Albspirit

Media/News/Publishing

Zamira Çavo: Homos timidus

Sot takova atë, homos timidus. Rrinte e dëgjonte se si arsimi po ecte në rrugë të pashkelura, se si do bëhej reforma dhe platforma e re në arsim. E pashë teksa dëgjonte ato që i kishte dëgjuar në 27 vjet, 27 herë! I dëgjonte dhe kapsalliste sytë. Nuk kuptohej nëse i besonte apo jo, por i dëgjonte dhe i duartrokiste. Kështu kishte bërë shumë herë. Herën e fundit kishte duartrokitur kur do zgjidheshin Drejtorët e Arsimit në rrethe sipas konkursit, i cili “nuk ishte bërë kurrë më parë sipas meritës”. Pastaj pa se si drejtorë u bënë ata që ai i kishte parë vetëm në ëndrrat e tij më të këqia. Dhe atëherë kapsalliti sytë, por mendoi se koha do të tregonte atë çka ai e dinte. Dhe pati të drejtë! Disa drejtorë “me meritë” u futën në burg! Këtë radhë me meritë të vërtetë!
Pastaj sërish kishte parë drejtorin e tij të bëntë shkollë për drejtor. Sot kryeministri u tha sërish këtë punën e shkollës për drejtorët që do zgjidhen sipas meritës!
Pastaj kryeministri tha se reforma në arsim do jetë shumë e sukseshme por ama nuk do marrim dot të kopjojmë modelin finlandez sepse duhet të mendojmë si finlandezët. Dhe “homos timidus” kapsalliti sërish sytë. Para katër vitesh po i njëjti kryeministër u pati thënë se ne do marrim modelet më të mira anglosaksone dhe do sjellim librat e tyre për të mësuar fëmijët tanë…
Sot kryeminsitri tregonte përrallën e radhës për arsimin dhe”homos timidus” e shikonte me sy të kapsallitur. Nesër ai do vazhdojë si më parë: do bëjë një mal me dokumente sepse i “kërkon reforma” dhe nuk do t’i dalë koha për të parë ndonjë gjë të re e për t’ua dhënë nxënësve . Nesër ai do vazhdojë të bëjë sikur jep mësim dhe drejtori do vazhdojë t’u kërkojë dosjet ‘mal me letra koti’ që nuk i hyjnë në punë as dreqit, por që quhen reformë! Dhe nxënësit do bëjnë sikur mësojnë. Dhe ai “homos timidus” do bëjë sikur jep dije. Në fund të fundit kryeminsitri e lavdëroi: Kështu duhet armata e mësuesve; pa fjalë!
As unë nuk kam fjalë.

Please follow and like us: