Albspirit

Media/News/Publishing

Vdekja e Adelës, del rezultati paraprak i mjekësisë ligjore

Narja nga jeta e gazetares Adelajda Xhamani, shkaktoi shumë polemika. Ataku kardiak që i mori jetën gazetares në moshën 31-vjeçare është vënë në pikëpyetje nga shumë persona, përfshirë këtu edhe mjekët. Epilepsia ishte dyshimi i parë, por sipas rezultateve paraprake të mjeksisë ligjore, publikuar nga “INTV” nuk rezulton që të ketë pasur ndonjë komplikacion shkaktuar nga kjo sëmundje. Nga ana tjetër, nuk është konstatuar të ketë pasur shenja dhune, bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, shenja injeksioni apo të përdorimit të alkoolit para vdekjes. Burime nga Mjekësia Ligjore thanë dje se Adela mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e avancimit të ndonjë sëmundje për të cilin ajo nuk kishte dijeni. Ky është konkluzioni paraprak i Mjekësisë Ligjore, në pritje të përgjigjes së analizave biologjike që do të përdoren për hartimin e raportit përfundimtar që do të hedhë dritë mbi shkakun e saktë të vdekjes së saj.
Burimet thanë se janë marrë për analizë pjesë të disa organeve jetësore, por që në ekzaminimin paraprak është përjashtuar mundësia e epilepsisë.

AUTOPSIA
“Nga autopsia dhe ekspertiza paraprake nuk hasëm ndonjë komplikacion që varion nga epilepsia. Mendojmë se ajo mund të ketë pasur probleme të tjera shëndetsore, si luhatjet e tensionit, anemia, leucemia, apo të tjera shqetësime, për të cilat ajo nuk kishte dijeni”, thanë dje burime nga Mjekësia Ligjore. Një ekip i përbërë nga ekspertët më të mirë të Mjekësisë Ligjore po kryejnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Për të përcaktuar shkakun e vërtetë të atakut kardiak janë marrë pjesë të zemrës, pankreasit dhe organeve të tjera jetësore. Përgjigjet e analizave toksikologjike dalin për 2 deri në 3 javë, ndërsa paraprakisht është konstatuar se nuk ka pasur shenja dhune. ‘Nuk i ishin bllokuar rrugët e frymëmarrjes, nuk ka pasur injeksione të ndryshme në trup dhe gjithashtu nuk ka pasur shenja të përdorimit të alkoolit para se të ndërronte jetë”, thanë të njëjtat burime.

KARDIOLOGËT
Disa mjekë kardiologë që kontaktuam dje për rastin tragjik të vdekjes së gazetares Adelajda Xhamani, thanë se vitet e fundit, ngjarje të tilla sa vijnë e bëhen më të shpeshta. Sipas specialistëve të sëmundjeve kardiovaskulare, problemet kardiake u kanë marrë jetën dhe personave në moshë më të re se Adela.
Ata shprehen se janë disa faktorë që shkaktojnë infarkt, si stresi, ushqimet jo të shëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik, etj. Infarkti sipas tyre mund të paralajmërohet nga një puls i shpejtë ose i pa rregullt, shoqëruar me lodhje, marramendje apo mungesë frymëmarrjeje. Këto mund të jenë tregues të qartë të një sulmi kardiak, insuficence kardiake ose aritmie. Nëse aritmia nuk kurohet, mund të çojë në goditje në tru, insuficience kardiake deri në vdekje të papritur. Sëmundjet e zemrës mund të shkaktojnë marrje mendsh dhe humbje të ndjenjave. Shkaktare mund të jenë aritmitë e zemrës.

Please follow and like us: