Shqipëri-Itali, “Jo mure për të ardhmen”
“Jo mure për të ardhmen” ishte një ndër motot e ciklit të aktiviteteve “Doors of Tomorrow” (Dyert e së Nesërmes), që synon të nxjerrë në pah rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë.
Aktiviteti “Dyert e së Nesërmes” i organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe partnerë të tjerë u çel pasditen e së mërkurës në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë ambienteve të Kryeministrisë.
Pjesëmarrës në këtë organizim ishin Zv/Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi, ambasadori italian, Alberto Cutillo, përfaqësues të trupit diplomatik, politikanë, sipërmarrës, dhe anëtarë të ndryshëm nga media e shoqëria civile.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv/Kryeministrja Mesi vuri theksin tek miqësia e gjatë, marrëdhëniet e gjithanshme mes vendit tonë dhe Italisë, komunikimi i hapur e bashkëkohor mes tyre, si edhe tek bashkëpunimi i ngushtë që ekziston në çdo spektër.
Duke nënvizuar rëndësinë e Italisë si një partner strategjik i vendit tonë dhe duke theksuar njëkohësisht mbështetjen e dhënë në çdo kohë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, Mesi shprehu bindjen gjithashtu se cikli i aktiviteteve “Dyert e së Nesërmes” përbën një potencial të jashtëzakonshëm në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në çdo sferë institucionale e shoqërore.
Ky organizim i Sistemit Italian të Bashkëpunimit për Zhvillim në Shqipëri, i cili do të zhvillohet mes datave 1-8 Nëntor, 2017, nxjerr në pah rëndësinë e bashkëpunimit në çdo projekt mes Shqipërisë dhe Italisë, si rrugë e hapur drejt paqes, zhvillimit, stabilitetit dhe adresimit të sfidave të përbashkëta./ata/