Dominique Moisi: Mund të bëhen bashkë Franca dhe Gjermania?
Shtatë muaj më parë, kur liderja e Frontit Kombëtar Marine Le Pen pati një shans të fitojë presidencën franceze, Gjermania trembej për të ardhmen e Francës. Por pas zgjedhjeve federale në shtator në Gjermani, Franca nuk ka qenë veçanërisht e frikësuar për fqinjin e saj. Alternativa für Deutschland (AfD) e ekstremit të djathtë, megjithë përfitimet e veta, nuk do të marrë pushtetin. Gjermania, në fund të fundit, nuk është Austria.
Elitat franceze dhe gjermane kanë gjetur një shkak të përbashkët për t’u shqetësuar: Gjermania mund të mos jetë në gjendje të kapë mundësinë e jashtëzakonshme të krijuar nga fitorja e presidentit francez Emmanuel Macron. Më parë, problemi nuk ishte se Gjermania qe shumë e fortë, por se Franca ishte shumë e dobët. Tani problemi nuk është se Franca është shumë ambicioze për Europën, por Gjermania nuk është mjaftueshëm ambicioze.
Për vite, gjermanët u ankuan se Franca nuk është në gjendje të reformohet nga brenda dhe se francezët nuk e kuptonin ç’ishte ‘federalizmi’ në kontekstin e Bashkimit Europian. Kundrejt këtij sfondi, Macron doli në skenë duke e prezantuar veten si një president-filozof aktivist. Ai është një dishepull i filozofit francez Paul Ricœur dhe flet për “sovranitetin europian” në të njëjtën mënyrë si filozofi gjerman Jürgen Habermas flet për “shtetësinë europiane”.
Do të jetë e vështirë të arrihet një balancë harmonike mes një presidenti francez në agim të pushtetit të tij dhe të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila duket në perëndim të pushtetit të saj. Mbi të gjitha, do të duhet që Gjermania të matet me guximin e ri të Francës.
Sigurisht, dyshimi i Gjermanisë për një ndarje më të madhe të rrezikut në eurozonë, që lë të kuptojë axhenda e reformës së BE-së e Macron, është i kuptueshëm. Për gjermanët, kjo ngjan si një version i përditësuar i një thirrje të vjetër të BE-së: “Gjermania do të paguajë”. Por hendeku i entuziazmit mes dy qeverive nuk duhet të jetë një humnerë e pakapërcyeshme.
Le Pen shpesh luajti gjatë fushatës presidenciale franceze duke thënë se “sidoqofshin rezultatet e zgjedhjeve, Franca do të qeveriset nga një grua: do të jem unë ose kancelarja gjermane”. Fjalia ishte e mprehtë dhe provokuese; por ishte gjithashtu e gabuar. Sot, Le Pen është pranë të qenët një detaj i thjeshtë historik. Dhe ndërsa Merkel ende është shtetarja e zgjuar te e cila i ka sytë Europa, ajo nuk mban më pozicionin që i lejon të vendosë axhendën e BE-së njëanshmërisht.
Qartazi, politika franceze dhe gjermane është kaq e ndryshme për nga trajektoret emocionale. Gjermania është pak a shumë e kënaqur me veten dhe vendin e saj në botë. Vendimi i Merkel për të hapur kufijtë e vendit në krye të krizës së refugjatëve patjetër që i kushtoi vota koalicionit të saj të mëparshëm në zgjedhjet e shtatorit. Por, në tërësi, gjermanët mbeten pa dëshirë për të ndryshuar status quo-në europiane që ka rezultuar mjaft e suksesshme për vendin e tyre.
Franca, përkundrazi, ndihet se ndryshimi duhet të vijë tani ose kurrë. Nëse Franca dhe Europa presin deri nesër për të bërë atë që duhej bërë sot, atëherë do të kenë humbur tashmë. Nga perspektiva e Francës, historia duket se po nxiton. Mbretëria e Bashkuar aktualisht po negocion kushtet e tërheqjes së saj nga BE-ja; parlamenti rajonal i Katalunjës sapo ka deklaruar pavarësi nga Spanja dhe populizmi është duke u shtuar në Europën Qendrore dhe Lindore.
Nëse Franca do të mbetet e rëndësishme në Europë, duhet të përdorë çastin për të reformuar veten. Dhe nëse BE-ja do të mbetet e rëndësishme në botë, veçanërisht tani që SHBA e ka humbur rrugën e saj, ajo duhet ta vërë integrimin europian në rrugën e duhur sërish.
Hendeku mes Francës dhe Gjermanisë është më i madh kur vjen fjala te mbrojtja dhe siguria, duke qenë se ka një kulturë të thellë përçarje mes dy vendeve. Sigurisht, shumica e shtetasve francezë dhe gjermanë identifikohen si Europianë, përkundrejt shtetasve të Mbretërisë së Bashkuar, që identifikohen si britanikë – ose si anglezë, irlandezë, skocezë apo nga Uellsi. Kjo është arsyeja përse kritikët gjermanë dhe francezë të BE-së përqendrohen kryesisht në performancën e bllokut, ndërsa britanikët shpesh godasin vetë projektin europian.
Por kur flasim për siguri dhe mbrojtje, këto prirje përmbysen: Franca dhe Britania janë shumë të ngjashme nga mentaliteti, ndërsa Gjermania, për shkak të historisë së saj, është tërhequr përherë nga çdo lëvizje ushtarake.
Sigurisht, ka shumë ndryshime mes Britanisë dhe Francës në lidhje me mënyrën si angazhohen me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Mbretëria e Bashkuar është për nga natyra më afër NATO-s se Franca. Por kjo e para, e ofenduar nga presidenti Donald Trump, gjithashtu është distancuar nga SHBA, ndërsa Franca e qeverisur nga Macron, në një farë mënyre është afruar. Ndryshe nga Macron, kryeministrja britanike Theresa May nuk është e bindur se mund ta bëjë për vete Trump.
Partneriteti franko-gjerman prej kohësh ka qenë një shtyllë stabiliteti në BE. Dhe duke marrë parasysh thellimin e krizës në Katalunjë dhe rikthimin e populistëve europianë, marrëdhënia bilaterale është më e rëndësishme se kurrë.
E thënë troç, Macron dhe Merkel përfaqësojnë demokracinë liberale europiane, bazuar mbi logjikë dhe hapje, në kontrast me vizionin populist që përfaqësojnë kryeministri hungarez Viktor Orban dhe lideri politik de fakto i Polonisë Jarosłav Kaczyński. Me zgjedhjet e fundit në Austri dhe Republikën Çeke në Europën Qendrore që lëvizën më tepër për nga ajo që quhet perandori austro-hungareze populiste, Gjermania është po aq e interesuar sa Franca në suksesin e reformimit të BE-së. Topi, siç thonë amerikanët, është në fushën e Merkelit./Project Syndicate/