Albspirit

Media/News/Publishing

LSI si mësalla me dy faqe: përbetohet kundër krimit, por vetë bëri punësime fiktive

Bashkim Shala 
Agron Gjana, ish-shefi i teknikës në Aeroportin e Kukësit kujton se ai dhe 7 punonjës të tjerë të aeroportit u pushuan nga puna në vitin 2013 me arsyetimin se kishte mungesë fondesh. Aeroporti i ndërtuar si dhuratë e Emirateve të Bashkuara Arabe pas Luftës së Kosovës, nuk ka funksionuar asnjëherë si i tillë dhe shkarkimi i tetë prej 9 punonjësve kaloi pa habi në atë kohë.

Por një hetim i Prokurorisë së Kukësit në vitin 2017 arriti në përfundimin se pas shkarkimit të Gjanës dhe të tjerëve, në aeroport u punësuan rreth 40 persona.

 

Sipas ish-prokurores së Kukësit, Rita Gjati e cila nisi hetimin e çështjes në qershor 2017, drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil shtoi në organikën e aeroportit, pa  qenë e nevojshme dhe pa asnjë lloj studimi rreth 40 persona.

Hetimi, sipas saj gjeti gjithashtu se të punësuarit e rinj nuk u paraqitën asnjë ditë në punë, por e morën pagën rregullisht.

Prokurorja Gjati, me të cilën BIRN bisedoi para se të trasferohej së fundmi në Tropojë me vendim të Prokurorisë së Përgjithshme, kërkoi  dhe mori më 25 korrik 2017 miratimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për arrestimin e 2 ish-drejtuesve të aeroportit, respektivisht drejtorit Agron Xhafa dhe ish-drejtorit Arben Carkanji dhe masën e arrestit të shtëpisë për financierin e këtij aeroporti, Fahrudin Noka. Njëri prej ish-drejtorëve të akuzuar, Agron Xhafa ka qenë kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Asnjë prej të akuzuarve nuk u arrestua, pasi në momentin e kërkesës së prokurorisë u gjet se ata nuk ndodheshin në Shqipëri, ndërsa gjykata më pas zbuti masën sigurisë në “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë në fund të shtatorit, Prokuroria e Kukësit mbylli hetimet dhe dërgoi çështjen për gjykim me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.  Por pas dy seancash gjyqësore, më 5 dhe 16 tetor, prokurori i ri i çështjes Edmond Karriqi i tha “BIRN” se dosja ishte tërhequr nga organi i prokurorisë për plotësim hetimesh.

“Të akuzuarit pretendojnë se të punësuarit në Aeroportin e Kukësit kanë qenë në trajnime, ndaj  sipas tyre nuk janë paraqitur në punë,” sqaroi Karriqi lidhur me  pretendimet e të akuzuarve në seancën gjyqësore të 16 tetorit.  Karriqi thotë se hetimet e thelluara mund të gjejnë më shumë persona përgjegjës, përfshi sipas tij edhe zyrtarë të Drejtorisë së Aviacionit Civil apo të Ministrisë së Transporteve, që duhej të kontrollonin aeroportin.

Gjykata e Kukësit ia konfirmoi këtë BIRN në një përgjigje për një kërkesë për informacion, në të cilën thoshte se çështja ishte rikthyer për hetim.

Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës të të akuzuarve shpresojnë që pas kësaj tërheqjeje, çështja të pushohet.

Në fillim të tetorit, disa media publikuan  një kallëzim të ish-drejtorit të Aeroportit dhe kandidatit për deputet të LSI, Agron Xhafakundër prokurores Gjati dhe një oficeri të policisë gjyqësore. Xhafa pretendon në letrën që u bë publike, se ai nuk ishte njohur me aktet e çështjes dhe firmosja e tyre ishte falsifikuar.Safet Miftari, avokati mbrojtës i të akuzuarit Arben Carkanji i tha “BIRN” se “si mbrojtës të të akuzuarve kemi qenë dakort me kerkesën e prokurorisë, megjithëse kemi kërkuar pushimin e çeshtjes për mungesë provash. Në qoftë se prokuroria nuk do gjejë elementë tjerë që rendojnë mbi të akuzuarit, ne shpresojmë që çështja të pushohet”.

Aeroporti i Kukësit, i cili u ndërtua me një  grant falas të qeverisë së Emirateve të Bashkuara me një vlerë prej 24  milionë dollarësh është ndërkohë larg të qenit funksional. Fillimisht për shkak se kontrata koncesionare e vitit 2004 me kompaninë që menaxhon Aeroportin e Rinasit, i jepte kësaj të fundit monpol fluturimesh ndërkombëtare nga Shqipëria. Ndërkohë që edhe pas rinegocimit të kontratës koncesionare, ku kompania që menaxhon Rinasin do fitonte vite shtesë në kontratë për të lejuar fluturime nga aeroportet lokale që do hapeshin, nuk duket se ka sjellë ndonjë ndryshim të situatës.

Negociatat me kompaninë koncesionare të Rinasit përfunduan në pranverë të 2016, megjithë kundërshtimin e Autotitetit të Konkurrencës, i cili u përpoq të bindte qeverinë  shqiptare se Aeroporti i Kukësit qe larg të qenit funksional, me zgjatjen e periudhës së koncensionit edhe me dy vjet, në shkëmbim të së drejtës për të zhvilluar aeroportin e Kukësit, plus zgjatjen e periudhës së konçesionit me disa vite në rast se qeveria ndërkohë zhvillon të ashtuquajturin Aeroport të Vlorës.

Nga ana tjetër, vënia në funksion e aeroportit të Kukësit  është përdorur jo rrallë si kartë elektorale. Në maj të vitit  2009, një avion i një kompanie të vogël vendase fluturoi mbi qytet, ditën e një mitingu elektoral të Partisë Demokratike në qeveri,  dhe u ul e u ngrit nga aeroporti si për të sinjalizuar fillimin e punës. Politikanët premtuan një linjë fluturimi Tiranë-Kukës.

Premtimi për hapjen është  përsëritur edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011, në zgjedhjet e pergjithshme të vitit 2013 dhe në ato vendore të vitit 2015, madje duke i shtuar emra kompanish të njohura, por pa asnjë veprim konkret.

Por gjatë kësaj periudhe, aeroporti punësonte prej vitesh deri në 40 persona sipas hetimit të Prokurorisë së Kukësit. Prokuroria gjeti po ashtu se të punësuarit nuk ishin nga Kukësi, por kryesisht nga Tirana, Fieri dhe nga zona të tjera të Shqipërisë dhe nuk janë paraqitur asnjë ditë në punë, por megjithatë janë paguar rregullisht.

Para vitit 2013, organika e Aeroportit të Kukësit ka qenë vetëm nëntë persona.

“Para vitit 2013 kemi qenë 9 punonjës, si përgjegjës i aeroportit, shefi i teknikës, financieri, dy pastruese, një magazinier dhe tre punëtorë. Më pas, në vjeshtën e vitit 2013  u pushuan  nga puna tetë persona me justifikimin për mungesë fondesh duke lënë në punë vetëm shefin e financës. Pas pushimit tonë nga puna u informuam se në aeroport janë punësuar shumë persona të tjerë. Nuk di për numrin, por di që zëvendësi im si përgjegjës i teknikes ka qenë një me arsim 8-vjeçar”, thotë për “BIRN” Ardian Gjana, ish- shef i teknikës në Aeroportin e Kukësit.

Me këto akuza, prokuroria dërgoi çështjen në gjykatë. Por në seancën e dytë, pasi një prej të akuzuarve nuk pranoi të firmoste marrjen në dijeni të çështjes dhe pretendimit të mbrojtjes se punonjësit nuk kishin qenë prezent për shkak të trajnimeve, prokuroria vendosi të tërhiqte dosjen për hetime të mëtejshme.

Sipas prokurorit Karriqi, hetimet e reja do të jenë më të thelluara dhe do të shtrihen edhe ndaj të tjerë  personave në Drejtorinë e Përgjithme  të Aviacionit Civil, ndoshta edhe të ministrisë së Transporteve, të cilët nuk ishin hetuar më herët.

“Përsa i përket pretendimeve të të akuzuarve se të punësuarit kanë qenë me trajnime ne do të zhvillojmë hetime se ku ato janë trajnuar, në cilin vend, kur dhe kush kanë qenë pjesmarrësit dhe cili ka qenë trainuesi dhe nese është mbajtur ndonjë dokumentacion për këto trainime”, tha Karriqi për BIRN. Ndërkohë sipas tij, do të hetohet edhe në drejtim të personave të tjerë të administratës së Aviacionit Civil, dhe “në rastin konkret edhe ndaj zyrës së auditit të kësaj ndërmarrjeje dhe personave të tjerë pergjegjës”.

Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës pretendojnë pafajësi, ndërsa thonë se prokuroria nuk ka prova. “Megjithatë (edhe) në qoftë se çështja shkon sërish në gjykatë, ne do të vazhdojnë duke kërkuar pushimin e saj”, thotë për “BIRN” avokati Safet Miftari.

Prokurori i çështjes, Edmond Karriqi i tha  “BIRN” se pushimi i çështjes vendosej në gjykatë.  “Në bazë të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, është gjykata ajo që vendos, nëse është dakort me pushimin e çështjes, apo për  vazhdimin e hetimeve,” përfundoi prokurori.

Please follow and like us: