Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Spahia bën art me mbetjet industriale të diktaturës

Mbetjet industriale të marra nga fabrikat e periudhës së diktaturës janë materialet e përdorura nga artisti Sadik Spahija në ekspozitën e tij të veçantë ”Vox Machine” në mjediset e pambaruara të Skenës së Re – Turbina, në Tiranë.

Mbrëmjen e djeshme në hapjen e kësaj ekspozite të veçantë e cila do të vazhdojë për publikun deri më 10 nëntor, ishte e pranishme dhe ministria e kulturës Mirela Kumbaro si dhe një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e artistëve, artdashësve dhe kritikëve të artit.

Në hapjen e ekspozitës ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se,“ky është një projekt i guximshëm, i cili mblodhi bashkë energjinë e krijimit dhe të ndërtimit, në këtë skenë të re, e cila vazhdon të njihet me emrin Turbina. Një ekspozitë e cila na mbledh në një skenë të pambaruar, por që artisti Sadik Spahija na konfimon se nuk kemi gabuar me këtë projekt ndërtimi”.

Duke shprehur mbështetje për artistët, Kumbaro tha se rrezikuam për këtë eksperiment të parë të këtyre përmasave, sepse donim të vlerësonim skenën alternative tek Turbina, e cila në këtë Vox Machine është më shumë se funksionale”.

Artisti Sadik Spahija tha se ,”ky vend ka qenë një laborator i rëndësishëm në disa muaj, ku së bashku me studentët kemi hulumtuar për të gjetur pikat e përbashkëta mes krijimit dhe ndërtimit”.

Mesazhi i artistit për publikun në këtë ekspozitë ka të bëj me mënyrën sesi ne e ndërtojmë jetën tonë, sesi në periudha të caktuara sillemi karshi njëri-tjetrit, sesi reagojmë karshi asaj që na rrethon dhe ndaj mjedisit.

Kjo ekspo-instalacion sonor dhe performancë nga trupa e baletit, fokusohet në trashëgiminë materiale konkretisht të rrënojave dhe mbetjeve industriale të fabrikave të mbyllura të para vitit 1990. Këto mbetje industriale të konsideruara nga artisti si produkt shoqëror me një kosto dhe tashmë si një dilemë ndërmjet asgjësimit dhe transformimit.

Projekti është konceptuar si një bashkëveprim i shumë faktorëve njerëzorë, ku integrohen jo vetem eksperienca profesionale por dhe përvoja njerëzore të mbartura në këto mbetje industriale. Gjatë ekspozimit kompozitori Hajk Zaharjan ka krijuar një pjesë instrumentale në krijimin e tingujve organike që përkojnë me iluzionin vizual të instrumenteve muzikore monumentale, të krijuar nga relikat industriale.

Kjo ekspozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe është kuruar ga Edi Muka në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit: Gjergj Prevazi , Hajg Zaharian, Endri Sina, Ramazan Gurra, Akreoma Saliu, Robert Nuha,Fjoralb Doci, Rosella Pellicciotti, Melissa Becovic .

Turbina ka nisur “jetën artistike” akoma në ndërtim e sipër.

E nisi me Mediterranea 18 – Young Artists Biennale, ku artistët shqiptarë e ndërkombëtarë u dashuruan me format e vëllimet e skenës së Turbinës, vazhdoi me forumin Forum Rebirth Tirana / Love Difference – i Mediterranei në idenë e Cittadellarte-Fondazione Pistoletto dhe tani ky kantier hyn në një bashkëjetesë artistike me një koncept nga artisti Sadik Spahija titulluar “Vox Machine” .

Please follow and like us: