Trump: Nuk ka pasur bashkëpunim me rusët
“Nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë/të paligjshëm!” shkruan Presidenti Trump në llogarinë e tij në Twitter. Presidenti e postoi komentin menjëherë pasi u paraqit aktpadia kundër ish-menaxherit të fushatës së tij presidenciale, Paul Manafort në kuadër të hetimeve mbi rolin që mund të kenë luajtur punonjës të fushatës Trump për të ndihmuar përpjekjet ruse për ndikim tek zgjedhjet amerikane në 2016.
Aktpadi u ngrit edhe kundër Rick Gates, partner në biznes i zotit Manafort. Fillimisht presidenti komentonte në Twitter që padia lidhej me një periudhë kur Manafort nuk kishte filluar ende punë për fushatën e tij. Po më pas në Twitter, presidenti shkruante “Përse nuk janë nën hetime edhe Hillari mashtruesja dhe demokratët?”
Dje, ndërsa shtoheshin spekulimet lidhur me aktpaditë, Presidenti Trump e përdori llogarinë në Twitter për të vënë në lojë idenë se fushata e tij kishte bashkëpunuar fshehtazi me Rusinë për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve dhe për të shprehur revoltim që vëmendja e medias ishte më e përqendruar tek aktpaditë dhe jo aq shumë tek hetimet lidhur me akuzat kundër rivalëve dhe armiqve të tij politikë.
Presidenti aludoi se hetimet mbi Rusinë e kishin larguar vëmendjen e publikut nga përpjekjet e republikanëve tek reforma fiskale. “Mos është e rastësishme? JO!” shkruan presidenti.
Ty Cobb, një ndër juristët në ekipin ligjor të presidentit, tha se komentet e presidentit nuk kanë lidhje me zhvillimet në hetimet e prokurorit special Mueller.