Mandati i kryeprokurorit përplas PS me PD-LSI
Pas pesë vitesh në krye të organit të akuzës, mandati i kryeprokurorit Adriatik Llalla ka hyrë në muajin e vet të fundit. Por vakumi institucional i krijuar nga vonesa e ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP dhe interpretimet e ndryshme kushtetuese pritet ta kthejnë mandatin e kryeprokurorit aktual në një terren të ri për përplasje politike mes mazhorancës dhe opozitës.
Ndonëse mandati 5-vjeçar i Llallës mbaron më 3 dhjetor, deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike me të cilët BIRN bisedoi, u shprehën në favor të mundësisë për zgjatjen e mandatit të tij edhe me dy vjet të tjera. Në këtë argument, deputetët e opozitës përdorin precedentin e shkarkimit të ish-kryeprokurores Ina Rama dhe mungesës së KLP-së, e cila ka për kompetencë nisjen e procedurës.
Por ndryshe nga opozita, Partia Socialiste mendon se mandati i kryeprokurorit Llalla merr fund më 3 dhjetor dhe se dispozitat kalimtare të ligjit për Prokurorinë “nuk lënë hapësirë për diskutim mbi këtë çështje”.
Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë një ndër çështjet e debatueshme gjatë kohës së përgatitjes së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve mbështetëse të reformës në drejtësi. Draftet e para të ndryshimeve kushtetuese patën parashikuar që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe disa mandate të tjera ndërpriteshin nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por pas ndërhyrjes së Venecias u argumentua se “mbajtja e Prokurorit të Përgjithshëm deri në skadimin e mandatit të tij do të ishte e pranueshme”.
Sipas nenit 148a të Kushtetutës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka të drejtën e hapjes së procedurës dhe dërgimit në Kuvend të një liste me tre kandidatët më të kualifikuar për Prokuror të Përgjithshëm. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh atë me 3/5 e votave brenda 30 ditësh, atëherë kandidati i parë në listën e KLP-së shpallet i emëruar.
Por në mungesë të KLP-së, mandati i Llallës është subjekt i argumenteve të ndryshme mes anëtarëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës.
Përzgjedhja e prokurorit sipas Kushtetutës së re Neni 148/a
1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.
3. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
4. Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.
5. Pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e apelit.
Deputeti i LSI, Edmond Panariti, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ligjeve i tha BIRN se ende nuk kishte një qëndrim zyrtar për këtë çështje, por ai la të hapur mundësinë e mbështetjes së një kërkese për shtyrjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm pas dhjetorit.
“Së pari, të shohim nëse kryeprokurori do të kërkojë që edhe mandati i tij të jetë objekt i ndryshimit në ligj, pra të zgjatet pas 3 dhjetorit”, tha ai.
Duke iu referuar rastit të mandatit të Ina Ramës, Panariti thotë se kushtetuta e re krijon hapësirë që kryeprokurori të kërkojë një zgjatje të mandatit me dy vjet.
“Sipas precedentit Ina Rama dhe mandatit 7 vjeçar të vendosur me ndryshimet e ligjit (Prokurori i Përgjithshëm) mund të kërkojë zgjatje edhe dy vjet,” i tha BIRN deputeti Panariti.
Ervin Salianji, sekretar i grupit parlamentar të PD-së ka qëndrim të ngjashëm me Panaritin e LSI. Ai i tha BIRN se sa kohë institucionet që duhet të zgjedhin prokurorin e ri nuk janë ngritur, shtyrja e mandatit të Llallës është e pranueshme.
“Nëse ka një diskutim të tillë, interpretimin e bën Gjykata Kushtetuese. Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm është 7 vjet me ndryshimet e reja kushtetuese,” tha Salianji.
Për Ulsi Manjën, kryetarin socialist të Komisionit të Ligjeve, mandati i kryeprokurorit aktual mbyllet më 3 dhjetor, ndërsa shtoi se Kushtetuta nuk mund të ketë fuqi prapavepruese.
“Nuk ka ende një vendim zyrtar se si do të veprohet në këtë rast, pasi kjo do të diskutohet në komisionin e ligjeve. Por mandati i kryeprokurorit Llalla mbaron në 3 dhjetor dhe se nuk ka mundësi për shtyrje, kjo është e përcaktuar në ligjin për Prokurorinë dhe nuk lë asnjë hapësirë për diskutim,” i tha Manja BIRN.
