Pëllumb Xhufi: Nxjerrja e flamurit grek në Himarë është fyerje
Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, ka shpjeguar se protestat e banorëve të Himarës, janë të nxitura dhe kanë një prapavijë, e cila synon që përmes bllokimit të punimeve të fitojnë në pjesën e përkatësisë dhe ajo që është më e keqja e kësaj, kjo mund të çojë deri në humbjen e identitetit. Sipas historianit Xhufi, Athina gjithmonë ka ndjekur këtë politikë, për të kërkuar negociata, sepse pretendon se mund të dalë fituese nga kjo çështje. Ndërhyrjen e qeverisë për të rikualifikuar planin e Himarës, Xhufi e shef si një strategji zhvillimi për këtë zonë tepër të rëndësishme për turizmin e qëndrueshëm.
A po mundohen në gjykimin tuaj që të kanalizojnë këtë ngjarje, ndoshta dhe me një pretekst nga Athina zyrtare?
Kjo nuk është një ngjarje e izoluar, janë një grup njerëzish që e potencojnë këtë gjë. Pikërisht ajo rruga e bukur që u bë para disa vjetësh, me sa duket nuk duhet dhe nuk kanë dëshirë që ta zhvillojnë Himarën. Një Himarë e lënë pas dore, ndoshta i shërben dhe humbjes së identitetit. Zonat më të bukur në këtë pjesë janë të bllokuara me disa lokale. Nuk e duan zhvillimin, janë të nxitura nga jashtë. Ky grup tregon se janë mbrapa me kohë dhe nuk duan të kenë ndryshim.
Kjo lloj situate, që pati protesta, pati dhe deklarata, mund të jetë një paralajmërim nga Greqia për Shqipërinë?
Nxjerrin flamurin grek, kjo është një fyerje. Këtu ka një qëllim, në radhë të parë jemi që mund të kemi një takim mes të dyja vendeve. Ka si qëllim pala greke të shkojë në negociata, sepse është mësuar kështu. E dyta është për të fituar edhe ndaj rrugës së Shqipërisë në BE. Edhe për anëtarësimin në NATO, Greqia na ka dhënë votën e fundit.
Ky lloj presioni mund t’i agravojë marrëdhëniet dhe mund të na bllokojë në këtë gjë?
Pala greke ka bërë një politikë që e ka bërë përherë. Ne kemi probleme të mbartura, të detit, të pronave shqiptare në Greqi, të ligjit të luftës, kufirin tokësor, kemi çështje të hapura që trondisin dhe ndërkombëtarët kur i dëgjojnë.
Ju e gjykoni se shteti shqiptar është treguar korrekt me ccështjen e Himarës? Premtimin se gjithçka do të rregullohet me çmimin e tregut, madje ka patur vizita të ministrit dhe zëvendësministrit, si i shikoni zoti Xhufi?
Unë gjykojë se është bërë një kujdes për Himarën, pasi ka shkuar ministri dhe zëvendësministri. Ka një ligj që edhe himariotët detyrohen t’i përgjigjen ligjeve shqiptare. Unë jam i bindur se shtëpitë që do rregullohen, do të jenë më të mira dhe më të bukura.