që keqqeverisja është “shtysa” e fundit që qytetarët largohen nga vendi i tyre”! Afro dhjetë herë ka votuar ky popull e këta qytetarë dhe asnjëherë nuk kanë parë një Shtet që të paktën të binte pak erë Shtet, që nga njëqind “pjesë përbërëse” të themi, të kishte njërën prej tyre të saktë! Më kot mundoheni ju qytetarë të kërkoni “gjilpërën në kashtë”! Edhe sikur njëqind herë të votohet për një qeverisje më të mirë, kurrë nuk kemi për ta arritur përderisa nuk luftohet nga të gjithë për Shtet të vërtetë ligjor, por votohet për të rrëzuar një bandë e për të sjellë në pushtet një bandë tjetër!

… “Ky stan, këtë bylmet ka”! Po pse ndodh kjo? Sipas mendimit tim, e kam thënë edhe herë të tjera që në fillimet e demokracisë, tek ne, nuk erdhi në krye një Shtet i së drejtës, një Shtet demokratik, natyrisht, jo i përsosur, por me vullnetin e mirë për të bërë shtet. Por, ja që erdhi një “bandë” e cila përfaqësoi jo interesat e shumicës së qytetarëve të lodhur nga Diktatura, por përfaqësoi vetëm interesat e një pjese të militantëve dhe simpatizantëve të saj! Në diktaturë ishin të shumtë ata që kishin vuajtur e kishin hequr të “zitë e ullirit” por “banda” që erdhi në pushtet, nuk i pa të gjithë me të njëjtin sy!  Në këto kushte meqenëse kjo bandë” bëri shumë kundërshtarë, përfshi edhe me ata të vuajturit në Diktaturë dhe që u zhgënjyen shumë shpejt, edhe këta filluan të organizohen në “Banda”, por me një emërtim tjetër më të moderuar, me emrin “Parti”. Kaloi më shumë se një çerek shekulli dhe gjatë kësaj periudhe, janë krijuar dhjetra e dhjetra parti që një dreq e merr vesh sa janë! Çfarë janë këto parti? As më shumë e as më pak, janë “Banda” për të mbajtur popullin të përçarë, ku çdo “Bandë-Parti”, del në “pazar” dhe kërkon simpatizantët e saj, kërkon “besnikët” e saj që ta mbështesin në fushata elektorale! Këto banda politike nuk mund të veprojnë e të mbijetojnë pa patur edhe “bazamentet” e tyre që i mbajnë gjallë. Këto “bazamente”, janë ai ekonomik dhe ai “ushtarak”! “Bazamenti ekonomik, janë bizneset dhe biznesmenët e vegjël të mesëm apo të mëdhenj, të cilët, sipas simpatisë së tyre për “bandën parti, duhet të sigurojnë të ardhura për të bërë një fushatë “të ndershme” që populli të shprehi “lirisht” vullnetin e tij! A i keni parë krerët e bandave parti që në fushata parazgjedhore shkojnë si “lypsarët” tek bizneset për të siguruar të ardhura? Njëra dorë lan tjetrën, të dyja “lajnë “faqen” Shtet! Më ndodhi njëherë të udhëtoj me një kandidat për deputet, i cili nëpërmjet telefonit, jepte porositë e fundit: “Më dëgjoni? Do të çoni në fshat dhjetë thasë me miell dhe gjashtë me oriz e po të jetë nevoja, çoni edhe nja dy tre thasë sheqer”! “Për vota këto”?, them. Jo! Jo! I kam dhënë fjalën, se janë fukarenj…! Këta “xhymertë” të tillë që i derdhin thasët me miell, janë të bindur që nesër këta thasë do t’i sjellin “fabrikën” e miellit! I marrin këta atje ku kanë mbështetje dhe ja japin “fukarenjve”, ku nuk e kanë të sigurt fitoren! Nesër, bizneset i kërkojnë përfaqësuesit të popullit që t’i lërë “rehat” në punën e tyre e të fitojnë me ç’të mundin, vetëm ligj të mos zbatojnë! Kur këto të ardhura nuk janë të mjaftueshme për “bandën Parti” menjëherë vihen në lëvizje bandat “ushtarake” që këto të ardhura i krijojnë me anën e dhunës, të vjedhjeve, të lëndëve narkotike të trafikimit, të falsifikimeve, të kërcënimeve që u bëjnë bizneseve të kundërshtarëve etj., etj. A e shihni pra mënyrën e organizimit të këtij shteti bandë, njëzet e shtatëvjeçar? E keqja buron nga ky sistem, i cili duke qenë se është ndërtuar i tillë qysh në fillimet e tij, do të “pjelli” banda e banditë të shumtë. Nuk janë fajtore dhjetrat e bandave të organizuara në këtë më shumë se një çerek shekulli si ajo e “Colajve” e “Mirit të Xhikes”, “e “Kateshit”, e “Shullazit”, e “Aldo Bares”, e “Kartodromit”, e “Berishës”… e deri tek e fundit e “Habilajve”! Këto banda që janë “bija” të bandave politike, kanë programet e tyre, kanë objektiva konkrete, kanë qëllimet e tyre strategjike të afërta dhe të largëta. Pra, kush i organizon këto banda që dalin si “krimbat pas shiut” sa herë që bandat politike, partitë me emra të bukur dhe “europiane” kanë nevojën e tyre?

Në rrugën e gjatë një çerek shekullore, shumë banda kanë “firaksur” në sasi e cilësi, por rruga e tyre e përsosmërisë dhe përshtatjes në kushtet e krijuara, vazhdon. Edhe “bandat parti të veçanta, kanë mbetur rrugës dhe kanë mbetur vetëm krerët e tyre banditë apo “kryebanditët”. Të gjithë i shohin sot “kryebanditët” e bandave parti, që megjithëse anëtarët e tyre i kanë “mbjellë” rrugës, për veten e vet, përpiqen të gjejnë një “strehëz” ku ka ndonjë karrige “bosh” sa për bythën e tyre! Të tillë, janë të shumtë dhe qytetarët i dinë mirë se cilët janë që i kanë lënë me gisht në gojë, që i kanë zhgënjyer! A ka dëgjuar kush deri më sot që një parti bandë, të denoncojë bandën e vet që i ka siguruar mbështetje financiare në fushatën elektorale bandës “mëmës” edhe duke e ditur që kjo bandë kryen krime e trafiqe të jashtëligjshme? Kur banda parti humbet në fushatën elektorale, atëherë ajo, “bandat” ja faturon kundërshtarit të cilët, “erdhën në pushtet, me ndihmën e bandave, me paratë e krimit, të drogës të prostitucionit”! O Tempora o Mores! Sikur opozitarët e sotëm të kishin fituar pushtetin, a e kuptoni se si do të flisnin me gjuhën e Bashës? Basha, në “djepin” e tij të “bebes” “qan” kur është në krahun e majtë dhe “qesh” kur është në krahun e djathtë. Këto “qarje” ai i ka standarde!

“Betejat, të dashur qytetarë do të vazhdojnë edhe më të ashpra në të ardhmen! A e dini pse? Sepse bandat e të gjitha llojeve, nga njëra anë gjoja sikur luftohen, nga ana tjetër mbështeten e favorizohen. Kurrë nuk do të gjejmë qetësi me këtë metodë të të luftuarit të bandave e banditëve të të gjitha ngjyrave. Në këtë palo sistem që na ka servirur kjo klasë politike, kemi dëgjuar e vazhdojmë të dëgjojmë vetëm “shou”që janë pjella të këtij sistemi. Këto “shou” janë bërë si ato letrat me numra në kazanin e madh që kërkojnë “bingon” e radhës! Nuk ka zot që të numërojë “shou”-t e këtyre njëzet e shtatë viteve. Skandalet plasin njëri pas tjetrit. Skandali i përgjimeve, skandali i vjedhjes së thesarit, skandali i vjedhjes së bankave, skandali i industrisë së lëndëve narkotike që janë bërë të përditshme, skandalet me krime nga më makabret, skandalet e përdhunimeve, skandalet e korrupsionit, skandalet e pushtetarëve e politikanëve të lidhur me krimin…

Nuk numërohen skandalet! Sistemi “Skandal”, ha “mishin” dhe” kockat” skandale, i hedh sa andej këtej. Turren më pas pushtetarë, politikanë, opozitarë, mediokër, gazetarë, analistë televizione, injorantë që nuk kanë “haberin” nga politika etj., etj., dhe “përleshen” me njëri tjetrin që kush e kush t’i “rrëmbejë” këto “kocka” disa për t’i “lëpirë” e disa të tjerë për t’i shtypur! “Kocka” e rradhës që ka flakur Sistemi “hamës” është ajo e “Habilajve” dhe çështja “Tahiri”! “Çështja “Hablili” ka bërë atë që të harrohet ajo e “Balilëve” e shumë e shumë “Balilë” të tjerë që veprojnë në qetësinë e tyre të bëjnë punën “me qetësi e dashuri”sepse shteti është “i zënë”, shteti e ka “ujin në misrit”! “Debilët”, prokurorë e gjykatës, që kanë fshehur sa e sa dosje skandalesh, nuk e kanë mendjen t’i luftojnë ato me forcën e ligjit, sepse edhe këta janë në hall, se si do të vejë puna e tyre në të ardhmen! Prokurorë e gjykatës presin kur t’i zgjojë drejtësia e Shteteve fqinje, sepse vetë nuk marrin mundimin të zbulojnë, të hetojnë e të çojnë deri në fund çdo skandal që plas, për të krijuar bindje tek qytetarët që “këtu ka Shtet, këtu ka Drejtësi”! Dolën këta prokurorë edhe në çështjen “Hablili”, çështje të cilën ja servirën të huajt, dhe prandaj kjo i ngatërroi edhe më keq, duke u ngatërruar me “këmbët” e tyre dhe më shumë se profesionistë, u treguan qesharakë dhe të paaftë. A mund të ndërtohet Shtet ligjor, me këtë Kryeprokuror të Krimeve të Rënda, që bën “detyrën” e qytetarit dixhital të Saliut dhe jo detyrën e tij sipas ligjit? Qesharakë të tillë, Llalla ka “mbjellë” me shumicë”! Politika e bandave parti drejton e komandon edhe drejtësinë e aq më tepër një politikë e mbrapshtë që qëllim të vetëm ka ardhjen në pushtet. Edhe çështja “Balili” për prokurorinë nuk ka asgjë “të re”, përderisa nuk ka ardhur akoma ndonjë material nga Shteti fqinj. Vazhdo punën i qetë ti “Balil” e ju “balilë” sepse tani për tani jemi të angazhuar me “Habilët” dhe të shohim, do ta shpartallojmë këtë bandë apo do të na shpartallojnë ata ne!

Po qytetarët, te kush të kenë besim? Mos vallë duhet të kenë besim tek një fletushkë gazetë e opozitës që çdo ditë në faqen e saj të parë vetëm nxin duke nxjerrë vetëm pranga, litarë dhe qeli të errëta? O zot, çfarë mllefi kemi grumbulluar në shpirt dhe kërkojmë që me këtë mllef të grumbulluar në shpirt nga humbja e pushtetit, të luftojmë krimin dhe kriminelët, të këqijat që nuk po i ndahen këtij populli e këtyre qytetarëve! Me këtë metodë pune, me këtë mënyrë për luftën kundër bandave dhe skandaleve që plasin njëri pas tjetrit, askush nuk ka besim që në të ardhmen do të luftohen. Kjo, për të vetmen arsye, sepse jemi të një lloji të veçantë nga të tjerët, ku një pjesë, bandat dhe banditët e sjellin në pushtet, dhe një pjesë tjetër, bandat dhe banditët i rrëzojnë nga pushteti! A do të vijë një ditë që të shkulim të keqen nga rrënjët? Të shohim e të presim, sepse… “Shpresa vdes e fundit”!

Please follow and like us: