Sekuestrohen pasuri të Habilajve
Në Shqipëri është ekzekutuar sot vendimi i marrë një ditë më parë nga Gjykata e Vlorës për vënien nën sekuestro preventive të disa pasurive të vëllezërve Habilaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre
Vendimi është marrë pasi grupi Habilaj akuzohet të ketë qenë pjesë e një organizate italo shqiptare e cila trafikonte marijuanë drejt Italisë. Moisi Habilaj u arrestua pak javë më parë gjatë një operacioni në Catania të Italisë që çoi në goditjen e organizatës. Dy vëllezërit e tjerë janë shpallur në kërkim.
Nën sekuestro kanë përfunduar tre njësi shërbimi dhe tre apartamente në qytetin e Vlorës, ndërsa sipas autoriteteve vijojnë hetimet për identifikimin e pasurive të tjera që dyshohet se mund të jenë vënë nga aktivitete kriminale.
Goditja e grupit në Itali u pasua nga polemika të forta në Shqipëri për shkak të lidhjes farefisnore të Habilajve me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria kërkoi nga parlamenti autorizimin për arrestimin e zotit Tahiri por shumica e hodhi poshtë “për mungesë provash” sipas saj. Javën e shkuar oficerë të policisë gjyqësore ushtruan kontroll në banesën e zotit Tahiri, ndërsa më pas ai u thirr në Prokurori për t’u marrë në pyetje.