Albspirit

Media/News/Publishing

Kinemaja dhe teatri shqiptar në sytë e Reshat Arbanës

Image result for bardhosh gace

Prof.dr. Bardhosh Gaçe

 

(Shënime për librin “Reshat Arbana” Artist i Popullit të Albert Z. Zholit)

 

Në historinë dhe në jetën e popujve ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë faktorë të ndryshëm, të cilët i kanë kontribuar historisë, zhvillimit, kulturës dhe marrëdhënieve, që njerëzit krijojnë zakonisht me njëri tjetrin në rrugëtimin e zhvillimit. Në pjesët më të rëndësishme të zhvillimit shoqëror në të gjitha prerjet kohore një rol të rëndësishëm kanë luajtur individët e shoqërisë, të cilët me një korrektësi të pashmangshme mbartin dhe bëjnë vepruese cilësitë e kohës së tyre, por dhe zgjatimet nga ato vijnë, për të “ndërtuar” motive dhe për të ardhmen. Ndryshe historia njerëzore do të ishte pa të kaluar, pa motive dhe pa një taban mbështetës për të ardhmen.

Në kujtesën e njerëzimit vazhdojnë të kenë një vend të rëndësishëm reformatorët e mendimit, njerëzit e dijes dhe të kulturës, shkrimtarët, poetët, të cilët me kalimin e kohës, epokës së tyre i kanë dhënë emrin e tyre, imazhin e tyre, fytyrën e tyre, pra janë shndërruar në një lloj drite të fortë, e cila nuk mund të zbehet kurrë. Është kaq e vërtetë kjo, sa personaliteti i tyre është imponues dhe më jetëgjatë se ligji, për shkak se pjesa më e madhe e ligjeve në rrjedhën kohore të zhvillimit kanë ndryshuar, por nuk ka ndryshuar drita dhe forca e Dantes, drita dhe fuqia e Molierit, e Gëtes, e De Radës, e Naimit e A. Moisiut, e Tolstoit etj. Këto produkte kohore janë një imazh i krijuar përmes ligjeve progresive të shoqërisë së kohës, për t’u kthyer pastaj në një lloj metafore universal dhe komunikative e përhershme.

Për një raport të tillë të individit progresiv si produkt dhe imazh i kohës së tij mund të shkruash akoma më shumë, por në rastin konkret, ky mendim ka një specifikë të veçantë. Publicisti dhe shkrimtari i njohur, ndoshta nga më të dashurit për lexuesin shqiptar, i prirë pas imazhit dhe kulturës, Albert Z. Zholi i ka ofruar lexuesit shqiptar monografinë “Reshat Arbana” (Artist i Popullit). Komunikimi që ngjall emri i artistit të njohur Reshat Arbana nuk kërkon shumë mundim për të gjetur detaje dhe rrethana qoftë individuale, qoftë shoqërore, kohore apo të ndonjë natyre tjetër. Pjesa më e madhe shqiptarëve që kanë kaluar mesin e moshës janë rritur me imazhin tipik shqiptar që ka krijuar dhe tipizuar mimika, karakteri, shpirti dhe dimensioni aktorial i artistit Reshat Arbana.

Në gjithë këtë komunikim gati pesëdhjetë vjeçar të “Artistit të Popullit” Reshat Arbana, secili nga ne gjen diçka të rëndësishme nga jeta jonë, nga marrëdhëniet tona, të jetës familjare, të punës, të mjedisit dhe të psikologjisë. E them këtë, pa hyrë në detaje më specifike të librit, pasi personaliteti artistik i Arbanës është i papërsëritshëm, është e një plasticiteti në të cilin e ka gjetur veten çdo shqiptar. Duke qenë kompleks, për shkak të një talenti të spikatur, aktori Reshat Arbana ka sjellë në vëmendjen tonë koloritet, personazhe që mbartin peshën e historisë sonë të lavdishme dhe të vështirë, mjedisin punëtor dhe familjar, personazhin prototip që e ka penguar shoqërinë në zhvillimin e saj. Në një farë mënyre, përvoja aktoriale e Arbanës “qerthullon” një libër të madh të kinematografisë dhe aktorialitetit dhe teatrit shqiptar, të cilët i kanë afruar Shqipërisë imazhin e një kohe të kthesës më të madhe të historisë së saj ndër më të vështira, kur vendi kishte nevojë për kinema, për arsimim, për kulturë dhe dashuri njerëzore. Askush më mirë dhe më shumë se sa kinemaja nuk mund ta bënte këtë.

Monografia e shkrimtarit Albert Zholi kushtuar Artistit të Popullit Reshat Arbana përbën në këtëa spekt një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për të sjellë në një libër të shkruar mjaft mirë të jetës, përvojës, kujtimeve dhe angazhimit të aktorit të njohur, por duke qenë i hapur, komunikues, integral, duke qenë personazh aktiv i dy kohëve emblematike shqiptare, libri ofron njohje, këshillime, mësime, interpretime dhe vëmendje.

Gjatë gjithë rrëfimit, kujtimeve, dhimbjeve, trishtimit dhe emocionalitetit, lexuesi prek shqisën e një aktori të madh, në të cilin pleksen koordinatat e njeriut të thjeshtë, njeriut të imazhit, përfaqësuesit emocional të shoqërisë, artistit e njeriut me shqetësimin  e përditshëm të një shoqërie në zhvillim dhe progres.

Ndryshe kronikës së zakonshme apo të stilizuar, qoftë gazetareske apo shkrimore të ndonjë lloji tjetër, Albert Z.Zholi ka kuptuar mirë të gjendurit para artistit të madh, pasi koha, njerëzit, zhvillimi, konfliktet, ritmet e zhvillimit dhe ndryshimit, përmes dimensionit dhe ndjeshmërisë së artistit, vijnë nga një dimension tjetër sipëror. Kjo qasje reflekton në të gjithë monografinë, ku herë shfaqet artisti Arbana me një emocionalitet të veçantë dhe herë i është dashur autorit të lirit ta vendosë aty ku duhet ky emocionalitet dhe “xhevahir” tregimtar prej njërit nga aktorët mëepik të kinemasë dhe teatrit shqiptar.

Libri voluminoz “Reshat Arbana” (Artist i Popullit) është ndërtuar mjeshtërisht nga Albert Z. Zholi, për shkakun se ai i ka krijuar mundësinë artistit të jetë i gjerësuar, rrëfyes, i lirë dhe me një vertikalitet të dukshëm, ku rast pas rasti, ngjarje pas ngjarjeje, kohë pas kohe në jetën e artistit nuk mungojnë rastësitë, si njëri nga treguesit e rëndësishëm të njerëzve të këtij lloji. Autori i monografisë është në nivelin rrëfyes dhe të ndjeshmërisë së artistit të madh, pasi është jashtëzakonisht e vështirë për një monograf, sado i përvojshëm qoftë, të arrijë të përdorë mirë dhe ta bëjë kaq komunikativ gjithë atë që të jep në bisedën e tij një artist, në të cilin është pleksur rastësia me vullnetin për tu bërë aktor, është bërë bashkë jeta në rrjedhën e saj të vështirë dhe me befasitë e kohës dhe të fatit të vet, ku është pleksur ekuilibri që zakonisht është i vështirë dhe dramatik tek njerëzit e njohur dhe të mëdhenj në një kohë totalitare, ku është dashur të integrohesh në botën e artit duke ardhur nga një realitet tjetër i veprimtarisë, siç ka ardhur Arbana nga profesioni i mekanikut.

Përveçse monografia “Reshat Arbana – Artist i Popullit” është  shkruar me një stil befasues, pasi autori ka një kulturë të mirë për kinematografinë në kuptimin e plotë të fjalës, është një libër në të cilin ka një informim të rëndësishëm në një dimension të gjerë social, kulturor dhe kohor. Jeta me plotë ulje e ngritje, rrugëtimi në kinematografi dhe në teatër e një artisti, i jep lexuesit kronikën e kohës, e informon atë për gjëra fondamentale, për psikologjinë e individit dhe të shoqërisë, për zhvillimin në kuptimin e plotë të saj. Pa dyshimin më të vogël, fati i individit në të shumtën e herës reflekton prerjet e zhvillimit të shoqërisë.

Reshat Arbana e ka pasur pasion aktorialitetin, një pasion që e ka marrë rrugën e tij në mënyrë të rastësishme, por të pandalshme, me ç’rast lexuesi arrin të kuptojë karakterin e tij njerëzor. I lindur në kulmin e zhvillimeve botërore (1940), në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në periferi të Tiranës, në Arbanë, kujtesa e tij fëminore është një thesar emocionesh. Ai kujton me sytë e fëmijës qiellin me avionët e luftës, me pluhur e zhurmat e armëve, me trishtimin e të rriturve dhe pasigurinë që sjell lufta, me ankthin për të nesërmen, që tek fëmija nuk mund të harrohet lehtë. Ndërsa Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, qyteti më njerëzor në botë, më bujari dhe më mikpritësi, vjen në kujtesën dhe në dhimbjen e artistit si një vend i virgjër natyror, me gjelbërim, me bollëk, me shkurre e gjelbërim të shuëllojtë, por me njerëz të mirë, të cilët jetojnë në mirësinë e saj.

Por refleksionet mbi jetën e vështirë, veçmas pas çlirimit, ku gjithçka filloi të merret me tollona në dyqanet e qytetit, pastaj një moment delikat në familjen e tij, kur në ambasadën ruse është hedhur një bombë dhe Arbanës i kanë marrë në polici xhaxhain e tij Shaqir Arbana, përbëjnë detaje të veçanta të jetës së tij, që ai nuk harron t’i tregojë dhe pse kanë kaluar dekada, por trishtimi në shpirtin e artistit jeton më gjatë se momentet e gëzuara.

Një nga momentet më të bukura të jetës së Arbanës është një detaj nga fëmijëria e tij. Afër shtëpisë së tij luhet filmi i njohur “Debatik”, një film me një temë të njohur nga koha e pushtimit fashist të vendit. Sytë e fëmijës Arbana ndjekin gjithçka që ndodh në një shesh xhirimi të një filmi. Aty janë kamera, regjisori, dritat e skenave, aktorët, është aktori i madh Sulejman Pitarka, është Besim Lëvonja. Në kujtesën e Reshat Arbanës ky moment shfaqet si një idil fëminor dhe akoma ai shihet me sytë e fëmijërisë së tij.

Siç kam shënuar që në fillimin e këtyre shënimeve, për një monografi të cilën lexuesi e lexon në një kohë të shkurtër, pa iu shkëputur për asnjë moment, ky është një libër i shkruar mirë dhe mjeshtërisht, libri sjell një kontribut për një artist të njohur. Është një libër që mëson dhe tregon, këshillon dhe sjell përvojë. Rrugëtimi i Reshat Arbanës ka kaluar përmes përvojës dhe marrëdhënieve me njerëzit e dijes, kulturës dhe të artit. Në jetën e tij janë shfaqur dhe kanë ndihmuar rolet (çdo rol është si të kesh kaluar një shkollë të vërtetë), dramaturgët, profesorët e universitetit, skenaristët, regjisorët, kritikët dhe studiuesit e arteve dramatike dhe të teatrit, janë shfaqur njerëzit e thjeshtë, të cilët janë një auditor i madh dhe i pagabueshëm. Aktori i madh i reflekton të gjitha këto në rrëfimin autentik për Albert Z. Zholin.

Interesante janë refleksionet e Arbanës për rolin e parë kinematografik, në një filëm, në të cilin “raportohet” një temë e rëndësishme e kohës, ajo e dijes. Në filmin “Komisari i dritës” Reshat Arbana luan rolin e “këlyshit” të Dodës. Filmi ka një kontradiktë të mprehtë, e për këtë rolet kërkonin një përjetim të vërtetë dramatik. Më pas vijojnë rolet në “Familja e Peshkatarit”, ai i Pilo Shpiragut me motive nga romani “Lumi i Vdekur”, por i ndaluar çuditërisht nga sistemi totalitar. Roli i paharrueshëm, i cili do të vijojë të jetë gjatë në kujtesën e spektatorit shqiptar është ai i Sami Amenit në filmin “Fije që priten”, roli i babit në filmin “Dora e ngrohtë”, dhjetëra filma të tjerë, në të cilët ka një reflektim të zhvillimit shoqërorë të një vendi, i cili sapo ka dalë nga një periudhë e gjatë errësire.

Reshat Arbana nuk e e ka shuar kurrë refleksin dhe raportin shpirtëror me Kosovën, të cilën në të gjithë veprimtarinë e tij publike e ka konsideruar atë një kryedashuri shqiptare, jo vetëm për veten e tij, por të gjithë shqiptarëve. Këtë lidhje të fortë me historinë Arbana e ka skalitur dhe në rolet e shumtë kinematografikë, kryesisht në figurat historike të disa filmave shqiptarë.

Akoma brenda shpirtit brilant artisti të Reshat Arbanës reflekton drama e famshme e Brehtit “Arturo Ui”, në të cilën satirizohet dhe goditet me një madhështi artistike kulti i Hitlerit, figura etij groteske. Arbnana e kupton në një dimension sipëror dhe valorizues artin dramatik dhe kinematografik. Totalitarizmat e kanë kuptuar mirë këtë që nga koha e antikitetit, se arti dramatik emocionon dhe ka kontakte të drejtpërdrejta me njerëzit. Këtë refleksion ai e ka prekur jo pak dhe në Shqipëri, por gjithësisht Reshat Arbana është një person entuziast dhe vlerësues për rrugëtimin e kinemasë dhe teatrit shqiptar.

Autori Albert Zholi ka qëmtuar me kujdes dhe inteligjencë njërin nga fondamentet më të rëndësishme në jetën dhe perceptimin e njerëzve të dimensionit të Reshat Arbanës. Duke qenë bashkëkohës, bashkudhëtues, bashkëluftëtar dhe krijuesit e godinës së njohur të kinemasë dhe të teatrit shqiptar, në vlerësimin dhe nderimin e Arbanës vijnë profesori Kadri Roshi, njëri nga njerëzit më të rëndësishëm të kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Arbana kujton dhe admiron Sandër Prosin, regjisorët Pandi Stillo, Sokrat Miho, Andrea Malo, Andon Pano, Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, e më pas regjisorët e tjerë të teatrit si Esat Oktrova, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani, Andon Qesari, Drita Agolli, Milto Zoto etj.

Mendoj se rrëfimi dhe jetëshkrimi i Reshat Arbanës ka gjetur penën e mirë të Albert Z. Zholit për të na dhënë një libër brilant, i shkruar mjaft mirë, i strukturuar funksionalisht nëpërmjet të cilit del në dritë jo vetëm individualiteti artistik e njerëzor i aktorit të madh,por edhe zhvillimi i artit dramatik shqiptar.

Please follow and like us: