Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Autoriteti i mbylljes së dosjeve

 

 

Zhurma 27 vjeçare, premtime e betime të panumërta dhe “keqardhja” për të burgosurit politikë që vuajtën dhe u torturuan, u sakatuan, u vranë, u ekzekutuan, u varën në litar, vrasje në tela me gjëmba, vrasjet në minierat e ferrit, fshehja dhe groposja e kufomave të cfilitura nga torturat e të copëtuara nga plumbat përfundimisht u fundosën në humnerën e pafund të Sigurimit të Shtetit.

Të gjitha qeveritë e këtyre 27 viteve ia arritën t’i shuajnë klithmat, rënkimet e kujat e nënëve shamizeza duke kërkuar përrenjve, honeve, brigjeve e lumenjve të dashurit e tyre, fëmijë, baballarë, bashkëshortë, vëllezër e njerëz të tyre të afërt të zhdukur pa nam dhe nishan nga komunizmi.

Së fundmi, për “t’u hedhur hi syve të ndërkombëtarëve” (se për ne bashkëvuajtësit këta kurrë nuk kanë pyetur pasi u kanë mbetur besnkë baballarëve të tyre që shkaktuan këtë terror 50 – vjeçar), zhgaravitën një ligj për hapjen e dosjeve, i cili në fak është për kyçjen edhe një herë të të arkivave të fshehta.

Unë për vehten time, dosjet e të vrarëve, të burgosurve, të internuarve, të zhdukurve në familje dhe farefisin tim i kam zbuluar e botuar në libra apo i kam publikuar në mediat e përditshme si brenda dhe jashtë vendit, madje deri në SHBA dhe Australi.

Kam zbuluar emrat e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, informatorët, rezidentët e plot plehra të këtij kallëpi, kam zbuluar emrat e gomerëve që në atë kohë i thërrisnin Sekretarë të Parë, me protokolle, procesverbale dhe propozime për mënyrën e dënimeve pa u arrestuar, kam zbuluar dhe denoncuar emrat e kupolës së lartë kriminale në Tiranë si Hysni Kapo, Ramiz Alia, Miti Nito, Sako Rama, Hekuran Isai, etj; emra të tjerë si Mihallaqi, Leka Lelaj e deri te gomari më trutharë Sotir Koçollari,  një tjetër çoban dhish Prokop; aty ka emra të pafund saqë është e pamundur t’i rreshtosh të gjithë.

Këtu janë përfshirë operativë nga të katër anët e vendit, kryetarë degësh të Punëve të Brendshme, nënkryetarë, hetues, oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe plot kriminelë të tjerë që nga viti 1945 e deri në 1991 kur unë dola nga burgu i Burrelit mbasi nuk kishte më njerëz për të më mbajtur brenda qelive.

Komunizmi ishte dhjerë atje ku lindi dhe kasaphanës 50 – vjeçare i doli grahma e fundit. Shkas i rikujtimit të gjithë këtyre kriminelëve, këtyre dallkaukëve që jetonin me gjak të pastër shqiptarësh, këtyre grabitqarëve, terroristëve, dykëmbëshave, Kainëve, u bë kur Petrika Leka (djali i poetit Genc Leka), në takimin e 40 vjetorit të pushkatimit të poetëve Blloshmi dhe Leka, më thotë se znj. Genta Sula më dha dosjen e babait në disk dhe më porositi që të mos ia tregoja kujt se mban përgjegjësi penale. Në atë çast mu errësua vendi ku ishim, isha gati të bëja veprime të pakontrolluara, por më ndaluan dy miqtë e mi që e panë tronditjen time dhe ndërhynë për të më qetësuar.

Unë i them: Tika, kur të shkosh në shtëpi, më dërgo sa më parë çfarë ka disku! Unë t’i kam dhënë për Gencin mjaft materiale si dosja formulare, dosja operative, dosja hetimore, dosjen gjyqësore me spiunë e bashkëpunëtorë. Thesht dua të bëj një krahasim me ato që kam gjetur individualisht me ato që të ka dhënë Autoriteti i Hapjës së Dosjeve.

Në rregull më tha, do të t’i jap unë.

Mbas shumë telefonatash, Petrika më dërgoi diçka nga dosja hetimore e Genc Lekës, që përmbanin disa procesverbale “deponimi” nën torturë psikologjike dhe torturë fizike, të dala me forcë në praninë e një lukunie hijenash si Dhimitër Beshiri (vinte posaçërisht për ne të tre, Vilsonin, Gencin dhe mua) që na torturonin në birucën e re të nëndheshme me karrige e tavolina të fiksuara në beton.

Biruca kishte një derë të veshur me sfungjer, shumë hermetike, që amortizonte ulërimat tona në mesin e natës, nën praninë e Qani Lavdarit (evgjit nga Korça), prokurori që më pas do pushkatonte Gencin. Torturat kryheshin në praninë e hetuesit Lulo Ymeri nga Vlora, Novrus Saliut, Novrus Hamitit dhe kriminelit Selim Caka. Ndërsa dosjen formulare dhe dosjen operative ky Autoritet i Hapjes së Dosjeve nuk ia ka dhënë Petrika Lekës, çka do të thotë se mbrohen ende me fanatizëm xhelatët që aktualisht vegjetojnë në pushtetin e sotëm dhe janë të gjithë të punësuar.

Madje kur ndonjë hetues bredh rrugëve, i pirë e i jaragavitur ai zëvendësohet me pjestarë nga fisi i tij, siç është rasti i hetuesit Nevrus Hamiti nga Erseka, që e zëvendëson e bija si shefe komisariati në Librazhd, e cila deklaron me mburrje se “këtu babai im ka shpartalluar grupin armiqësor më të rrezikshëm mbas Beqir Ballukut, grupin e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit”.

Këta janë ata që rrallëherë thonë “jemi ndarë nga e kaluara kriminale” e nga ana tjetër dalin me portretin e diktatorit në kurriz si qeveri.

Përsa i përket lojës me dosjet, ata që janë grumbulluar atje jo që nuk bëjnë atë që duhet, por vetë aty ka njerëz që s’duhet t’i preknin me dorë sepse disa prej tyre kanë problem me vehten dhe me shoqërinë diktatoriale.

Për shembull, Simon Miraka ka qenë te arkivi i Sigurimit të Shtetit në kohën e qeverisjes nga PD (gjysma e PPSH) dhe së bashku me Uran Aliçkën kanë shkatërruar disa nga dosjet kriminale. Kështu Aliçka fshehu akt-ekspertizën e spiunit Koçi Petriti për poezinë “Saharaja” të poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi. Ai nuk e dinte se unë kisha hyrë para tij në arkiv dhe i kisha siguruar tri akt-ekspertizat origjinale të Diana Çulit, Muzafer Xhaxhiut e Koçi Petritit dhe kur unë ia përplasa në sy, mbeti si i dhjerë.

Po ashtu Simon Miraka ka sponsorizuar për një libër spiunin Koçi Petriti. Më pas kur i kërkova Mirakës që të më mbështeste financiarisht për botimin e librit të Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, ai u detyrua nga presioni dhe më tha “dërgoje librin te Mimoza Ahmeti, se kam biseduar unë bashkë me autorin Sadik Bejko dhe do të botohet atje”.

Dërguam gjithë materialin te shtëpia botuese “Marin Barleti”, por gjatë shtypjes ishin bërë shumë ndryshime të qëllimshme, sa libri nuk njihej më. Kështu në variantin e shtypur mungonin: parathënia e Ismail Kadaresë, ishte hequr protokolli i sekretarit të parë të Librazhdit Sotir Koçollari, mungonte plani i masave për gjykimin tonë të gjykatësit Subi Sulçe, ishin zhdukur tri aktekspertizat e Diana Çulit, Myzafer Xhaxhiut e Koçi Petritit.

Natyrisht që Miraka dhe Mimoza Ahmeti ishin paguar që ta shkatërronin këtë libër nga tre spiunët e mësipërm. Unë e tërhoqa librin nga shtëpia botuese “Marin Barleti”, por Miraka arriti ta botonte në formë broshure duke grabitur edhe fondet e sponsorizimit.

Unë sakaq iu drejtova Zyrës së të Drejtave të Autorit, hapa dhe fitova gjyqin kundër Mirakës dhe Ahmetit (kam vendimin e plotë të gjykatës) dhe mora dmshpërblimin e merituar.

Ashtu si Miraka, një tjetër person që punon te Autoriteti i Hapjes së Dosjeve, miratuar nga Kuvendi, ka probleme me vehten dhe me shoqërinë. Bëhet fjalë për Daut Gumenin. Gumeni nuk ka të drejtë të zhytet në atë kolltuk, pavarësisht se është miku i Diana Çulit, e cila ndërhyri te Ministria e Kulturës për të marrë një fond për të bërë një dramë a ku di unë, që e realizoi.

Gumeni është shpërblyer për të që bëri krah revolucionit të armatosur komunist të vitit 1997. Presidenti I dalë nga ky revolucion e vlerësoi kontributin e tij dhe e mori këshilltar, më pas e emëruan konsull a ambasador. Pra nuk mjafton ky shpërblim, por e mbajnë ende në zyrë shteti. Do të ishte më mirë që të merrte një rrogë duke qëndruar në shtëpi dhe jo atje sepse nuk ka të drejtë morale për të shkuarën e tij. Dosjet e Mirakës dhe Gumenit unë i kam hapur dhe dua të pohoj se ata rezultojnë me të dhëna të rënda kompromentuese. Prania e të dyve kompromenton rëndë Autoritetin, çka duhet të largohen një orë e më parë.

Le të rikthehemi edhe një herë aty ku e nisëm, në 40 vjetorin e pushkatimit të dy poetëve. Kur i dhanë Pertika Lekës diskun e dosjes së babait të pushkatuar, i kanë bërë edhe moral, i cili me mburrje po fliste se “ishte tolerant dhe kishte ardhur koha për t’i falur” (intervistë te Panorama). Unë kam vetëm një pyetje për Petrikën. Mirë që ti nuk e quan ndojë gjë të madhe kur të vranë babain, po ashtu edhe që u rrite jetim rrugëve, zbathur, pa ngrënë dhe i përbuzur dhe tani me kaq zemër pranon të falësh, po ata që të bënë të gjitha të zezat, çfarë duhet të bëjnë?! A e di, a e ke gjetur këtë përgjijge? Ti, askush nga këta kriminelë, nuk të ka ardhur të të bjerë në gjunjë e të të kërkojë falje! Askush nga ata nuk ka denoncuar krimin shtetëror dhe askush prej tyre nuk i ka shkuar drejtësisë për të marrë dënimin që u takon.

Nëse do të doje përgjigjen time për të gjithë këtë skotë kriminelësh të djeshëm dhe të sotëm, ajo është: Urrejtje e përhershme!

Post Scriptum: Së shpejti do të publikohen dosja formulare, dosja operative dhe gjithçka e përgatitur nga Sigurimi i Shtetit për poetët e pushkatuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi.

 

Please follow and like us: