Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Mos urre Fejsbukun zemër, mjaft me urrejtje!

 

Dje u nda nga jeta një gazetare e re dhe as që diskutohet që është një dhimbje. Një jetë e këputur mes qindra planeve ia dyfishon kobin vdekjes. Për më tepër kur e kemi bërë të udhës të solidarizohemi në një lloj horie të ”dhunshme” të një dashurie të cilën dime ta shfaqim si duhet vetëm pas vdekjes.
Sado që nënat tona thonë shpesh që, duam sa më ke, mos u kujto për këtë kur mos të jem më. Por tek ne vepron më shumë e kundërta se sa e mbara. E çuditshme! Të bën të mbledhësh supet. T’i nënshtrohesh! Kjo ndofta na ka çuar edhe në atë garën të tregojmë se kush do më bukur. Se sa e madhe ka qënë dashuria jonë. Kjo ndofta na shpie edhe tek gara tjetër, se, kush mund dhe e bën qivurin më të bukur a më të shtrenjtë. Dhe po të vazhdojmë kështu, edhe pak dekada ta dini, qytetet më të bukura tek ne, për nga shkëlqimi i mermerit, kangjellave, do jenë qytetet e të vdekurve. Bota ka kohë që i ka kthyer në lëndina. Ne na rroftë shprehja, i lehtë të qoftë dheu i lëndinës.
Para pak ditësh u nda nga jeta dhe Robert Elsie. Një qytetar kanadez i dashuruar me albanologjinë. Me shqiptarët. Vloi horia e patriotëve sa ta shpifnin kur thoshin do ta varrosim këtu, amaneti i tij të varroset në Shqipëri. Ta varrosim. U vendos do varroset tek ne. Në të vërtetë ashtu është, ne të varrosim. Të varrosim të gjallë a të vdekur. Edhe pse kemi shprehjen prehet. Do të prehet, u prehtë në paqe. Ne, vrull varrosje, vrull xheneti. Mirëpo mes kësaj horie të djeshme, plasi edhe një kundër hori. Urrejtja për fejsbukun? Shumë njerëz shpesh i kundëvihen instrumentit, jo dorës, mendjes, a shpirtit që e luan keq. Pak sentimentalizëm, natyra, mali, shëtitja, qetësia e shprishur prej ikjes së realitetit. Dukesh simpatik, apo jo? Desha të them se nuk ka e ka fajin fejsbuku? Ashtu si shumë gjëra të tjera edhe ky i ururari fejsbuku, që i qofshim fal këtij djali nga Nju Jorku me emrin Mark Zuckerberg, është një mjet. Çdo njeri të mund të ketë televizionin e tij, gazetën a institucionin. Kaq. Dhe nuk ka më bukur. Dikur ishte privilegj i një pakice që e bëri komunikimin pushtet të katërt, po aq të pa sukseshëm sa pushtetet e tjera. E ka fajin kultura. Mendësia…, horia për tu dukur. Facebooku është një mundësi komunikimi. Kaq! Do e hap, do nuk e hap. Do e shikon, do nuk e shikon. Nuk bën zhurmë, nuk ta prish qetësinë fejsbuku, por mendësitë.
E sidomos dje kur bota shqiptare sapo bëhej gati të kacafytej me vendimin e fundit të Mustafait që, është apo nuk është hero Azem Hajdari? U desh të humbte me natë herët, ai shpirt i bukur që ne t’i shmangeshim Muçit. Ndofta Muçi ka qënë më i trishtuari dje. I iku dorësh zbulimi i fundit mbi heronjtë. Eshtë një instrument, një mundësi…, tjetër gjë se dikush e përdor me edukatën e fëmijës karshi lodrave, tjetër gjë se dikush e përdor me kënaqësinë kafshërore të vrasësve. Dhe tjetër gjë se ca mendojnë se ju kufizua pushteti mbi të drejtën për tu shprehur. I të drejtës se vetëm një pakicë që e ka aftësinë për të lëvizur si ta duan njerëzimin. Tjetër gjë se abuzuesve më të mëdhenj mbi qarkullimin e vlerave, u vjen plasja, rrahin dyshemenë me këmbë, duan që gjithçka ta dirigjoj mendja e tyre. Eshtë një larmi e madhe dhe koha po verteton se sa talente janë vrarë padrejtësisht për shkak të pritjes në radhë tek dyert e redaktorëve. Por kjo nuk ia vlen fare.
Ka plot pse të tjera që të dërrmojnë bashkë me vdekjen e një bukurie. Një nga këto është edhe kultura e të heshturit, një panik njerëzor në shqoërinë tone për të mbajtur të fshehtë sëmundjet. Shqiptarët e kanë frikë mjekun. Shkojnë tek mjeku kur takojnë vdekjen. Jetojnë me mendësinë mos trego, se sëmundja është turp. Ndofta mungesa e një edukate të tillë sjell shpesh situata ku edhe habitemi se si vdiq kaq papritur ky apo ai person. Këtu janë problemet tona, tek mendësia me të cilën jetojmë. Dhe këtu duhet t’i mëshojmë ndreqjes së vetvetes. Jo tek fejsbuku… a qetësia që na ”prish” ai.

Please follow and like us: