Albspirit

Media/News/Publishing

Lamtumirë Drita Agolli, regjisorja e parë shqiptare

Drita Agolli një ndër femrat e para regjisore të teatrit shqiptar ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 90-të vjeçare. Gruaja që ka kontribuar në përgatitjen e një plejade të tërë artistësh, por dhe në ngritjen e nivelit të teatrit e dramaturgjisë shqiptare, u shua në shtëpinë e saj ku ishte tërhequr nga jeta aktive prej kohësh.

“Ka ikur sot profesoresha Drita Agolli, njeriu që na dha edukatën e punës në art. Mirënjohje për tërë jetën. Iku gruaja që i dha shoqërisë shqiptare dimensionin e lirisë së femrës.”, shkruan regjisori Mevlan Shanaj, ish student I saj.Drita Agolli lindi në Maqellarë të Peshkopisë më 1927. Gjatë Luftës ka marrë pjesë aktive në Organizatën e Rinisë Antifashiste.

Në Kongresin e I-rë të Gruas Antifashiste të mbledhur në Berat në gusht të 1944 ka marrë pjesë si delegate e grave të Dibrës. Pas çlirimit punoi për pak kohë në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Në vitin 1950 u pranua si aktore e Teatrit Popullor ku interpretoi disa role. Në vitin 1954 ndoqi studimet e larta në Institutin e Arteve të Bukura të Bukureshtit, Rumani , për skenografi dhe kostume teatri. Në shtator të vitit 1956 vijoi studimet e larta në ish Bashkimin Sovjetik, në Institutin e Artit Dramatik të Moskës me emrin e Lunacarskit për regji teatri. Këto studime I mbaroi me rezultate të larta në vitin 1960.

Kur u kthye në Shqipëri u emërua në Teatrin Popullor si aktore dhe si pedagoge e jashtme në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”. Me themelimin e Institutit të Lartë të Arteve në 1965 u emërua pedagoge definitive në degën e dramaturgjisë, ku punoi krahas personaliteteve të tilla të artit dramatic si Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Esat oktrova, etj. Në vitin 1974 emërohet shefe katedre e Degës së Dramaturgjisë dhe në vitin 1985 për veprimtarinë e saj të gjerë si aktore, regjisore dhe pedagoge në fushën e artit dramatik nderohet me titullin “Artiste e merituar”. Si aktore ka interpretuar në disa role ndërsa si regjisore ka vënë në skenën e Teatrit dhe të Operës dhe ato të rretheve 13 drama, përveç premierave të vëna në skenë me studentët e Institutit.

Një nga meritat e saj në fushën e pedagogjisë është përgatitja e disa breza aktorësh që konsiderohen sot si thesare të artit dramatik e kinematografik shqiptar. Disa vite më parë Agolli e tregoi jetën e saj në librin autobiografik “I paemri”, një libër i ndarë në tre pjesë të cilat përbëjnë periudhat më të rëndësishme të veprimtarisë së saj profesionale. Në fillim ajo ndalet në jetën e saj si studente në Moskë, ku përballon me shumë kurajë si detyrat e vështira të studentes së re ashtu edhe ato jo më pak të vështira siç ishte ajo e nënës e bashkëshortes. Problemet e mëdha nisi për të kur fillon punën pa kthimit në Shqipëri.

Pas katër viteve studime për regji ajo është e detyruar të punojë si aktore. Një vendim i tillë do ta kishte dekurajuar, një artist tjetër ndërsa Dritën jo. Ajo gjithnjë do të ëndërrojë ëndrrën për tu bërë regjisore derisa ia arrin qëllimit. Përmes këtyre kujtimeve del qartë dhe ndeshja që ka patur bota e artit me politikën e kohës. Çfarë dhimbjeje shprehet artistja kur i mohohet puna, kur i hiqen nga skena pjesë të çmuara të dramaturgjisë kineze pas prishjes politike mes dy vendeve, kur i ndalohet pa asnjë arsye “Lumi i vdekur”…apo “Pabesia”.

Përmes këtyre kujtimeve kuptojmë forcën e saj për tu ngritur kundër arbitraritetit partiak e shtetëror të kohës. ”Artistja e merituar Drita Agolli është për një art realist duke e konsideruar atë si më të qëndrueshmin në kohë , pa qenë kundër rrymave të tjera artistike. Ajo është pasuese e teorisë së Stanislavskit, që mbetet baza teorike dhe praktike e interpretimit aktoresk. Përvoja artistike ka vërtetuar se sistemi i Stanislavskit mbetet edhe sot guri themelor i teatrit botëror.

Duke mbështetur me të drejtë Stanislavskin autorja çmon në mënyrë të veçantë sidomos Brehtin, duke e konsideruar si një nga autorët e teorisë moderne të artit dramatik. Por mbi të gjitha Drita Agolli është për një art kombëtar, për nxjerrjen në pah të pasurive të traditës së një kombi në këtë fushë , dhe skenën e teatrit e quan me të drejtë si tribunën ku shpalosen problemet e mëdha shoqërore të kohës”, shkruan për të Kudret Velça. Drita Agolli i dha aq shumë artit shqiptar, duke zënë një vend të padiskutueshëm në historinë e teatrit shqiptar.

Please follow and like us: