Albspirit

Media/News/Publishing

Fation Pajo: Kthim i papritur

 

Tregim

 

 

Ishin ditët e fundit të Gushtit. Frynte erë e lehtë nga Lindja. Prej temperaturave të larta të ditëve të fundit pa shi ishte krijuar një zagushi e pazakontë. Njerëzit në rrugë mezi mbusheshin me frymë. Po të hidhje vështrimin mbi asfalt në një distancë jo shumë të largët sytë të shihnin një ré të ujshme e vezulluese, thuajse nga çasti në çast do të fillonte flaka.

Në një gjendje të tillë amullie ndodhej duke lënguar në shtrat prej mëse tre javësh nënë Rita. Me vështrimin nga dritarja gjysmë e hapur po luftonte me zemrën. Pas vdekjes së të shoqit aksidentalisht dhjetë vjet të shkuara, tek ajo filluan shenjat e para të sëmundjes. Teksa po vuante në shtrat mendjen e kishte tek i biri. “Do të shkoj dhe s’të pashë dot të rehatuar. Sa do desha të përkundja qoftë dhe një natë të vetme fëmijën tënd. Endri po të shkon koha dhe këto dhoma duan zëra fëmijësh, duan jetë biri im!” -u kollit e ktheu kokën nga koridori. Pas shumë mundimesh në shtrat s’duroi dot më, i lutet Dorinës, vajzës së gjitones, e cila i qëndronte gjithnjë këto ditë pranë kur Endri ndodhej në punë, t’i afrohej pranë.

-Dori, moj bijë, të lutem… -mezi bëlbëzoi ajo. Zëri iu mek. Fuqitë iu prenë. Me mundim zgjati dorën drejt komodinës së abazhurit dhe me shenjë tregoi bllokun e telefonave.

Dorina e kuptoi menjëherë si ishte puna. Mori bllokun dhe pasi i rregulloi kokën në jastëk dhe e mbuloi me velencën e butë, nxorri celularin dhe formuloi numrit e Besit, që ndodhej familjarisht prej mëse pesë vjetësh në një shtet të Amerikës. Prej andej nuk vinte asnjë sinjal.

Besmiri, si shumë familje të tjera, pas fitimit të llotarisë amerikane, bashkë me të shoqen, Anën dhe djalin e vogël, Besianin, të cilin e priti në jetë dhe e mbajti pranë gjyshja, me bekimin e saj u larguan dhe u stabilizuan në New York tek një shok i tij i fakultetit.

Dorina përsëriti telefonatën, këtë herë nga përtej u dëgjua zëri i njohur i kumshiut.

-Besi jam Dori…

-Dori, si jeni?! -s’e la shoqen të fliste. -Si është nëna, se më mbytën ëndrat ka dy netë me radhë, e s’kam pikë gjumi në sy? Do ta merrja vetë sot kur të lija punën.

-Besi vetëm je aty? -nuk dinte nga t’ia fillonte ajo.

-Po, jam në punë, sa mbrita, pse?!

-Besi më dëgjo pak… -shtrëngoi nofullat ngaqë nisën t’i dridhen buzët. Doli në koridor të mos e dëgjonte nënë Rita. -Nëse ke mundësi merr të paktën djalin dhe eja… -sytë iu mbushën me lotë. Mezi e mbajti shpërthimin në vaj ato çaste. Përtej nënë Rita teshtiu mbytur. Po e mundonte shumë mungesa e nipit shtatë vjeçar. -Nëna s’është mirë këtë herë…

-Ma jep nënën t’i flas Dori! -u ndje përtej zëri energjik i tij. Pasoi një heshtje e gjatë mes tyre. -Dori, je në linjë?! -pyeti i trembur ai.

-Këtu jam Besi, por…

-Por çfarë atëherë, ma jep pra! -ngriti më zërin ai.

-Por nëna… -s’e mbajti më vehten Dori, ia dha të qarës. Ashtu në dënesje vazhdoi, -nëna ka që mbrëmë që mezi përmendet. Gjej kohë e eja sa s’është vonë. Sytë nga dera po i mban, ndaj nisuni! -Dori s’mundi më, mbylli celularin, fshiu lotët e shkarë e me gotën e ujit në dorë hyri në dhomë. -Nënë Rita, fola Besin. -për ta mbajtur gjallë me shpresën e ardhjes së tyre i afrohet dhe duke buzëqeshur i dhuron një të puthur në ballë. -Do presë tani biletat dhe ndoshta nisen që sonte natën. Mori pambukun dhe filloi t’ia njomë buzët me të.

-Më rrofsh bijë. -Uroi me gjysmë zëri nënë Rita. Mbylli sytë e gati nën zë bëlbëzoi, “Ah, sikur të të kisha nusen e Endrit, s’do të desha gjë tjetër në këtë jetë.” -Mbase arrijnë t”më shohin para se të mbyll sytë!

-Jo nënë, mos e thuaj një fjalë të tillë. -me lotë ndër sy Dori iu afrua e i dha një qetësues. -Ti je e fortë. -foli ajo dhe u ngrit të përgatitte brumin e bukës.

Nga jashtë dritares së dhomës ku ndodhej e shtrirë nënë Rita depërtonin rrezet e nxehta të Diellit. Dorit, nga që e kishte përballë, i krijoi zagushi në trup ky i nxehtë. U ngrit e hapi perden. Ndërkohë që po i hidhte çarçafin ndjeu së brendëshmi një turbullirë të shoqëruar me ndjesinë e të vjellës. Piu pak ujë. Ndërkohë u hap dera e jashtme. Ajo u ngrit e doli në holl. U gjend përballë Endrit. Ata ishin rritur bashkë, megjithëse kishin një vit diferencë. Pas thuajse gati tre vitesh, më sakt pas mbarimit të universitetit për avokat, ata filluan të takohen shpesh e larg vështrimit të të tjerëve. U dashuruan, por i mundonte të dy ndjenja se mos nuk e pranonin këtë lidhje prindërit e saj. Ata insistonin që bijën e tyre të vetme ta martonin në Tiranë. Por ishte këmbëngulja e vetë Dorit tek prindërit që të thyheshin e ta pranonin dashurinë e saj. Disa muaj më parë ata shkuan të festonin ditëlindjen e mbesës së Endrit, Erës së vogël. Motra e tij, Mirela, bëri ç’ishte e mundur që ata të qëndronin atë natë, dhe ashtu u bë. Ata kaluan natën më të bukur, dolën e shëtitën nëpër rrugët e qytetit, shkuan në breg të detit dhe pas darkës së shtruar si jo më mirë, shkuan në dhomë. E gdhinë duke shuar zjarrin që u vlonte të dyve në shpirt.

-Erdhe Endri! -u skuq në fytyrë ajo. Me duart kryqëzuar në bark priti reagimin e tij.

-Si është nëna? -e pyeti. Tek vështroi duart e saj kuptoi se diçka kishte ndodhur me të. Iu ul para këmbëve dhe mbështeti kokën në barkun e saj. “S’më hiqet nga mendja zemër ç’më the atë natë që ndjeve shqetësimet e para. Më duket se jam, më the, më duket se kam mbetur me… E unë gati sa nuk fluturova nga gëzimi ndërsa ti po qaje sikur të kishim kryer një krim.” Sepse i erdhi ndërmend biseda e para dy muajve. Kishte ndodhur pikërisht atë natë kur nënë Rita u bë keq e zuri shtratin. -Dori si është?! -u ngrit dhe e vështroi drejt e në sy.

-Po vuan Endri. S’ka shumë që njoftova Besin. -u mbështet në gjoksin e tij dhe sikur po çlirohej nga një makth shtoi, -Si do të bëjmë! Ajo më sheh mua e s’i mban lotët. Duket që diçka e mundon e s’ma thotë dot. Mos e ka pikasur lidhjen tonë?! Më thuaj Endri?

Endri e ngjeshi fort në gjoksin e tij dhe pasi i dha një puthje të lehtë, përkëdheli ondat e bukura, e i priu drejt dhomës ku dergjej e ëma.

-Dori shpirt, jam me fat që të kam ty pranë këto ditë të vështira. -gjegji me gjysmë zëri ai e pasi i rregulloi balluket e rëna mbi ballë e afroi më pranë, -Të lutem zemër mos më lerë vetëm. Po, ajo duhet ta mësojë të vërtetën tonë. -e puthi sërisht në ballë dhe me hapa të ngadaltë hynë së bashku në dhomën e të ëmës.

Dorit për momentin sa nuk i ra të fiktë. U bë lulëkuq në fytyrë dhe nën një ngashërimë të lehtë iu afrua e i mërmëriti:

-Jo tani Endri. Më mirë thuaja kur të vijë dhe Besi. Derisa të vijnë ata s’do të të le vetëm, të premtoj shpirti im. -Për të mos i rënë në sy nënë Ritës ngjeshi kokën në krahun e tij dhe sërish i thotë me zë të ulët, -Të dua, Endri! Të dua shumë!

Endri i lumturuar nga veprimi i të dashurës, e zuri për dore e ashtu së bashku i afrohen të ëmës. Ajo po dremiste. Endri i bën vend në karrige Dorit dhe vetë ulet në shtratin e të ëmës.

-E di që po bëhesh edhe më e bukur këto ditë princesha ime! -zgjati duart e preku përsëri barkun e saj. Por ishte mërmërima e të ëmës që ua preu gëzimin të dyve.

-Besiani i nënës mezi pres të të shoh. Nëna ty të pret! -nga sytë e saj rrodhën disa pika loti. Lëvizi ngadalë e nëpër mjegull iu duk se pranë kishte Besin. Puliti sytë të kthjellohej.

-Nënë, erdha unë, më sheh! -foli Endri e sakaq e kapi nga duart. Ato ishin të ftohta. -Besi është rrugës, mos u bëj merak.

Nënë Rita hapi sytë. Po, ishte e vërtetë, para saj ndodhej Endri me Dorin. Ktheu sytë nga dritarja e vështroi kohën. Nga rrezet e diellit që ndereshin në perden e pëlhurtë kuptoi që ishte ende ditë. Lëvizi buzët e përthara. Hodhi vështrimin nga Dori. Po, i pihej pak ujë, por s’kishte fuqi të fliste. Dori e kuptoi ç’dëshironte. U ngrit dhe si zakonisht, njomi pambukun dhe ia afroi tek buzët. Nga mënyra si po thithte tjetra lëngun, fytyra iu përskuq. “Pse e lashë kaq kohë pa ujë! M’u thafshin duart.” -i foli vehtes dhe aty për aty u kujtua për mërmërimën e shpeshtë të nënë Ritës.

-Endri, -uli zërin ajo, -nëna ka gjithë ditën që kërkon djalin. Ana s’besoj të vijë se Briana është e vogël e s’e përballojnë dot tani një udhëtim kaq të gjatë.

Endri nuk foli. U ngrit dhe doli në korridor. Nxorri celularin dhe formuloi numrin e të vëllait. Me të dëgjuar zhurma përtej i foli:

-Besi ku je tani?

-Në aeroport, -mezi u dëgjua zëri i tjetrit. -Si është nëna?!

-Ashtu si më parë. Doktori thotë se ka shenja përmirësimi. Ti bëj ç’të duash, por pa djalin mos e merr kot rrugën. -shpejtoi të përgjigjej Endri, -Nëna vetëm emrin e tij përmend.

-Mos u bëj merak vëlla, -gjegji përtej Besi, -po vijmë të gjithë, pasi Briana këtë të Shtunë mbush vitin. Vendosëm ta festojmë aty tek ty.

-Sa mirë do bëni. Kur mbrini?

-Nesër në darkë. Jemi me “Alitalia”-n.

-Ok vëlla shihemi nesër në darkë. -mbylli telefonatën Endri dhe si mori frymë thellë të lehtësohej i shkoi të ëmës pranë.

Dori harroi se kishte vënë brumin në furrë. Ndjeu erën e fillimit të pjekjes së bukës. U ngrit dhe shkoi në kuzhinë. Endri mori dorën e ftohtë të së ëmës e filloi t’ia përkëdhelë. Mezi po përballej me rrënkimin e saj. U përkul dhe ia puthi pëllëmbën.

-Bir, kur erdhe? -ajo puthje e njohur e përmendi nënë Ritën.

-S’ka pak. -iu afrua edhe më ai, -Nënë do të të jap një lajm të gëzuar. -Atë e kishte marrë malli për të vëllanë, por më shumë e gëzoi fakti se do të shihte për herë të parë mbesën e vogël, lindur në Amerikë. Ia kishte prerë krahët ikja e tij, por me kohë u mësua. Ndonëse flisnin shpesh e ndjente mungesën e tij. -Nënë më dëgjon?! -vështroi sytë e saj të lodhur.

Dori me pecetë në duar iu afrua pranë të dashurit. Së brendëshmi ndjeu një ankth, ndjeu sikur po i merrej fryma nga të nxehtit. Përpos kësaj, ndjeu goditjet e para në bark. U pre në fytyrë, por u mbajt fort në shpatullën e Endrit.

-Hë bir, -hapi tashmë sytë nënë Rita, -mos ke gjetur ndonjë zogëz dhe…

Pas shpinës së Endrit u ndje një rrënkim i gjatë dhe sakaq Dorina u shemb në dysheme. Pyetja e nënë Ritës ishte aq e beftë për të sa nuk arriti dot ta mbledhë vehten. Të dy kishin mëse dy javë që mundoheshin të gjenin një mënyrë t’ia shprehnin dashurinë, por sëmundja e saj nuk ua bëri të mundur. Endri u shkëput në çast nga e ëma dhe menjëherë ngriti vajzën dhe e shtriu në divanin e dhomës së ndenjies.

-Dori, zemër më dëgjon, -ngriti zërin ai, njomi duart me ujë e i freskoi fytyrën. -Dori!

Vajza u përmend dhe hutueshëm vështroi të dashurin. Mërmëriti disa fjalë, por Endri mundi të kapë diçka prej tyre, “Bebja po lëviz!” Afroi kokën në barkun e saj. I ndjeu edhe ai goditjet. Me kujdes e ngriti dhe iu afruan të ëmës. Nuk kishte ç’priste më.

-Bijë e nënës ç’ke?! Je shumë e zbehtë në fytyrë. -ktheu drejt saj kokën nënë Rita. -Mos je gjë sëmurë dhe unë qyqja po të stërmundoj me këtë dreq sëmundje?

Endri u përksuq në fytyrë. Kapi dorën e të dashurës dhe e ndihmoi të ulej në shtratin e të ëmës. U panë një çast me njëri-tjetrin, sikur të dy e kishin marrë tashmë vendimin, dhe si u kollit, vendosi t’ia thotë. Por çuditërisht ishte ajo që po mundohej të ngrihej disi. Zgjati dorën drejt Dorit e ashtu mundimshëm e pyeti:

-Dori moj bijë, -sytë e saj u tretën në të vajzës karshi, -zemra ma do të kesh një fat të mirë siç je dhe vetë. Nëse… nëse s’ke në zemër ndonjë, të lutem…

Sytë e vajzës u përlotën. Pëllëmba e saj nisi të dridhej në dorën e ftohtë të tjetrës. S’mundi më të rrezistonte, u ngrit ngadalë. Me shkëlqim të ujshëm në sy, vendosi në bark dorën e nënë Ritës.

-Po nënë, e kam një në zemër, -ktheu sytë nga i dashuri, -Endri yt është ai që më ka bërë të lumtur, e po më dhuron një… -uli sakaq sytë në bark.

-Siii?! Ju duheni… Ju jeni me… Vërtetë?! -vështroi të birin. Pulitja e syve të tij aprovoi atë ç’ka i tha vajza ato çaste. -O Zot i madh, -ngriti sytë lart në tavan, -Jepmë pak fuqi, të gëzoj këtë ditë! -ofshami dhe hapi krahët t’i përqafonte. -E bukura e nënës! -nuk duroi dot më, mblodhi fuqitë e u mbështet mbi shtrat. -Ylli im, ç’lajm më dhatë. -drejtohet nga i biri, -Sot jo, nesër do të flasim, dëgjove! -ndryshoi në fytyrë ajo. -Më ngri tani të shkojmë në komo.

Endri largoi velencën e ndihmoi të ëmën të ecte me të. Pas tyre, e lumturuar ecte Dori. Nënë Rita ashtu ngadalë e me lotë në sy hap kutinë e sendeve të saja e nxjerr prej aty një unëzë floriri me gdhendje. E vjetër por shumë e bukur. I merr dorën vajzës e duke ia vendosur në gisht e uron:

-Të më trashëgoheni bijë. -e puthi në ballë ia fshin lotët shkarë faqeve. -Kjo është unaza e gjyshes së Endrit. Ajo ma dha mua kur hyra nuse në këtë shtëpi, e tani do ta mbash ti.

-Të faleminderit nënë! -mërmëriti Dori. -Kjo është dhurata më e bukur që kam marrë në gjithë këto vite. Do ta ruaj si sytë e ballit.

Nënë Rita u fut në mes të të dyve dhe me hapa të ngadaltë shkuan në dhomën e pritjes. Zuri vend në divan dhe pasi piu përsëri pak ujë iu drejtua të birit:

-Koha nuk pret bijtë e mi. Lajmëroni të gjithë për këtë të Diel. -por ndeshi në hutimin e të dyve. -Hë, ç’më shihni ashtu, njoftoni krushkun të vijnë këtej për darkë. Hajde dilni tani. -Ajo u ngrit e nxorri nga sirtari disa kartmonedha 100 dollarëshe e ua jep. -Sa do të gëzohet Besmiri kur ta marri këtë sihariq! -u afrohet më pranë, -Shkoni, sot ju, dhe… -vendosi dorën në barkun e saj, -dhe ky i vockli nënës më shëruat vërtetë! -I puthi të dy e i përcolli deri tek dera e jashtme.

Please follow and like us: