Ndalohet biznesmeni me 800 mijë euro dhe 2 patenta të Tahirit
Policia e Elbasanit ka reaguar lidhur me denoncimin e bërë nga kryetari i PD për arrestimin e një shtetasi në Elbasan, të cilit iu gjetën dy patenta me emrin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Policia ka konfirmuar ndalimin e biznesmenit Orest Sota ndërkohë ka dhënë edhe versionin për shoqërimin e tij.
“Me datë 02. 11. 2017, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O.S vjeç 25, banues në Tiranë, administrator i nje subjekti privat sh.p.k pasi më datë 01.11.2017, në rrugën nacionale, në fshatin Balldren, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin “Land Rover” dhe nga kontrolli në mjet ju gjetën e bllokuan një sasi e madhe eurosh, i cili pretendonte se do t’i përdorte për likujdimin e faturave, por të pa shoqëruara me dokumentin e origjinës. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për Veprat Penale parashikuar nga nenet 291, 242 e 180 të Kodit Penal”.
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka denoncuar sot se Orest Sotës i janë gjetur në makinë 800 mijë euro dhe dy patenta për drejtim makine, në emër të Saimir Tahirit.