Albspirit

Media/News/Publishing

Ferit Keta është gati për gjermanin Thes, synon një tjetër titull

Ferit Keta është gati për titullin gjerman, në peshën “Cruiser”. Boksieri shqiptar do të zhvillojë ndeshjen e nëntë në karrierë si boksier profesionist, teksa do të sfidojë 31-vjeçarin gjerman Toni Thes.

Vetëm dy muaj pas titullit gjerman të fituar në kikboks Ferit Keta kërkon të bëhet gjithashtu kampion i vendit teuton edhe në boks në peshën “Cruiser”, pra peshën deri 90.7 kg.

Ky është vetëm takimi i nëntë në boks për 29-vjeçarin dhe natyrisht që konsiderohet një arritje e madhe, duke pasur parasysh që sportisti shqiptar ka filluar ndeshjet në boksin profesionist vetëm 20 muaj më parë.

Ndeshja do të mbahet në Gjermani dhe ky është takimi i tetë që Ferit Keta zhvillon në vendin teuton, pas duelit të debutimit me serbin Haris Calakovic në muajin shkurt të vitit të kaluar, në Tiranë në Pallatin e Sportit Asllan Rusi, Super Sport.

Vetëm katër muaj më parë 29-vjeçari fitoi titullin europian në ISKA në kikboks ndaj holandezit Rochel Gumuljo, dhe gjerdanin e artë në atë takim ia dha i madhi Luan Krasniqi, sidoqoftë vlen të përmendet fakti që në sportin e boksit Ferit Keta nuk njeh asnjë humbje, duke fituar tetë nga tetë ndeshjet e zhvilluara, madje 63% prej tyre me knock out.

Titulli në kategorinë “Cruiser” është vakant dhe dueli i fundit për brezin e kësaj peshe në boksin gjerman është fituar nga Adam Deines, pasi mposhti në Erdgass Arena në Sachsen – Anhalt boksierin tjetër Bjoern Blaschke.

Për kundërshtarin e boksierit nga Bulqiza kjo është ndeshja e 19 në karrierë dhe bilanci për 31-vjecarin nga Halberstadt-i është 12 fitore dhe plot 6 humbje, njërën prej tyre madje ia ka shkaktuar 27-vjeçari nga Tirana Armand Cullhaj.

Dueli Ferit Keta – Toni Thes do të zhvillohet me 4 nëntor në Bavari, pikërisht në qytetin e Mynihut dhe promoter i këtij dueli është pikërisht Ismail (Jonny) Keta.

Please follow and like us: