CIA: Enver Hoxha diktonte vendimet e gjyqtarëve, u eliminua roli i avokatit, ja si funksiononte Brigada e Sigurimit
CIA u ka kushtuar një hapësirë proceseve gjyqësore që zhvilloheshin gjatë regjimit komunist. Sipas një dokumenti të deklasifikuar, çdo gjykatës konsultohej me sekretarin e partisë përpara se të jepte vendimin. Nga ana tjetër, roli i avokatit ishte minimal.
Shtator 1953: Kushtet e shërbimit në Brigadën e Sigurimit
Të rekrutuarit dhe oficerët e brigadës së Sigurimit nënshkruajnë për tre vjet shërbim. Regjistrimet vullnetare janë të pakta dhe shumë pak ushtarë mbeten në brigadë pas plotësimit të periudhës së shërbimit. Anëtarët e trupave marrin njëzet ditë pushimi në vit, ndërsa oficerët e përhershëm marrin një muaj leje nga komanda e batalionit, e cila kërkon aprovim nga komanda e brigadës. Paga e një oficeri është 4500 lekë në muaj, komandanti i kompanisë merr 5000 lekë në muaj ndërsa komandanti i batalionit 6200 lekë. Ushqimi i trupave është i përshtatshëm dhe thuajse i njëjtë për të gjithë. Kur nuk ka çaj për mëngjes, ai zëvendësohet me djathtë ose marmalatë. Çdo anëtar i Brigadës merr 25 kupona veshjesh në çdo tre muaj, si për oficerët dhe ushtarakët e thjeshtë. Deri pak kohë më parë brigada përdorte uniforma britanike në dimër dhe sovjetike në verë. Kur moti është i thatë brigada përdor këpucë të lehta gome, të cilat ndërroheshin me të reja sa herë që konsumoheshin. Çdo ushtar merr një dyshek kashte dhe tre batanije, pa çarçafë. Oficerët kishin dhoma fjetjeje të ndara nga ushtarët. Programi i përditshëm: Zgjimi në ora 05.00, larja dhe rregullimi i krevateve deri në 05.30, informacioni politik dhe kritikat ndaj ushtarëve 05.30-05.45, mëngjesi 05.45-06.00. Në ora 06.00 niste stërvitja, e cila bëhej ose në terren ose sipas programit të mëposhtëm: 2 orë qëllim në shënjestër, 2 orë stërvitje taktike, 2 orë taktika lufte guerile, 2 orë manovra sulmi malore. Pjesa tjetër e kohës ndryshonte sipas rasteve ose një nga lëndët zgjatej deri në 4 orë. Dreka dhe pushimi zgjasin nga ora 12.00 deri në 14.00. Mësimi politik 14.00 deri në 16.00. pas kësaj kishte 20 minuta kohë për pastrimin e armëve. Të gjitha stërvitjet bëheshin sipas mënyrave sovjetike. Zakonisht nga ora 16.00 deri në 18.00 oficerët flisnin në lidhje me stërvitjen e ditës dhe merrnin mësime nga komandanti. Njësitë e brigadës inspektoheshin çdo javë nga komandanti i batalionit, ndërsa komanda e brigadës inspektonte një herë në muaj. Kompania ka gjashtëdhjetë ushtarë e oficerë të regjistruar, të armatosur me automatikë gjermanë e sovjetikë. Çdo ushtar ka dy granata dore sovjetike. Rezervat e armëve dhe municioneve në depo janë të ulëta.
Qershor 1952, Gazeta Bashkimi: Përvetësimet dhe neglizhenca e autoriteteve
Në një studim të krimeve në vitin 1951 në krahasim me 1950, tregohej se shifrat ishin në rënie në Tiranë, përveç krimeve ndaj pronës shtetërore të kryera fshehtësisht apo haptazi, si dhe ato të mashtrimit, abuzimit të besimit, apo falsifikim të faturave. Një neglizhencë e konsiderueshme është vërejtur në ndërmarrjet e lidhura me komitetin ekzekutiv në Tiranë, të cilat prej thuajse një viti nuk kanë ushtruar mbikëqyrjen e nevojshme ndaj financave shtetërore. Megjithëse janë bërë disa përmirësime, drejtorët e sektorëve lokalë dhe kombëtarë nuk tregojnë kujdesin e duhur ndaj pronës shtetërore. Ata mendojnë vetëm për plotësimin e planit dhe parandalimin e vjedhjeve e konsiderojnë çështje dytësore. Ka nevojë për shumë punë organizative dhe sensibilizim për ndjenjën e përgjegjësisë mes zyrtarëve. Ka neglizhencë në peshimin e mallrave dhe kryerjen e inventarëve. Në dyqanin e NTUS në Pezë të Tiranës u vërejt një deficit prej 70 180 lekë në 2 muaj, pasi shitësit nuk mbanin llogari dhe nuk kishin sens përgjegjësie. E njëjta gjë ka ndodhur në minierën e Krrabës ku është paditur tashmë drejtuesi Ismail Dibra për deficitin prej 22 000 lekë. Kur u mor në pyetje ai tha se i kishte paguar financave 50 000 lekë që mungonin në llogaritë, por Sulejman Uruci nuk kishte të dhëna për këtë shumë. Gjithashtu në shitjet e kombinatit tekstil Stalin, zyrtari i shitjeve Shefqet Picarri ka vjedhur 156 000 lekë, që tregon për mungesën e përgjegjësisë por dhe të auditiveve nga ministria e tregtisë.
Shkurt 1954: Ministria e Drejtësisë
Ministri shqiptar i Drejtësisë është Bilbil Klosi, kreu i personelit është Irfan Delli, seksioni ligjor drejtohet nga Kozma Toçi, me inspektorë Londo Shorri, Irkli Nocka dhe Laver Grapsha. Organi më i fuqishëm është Gjykata e Lartë e cila merr në shqyrtim vendimet e gjykatave të rretheve dhe përbëhet nga presidenti dhe dy anëtarë të emëruar nga qeveria. Gjykatat e rretheve kanë më shumë punë dhe personel, si sekretarë dhe thërritësa. Ato gjykojnë rastet kriminale si vrasje vjedhje e grabitje, që sillen nga prokuroria, si dhe çështje civile si ndarje pronash, divorce apo padrejtësi ndaj personit. Kryetari dhe gjykatësit zgjidhen nga populli prej listës së ministrit të Drejtësisë. Gjykatësit dhe prokurorët nuk zgjidhen detyrimisht sipas kritereve, dhe shumë prej tyre kanë mbaruar vetëm shkollën fillore. Prokurorët e rretheve emërohen nga zyra e Tiranës, e cila gjithashtu ekzaminon vendimet e tyre. Prokurorët ngrenë akuzat ndaj të akuzuarve dhe gjyqtarët zakonisht ndjekin kërkesat e prokurorisë, sidomos në rastet e akuzave politike të deviacioni, kabotazhit apo krime kundër shtetit. Zakonisht gjyqet janë publike përveç rasteve të rralla sipas vendimit të qeverisë. Në çështjet kriminale mbrojtja e të akuzuarit dhe dëshmitarët njoftohen se kur duhet të paraqiten. Megjithëse avokati mbrojtës duhet të mbrojë të drejtat e të akuzuarit, kjo ndodh vetëm në çështjet e parëndësishme. Në raste serioze avokatëve u këshillohet se deri ku duhet të shkojnë me mbrojtjen e tyre. Faktorë të tjerë që ndikojnë janë klasa shoqërore e të akuzuarit, anëtarësia në parti, apo nëse ka kryer shërbimin ushtarak. Në shumë raste gjykatësit takohen me Sekretarin e Partisë para se të japin vendimin në çështjet e rëndësishme. Përveç vrasjeve dhe krimeve kundër shtetit, ka dhe krime të tjera që dënohen me vdekje si për shembull shpërndarja e fletushkave, dëmi i rëndë ndaj pronës së shteti, kabotazhi, grabitja apo keqpërdorimi i pronës së shtetit nga 80 deri në 100 mijë lekë. Gjykatat ushtarake formohen nga zyrtarë të forcave të armatosura dhe gjykojnë çështjet si tradhtia, kabotazhi dhe krime kundër shtetit. Këto gjykata ngrihen vetëm në qytetet e mëdha. Krerët e gjykatave ushtarake janë Mustafa Iliazi në Tiranë, Perlat Caga në Gjirokastër, Islam Blushi në Krujë dhe Mico Gramatikos në Sarandë. Pas vendosjes së regjimit komunist të gjithë ligjet e vjetra janë zëvendësuar. Kodi i ri penal bazohet në modelin sovjetik dhe administrohet sipas urdhrave dhe dekreteve të partisë. Ligjet nganjëherë modifikohen sipas ndryshimeve në kodin sovjetik dhe studentët e juridikut dërgohen rregullisht në BRSS për të mësuar metodat sovjetike.
Mars 1952, Puna e propagandës në Lushje
Zëri i Popullit
Organizata e partisë në Lushnje mbajti një takim për të analizuar punën e propagandës dhe metodat për përmirësimin e saj. Në të u theksua se zyrtarët nuk kishin arritur të merrnin masat e nevojshme për suksesin e punës së propagandës. Në fjalën e tij shoku Apostol Vezuli, sekretari i dytë i partisë, tha se jo vetëm ai por dhe sekretari i parë nuk kishin arritur t’i jepnin rëndësinë e duhur çështjes së propagandës dhe punës ideologjike. Dobësitë kryesore të sistemit arsimor dhe në organet e partisë së Lushje ka qenë prej kohësh mungesa e disiplinës. Sekretari i partisë Mihal Bisha pranoi në fjalën e tij se disiplina kishte qenë e dobët dhe pjesëmarrja në kurset e instruktimit ka qenë e ulët. Ai tha se anëtarët e partisë nuk kishin marrë pjesë rregullisht në kurse në zonat e Golemit dhe Imeshtës, dhe se gjithashtu zyrtarët nuk kishin organizuar si duhet kurset e studimit. Mangësitë disiplinore shin raportuar si në shkollat politike dhe në kurset edukative të partisë, pra dhe nga ana e studentëve dhe e propagandistëve. Në mbledhje u kritikuan propagandistët Raqi Daka dhe Hysen Shefkiu si dhe të tjerë. Qemal Staka, sekretari aprtisë së fshatit Cerme tha: Raqi Daka ka mndur në shkollën edukative katër herë rresht, prandaj ai nuk meriton të quhet propagandist. Ai ka frikë nga kritika dhe gjithmonë përpiqet të ndryshojë temë kur dikush tenton ta kritikojë”. Në mbledhje u theksua se propagandisti duhet të jet një figurë qendrore në sistemin edukativ të partisë. Detyra e tij është të indoktrinojë radhët e partisë me idealet e marksizëm-leninizmit. Por ai nuk mund ta bëjë këtë nëse partia e ngarkon dhe me disa detyra të tjera shtesë. Në diskutimin e tij Petro Culi, sekretari i partisë i kooperativës së Kamishtaj, kritikoi komitetin e partisë që kishte ngarkuar propagandistin Sotir Koçi me disa funksione të tjera të parëndësishme. Si rezultat i kësaj shkolla politike e partisë kishte humbur efektivitetin. Puna propagandistike kërkon shumë përgatitje prandaj detyrat e tjera duhet të evitohen. Shoku Gori Naço, instruktor i agjitacion/propagandës, kritikoi Feim Demin, propagandist i shkollës politike të kooperativës së Sarave, i cili kishte qenë duke përgatitur mësimin në kohën që studentët e prisnin për të nisur mësimin. Kritika u bënë gjithashtu ndaj organizatave të partisë në Karbunarë, Stan-Karbunarë dhe Qerret i Ri, për mangësitë në interesin për shkollën politike të partisë. Edukimi partiak kishte dështuar në fokusimin e vëmendjes te lufta ndaj kulakëve. Kjo mangësi i reflektua në fjalën e sekretarit Pirre i cili tha “Në fshatin tonë nuk ka kulakë”. Por një pohim i tillë tregon sesa infektive ka qenë puna e partisë për propagandën në rrethin e Lushnjes.