Dispozitat kalimtare që u referohet Manja lidhen me ligjin e ri për Prokurorinë, i cili rregullon edhe rastin aktual, kur mandati i kryeprokurorit përfundon përpara krijimit të KLP-së.
“Funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji,” thuhet në to.
Manja kundërshton gjithashtu përdorjen e precedentit të shkarkimit të Ina Ramës për kryeprokurorin Llalla, duke e quajtur vendimin e marrë në atë kohë si të gabuar.
Në vitin 2012, shumica PD-LSI, pas një dekreti të ish-Presidentit Bujar Nishani vendosi të mbyllte mandatin e kryeprokurores Ina Rama, duke u nisur nga dita e fillimit të punës prej saj në vjeshtë 2007, por bazuar në ndryshimet kushtetuese të një viti më vonë të majit të vitit 2008. Socialistët e kundërshtuan asokohe këtë si shkelje të kushtetutës.
“Ashtu si në rastin e Ina Ramës, kur mandati duhej të ishte llogaritur prej hyrjes në fuqi të kushtetutës dhe jo prej ditës së emërimit, edhe në këtë rast kushtetuta nuk mund të ketë fuqi prapavepruese,” tha Manja për BIRN.
Ndonëse mandati i kryeprokurorit Llalla është ende jashtë axhendës së ditës, qëndrimet e ndryshme të mazhorancës dhe opozitës duket se do të përplasen shpejt në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, ku çështja pritet të zgjidhet me forcën e kartonëve.
BIRN mësoi nga burime të mazhorancës në Kuvend se ndonëse nuk ka ende një qëndrim zyrtar, plani është që me mbarimin e mandatit të Llallës, Kuvendi do të zgjedhë një prokuror të përkohshëm me eksperiencë në vend të tij, deri në ngritjen e KLP-së. Mazhoranca beson se sipas dispozitave kalimtare, kjo zgjedhje bëhet me shumicë të thjeshtë.
“Dispozitat e reja ligjore e kufizojnë pushtetin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe se ky i fundit nuk ka më pushtet mbi hetimin,” tha burimi për BIRN në kushtet e anonimatit.
Nëse ndodh, një zgjedhje e tillë pritet të shoqërohet me debate të ashpra.
Ervin Salianji i tha BIRN se caktimi i Prokurorit me shumicë të thjeshtë do të ishte “skandaloz”. Salianji tha se vonesat e KLP ishin të qëllimshme për të krijuar këtë hapësirë, ndërsa shpjegoi se e vetmja zgjedhje në këtë rast do ishte qëndrimi në detyrë i prokurorit aktual, të paktën deri në emërimin e tjetrit.
“Kurrësesi nuk duhet të vendosë politika, duhet të zgjedhin institucionet, nëse përfshihet prapë politika në zgjedhjen e institucioneve kushtetuese u gropos drejtësia”, thotë ai.
Ekspertët dhe vonesa e vetingut
Reforma në drejtësi rikonceptoi rolin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke i dobësuar pozitat e tij dhe decentralizuar institucionin që ai drejton. Megjithatë, qëndrimet e kundërta politike tregojnë se ky post vazhdon të mbetet ende një “mollë sherri” mes maxhorancës dhe opozitës.
Ndryshe nga politika, ekspertët e reformës për drejtësi nuk kanë asnjë dilemë se mandati i Llallës përfundon më 3 dhjetor, ashtu siç ishte parashikuar në Kushtetutën e vjetër.
“Kushtetuta ka rregullin e përgjithshëm, por që dihet, kushtetuta nuk ka fuqi prapavepruese,” i tha BIRN Sokol Sadushi, drejtor i Shkollës së Magjistraturës dhe një nga ekspertët e lartë që morën pjesë në procesin e reformës në drejtësi.
Sadushi shpjegoi se në këtë rast për më shumë ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” neni 109, e bënte të qartë fundin e mandatit të prokurorit aktual.
“Ligji ka zgjidhur këtë moment, do qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit të tij dhe mandati është ai që ka marrë, pesë vjet”, tha Sadushi.
Po ashtu një tjetër ekspert që mori pjesë në përpilimin e ligjeve, i cili kërkoi të mos i përmendej emri duke paraqitur si arsye faktin që kishte qenë i përfshirë direkt në shkrimin e ligjit për prokurorinë, pohoi sa mandati i Prokurorit të Përgjithshëm mbaronte në fund të pesëvjeçarit.
Dispozitë kalimtare për kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë
1. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë qëndron në detyrë deri në fund të mandatit, nëse nuk ka arsye për të përfunduar mandatin e tij, sipas kreut VIII, të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
2. Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji.
“Nëse ligjvënësi që ka shkruar Kushtetutën do donte t’i jepej një mandat i ri, e thoshte që i aplikohet ky mandat i ri… Shprehej në mënyrë të posaçme, gjë që s’e ka bërë”, tha ai.
Ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi u miratuan në korrik të vitit 2016, por ngritja e institucioneve kyç të vetingut u realizua vetëm një vit më pas për shkak të përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës. Vonesat në ngritjen e tre institucioneve të vetingut kanë mbajtur pezull gjithashtu krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), të njësisë speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK dhe Byroja e Hetimit) dhe disa institucione të tjera të reja që duhej të kishin filluar nga puna.
KLP, e cila duhet të listojë tre kandidatura për Kuvendin, përpos vonesës së vetingut vuan edhe nga mosplotësimi i vendeve që i janë lënë shoqërisë civile, pasi një komision i ngritur për këtë proces ka rihapur disa herë aplikimet.
Sadushi i tha BIRN se vonesat në ngritjen e KLP-së janë parashikuar në ligj, duke mos ndikuar në mandatin e Llallës.
“Përsëri (ligji) i ka dhënë një zgjidhje, po në këtë nen në pikën dy thuhet, që me vendim të kuvendit caktohet të kryej përkohësisht detyrën një nga prokurorët më me eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që natyrisht përmbush kriteret që parashikohen në ligj”, tha Sadushi.
Llalla u zgjodh në krye të Prokurorisë së Përgjithshme në 3 dhjetor 2012 pa debate të mëdha politike. Megjithatë, karriera e tij në krye të organit të akuzës ka pësuar të njëjtën kurbë si edhe paraardhësit e tij, ndërkohë që marrëdhëniet me mazhorancës u acaruan gjatë procesit të reformës në drejtësi.
Ai sidoqoftë u lakua si një prej kundërshtarëve të reformës, ndërsa u akuzua për këtë nga ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu me të cilin shkëmbeu disa akuza.
Llalla disa herë premtoi publikisht për arrestime në nivele të larta duke përfshirë ministra të qeverisë, por përjashto ish-ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera i cili u dënua për shpërdorim detyre, këto paralajmërime nuk u bënë realitet.
Megjithatë, gjatë javëve të fundit Prokuroria është vendosur në shenjestër të mazhorancës pas kërkesës që i drejtoi Kuvendit për të autorizuar arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohet si i përfshirë në trafikun e drogës dhe në korrupsion pasiv.
I pyetur nga BIRN për mundësinë e zgjatjes së mandatit, këshilltari për mediat i kryeprokurorit, Albi Serani tha se institucioni “nuk kishte asnjë koment për këtë çështje”.
Për funksionimin e Prokurorisë gjatë mandatit të Llallës, deputetët e opozitës fajësojnë rolin pengues të mazhorancës.
Deputeti i LSI-së, Panariti i tha BIRN se përgjegjësia për mosfunksionimin normal të prokurorisë binte mbi shumicën. Duke iu referuar votës kundër të shumicës në rastin Tahiri, Panariti tha se ky ishte “tregues pesimist për reformën në drejtësi”, ndërsa shtoi se prokuroria ishte penguar deri tani “nga shumica parlamentare në procedimin e çështjeve ndaj zyrtarëve të lartë”.
Deputeti demokrat, Ervin Salianji shtoi se faji për vonesat e reformës ishin po ashtu të shumicës. “Vonesa që për fat të keq vjen nga politika, nga ndërhyrja e mazhorancës për të ushtruar influencë në çdo mënyrë që nga anëtarët e shoqërisë civile të zgjidhen njerëz me afërsi politike me Rilindjen”, përfundoi ai.