Adela Xhamani: Jam lodhur duke u treguar të tjerëve gjërat e mia
Vdekja e papritur e Adelajda Xhamanit tronditi shumëkënd, e mbi të gjitha familjarët dhe miqtë e ngushtë. Shkaku i vdekjes nuk është zbuluar ende, pasi raporti mjeko ligjor pritet të dalë brenda dy javëve. Vajza që e donte ekranin dhe botën e medies, vjen në këtë intervistë të “Panorama”, realizuar në vitin 2012.
Në kujtim të gazetares Adela Xhamani, e cila u nda prej nesh një javë më parë
Kanë kaluar disa vite qëkur ajo mori pjesë në “Big Brother”, por në ndryshim nga ata dhjetëra personazhe që tashmë kanë kaluar në harresë kolektive, madje askush nuk ka kuriozitet të dijë më asgjë për ta, në rastin e Adelës është krejt ndryshe. Njerëzit vijuan ta kërkojnë dhe sidomos t’u mungonte kontakti me të, i cili mund të realizohej vetëm nëpërmjet ekranit. Kjo u realizua në forumin e “Dancing with the stars” për disa vite. Por tani ka të reja… Adelajda Xhamani, e cila prej disa muajsh i është bashkuar grupit mediatik “Focus”, si reportere e “Gazetës Shqiptare”, do të fillojë një program të ri në “News 24”. Dhe kjo, jo si në rastin e Dancing, vetëm tre muaj në vit, por përgjatë gjithë sezonit televiziv. Për hollësi në lidhje me angazhimin e ri dhe jo vetëm, ne biseduam me Adelën…
Tashmë ke muaj që punon si reportere në “Gazetën shqiptare”. Cilat janë momentet më të vështira që ti ke hasur në këtë punë?
Për të gjithë ata që mendojnë se gazetarët e kanë kollaj (siç mendoja edhe unë dikur), po ju them se gabohen (qesh). Kjo punë ka vështirësi si çdo tjetër, madje shpesh edhe më shumë se punët e tjera. Vështirësia e parë është gjetja e lajmit… Për të qenë në rregull me punën duhet medoemos që çdo ditë të kesh gati diçka, qoftë lajm, intervistë, domethënë një material… Kjo nuk është gjithmonë e mundur. Jo çdo ditë ndodhin gjëra impresionuese që mund të përbëjnë lajm, të paktën në sektorin që unë mbuloj. Jo çdo ditë arrin të kesh një personazh që është gati të flasë për jetën private… Kjo është vështirësia më e madhe.
Po momentet e kënaqësisë, cilat janë?
Kam filluar të kënaqem më shumë kur njerëzit më thonë “të kam lexuar”, sesa kur më thonë “të kam parë”. Pastaj marr kënaqësi kur personazhi që kam intervistuar më çon një mesazh falënderimi të nesërmen. Kur shefat më thonë “bravo”… Një tjetër kënaqësi të veçantë që të dhuron ky profesion është edhe mundësia për të njohur njerëz të rinj e për të mësuar historitë e tyre…
Tashmë ti ke kontaktuar disa personazhe. Na thuaj disa nga emrat që të kanë impresionuar…
Jam emocionuar shumë kur kam njohur z. Avni Mula. zv.kryredaktorja më dha detyrë të shkoja në shtëpinë e tij, ditën që Inva Mula solli në jetë vajzën. Pas disa telefonatash mendova se do të ishte një mision i pamundur, po me këmbëngulje ia arrita. Njoha një zotëri, artist, i edukuar, i veçantë. Na priti me shumë dashamirësi, na qerasi, ndërkohë që rrëfente, qau… Më emocionoi! Një tjetër punë e bukur ishte edhe kur udhëtova me “Misionarët e paqes” në familjet e ngujuara. Njoha njerëz të rinj, dëgjova histori mbresëlënëse. Edhe aty u emocionova, edhe qava (siç e kam zakon)…
Po disa emra që nuk të kanë lënë aspak shije të mirë?
Eh, këtë pyetje nuk duhet të ma kishit bërë. Jo se nuk kam emra, po nuk i them dot. Nuk më leverdis të prish marrëdhëniet me personazhet se do më duhen prapë për më vonë (qesh).
Si ndjehesh kur të refuzojnë për intervista?
Më ngrihen nervat dhe “shaj” me mendje (qesh). Më ndodh shpesh dhe kam fituar imunitet tani. Kur më refuzojnë unë këmbëngul sërish, pastaj sërish, derisa pranojnë. Kam përshtypjen se pastaj fillojnë ata të më shajnë me mendje…
Pas kaq muajsh punë intensive, mendon se është pikërisht kjo puna që ti ke ëndërruar?
Gazetaria është e bukur. Është një punë që të jep sadisfaksion. Mund të them që është një punë që unë mësova ta bëj dhe jam duke më- suar akoma. Kam filluar ta dua fort gazetarinë, sidomos në rastet kur mua më duket se kam bërë një material të bukur, gjë që ia them vetëm vetes sime sigurisht, sepse kam gjithmonë dyshimin që për të tjerët mund të jetë një budallallëk.
Kemi mësuar se do të fillosh një program në “News 24” që flet për personazhet VIP.
Mund të na tregosh disa detaje rreth këtij programi? “Gazeta Shqiptare” dhe “News 24” janë pjesë e një kompanie të madhe. Unë e quaj fat që m’u dha mundë- sia të punoj për të njëjtin grup mediatik, duke bërë dy gjëra të ndryshme. Përfitoj nga rasti të falënderoj eprorët që kanë besim në aftësitë e mia. Konkretisht nuk mund t’ju jap një variant përfundimtar të asaj që do të transmetohet, sepse ky program është ende në fazën e projektimit. Megjithatë, mund t’ju them se do të përfshijë pjesë nga jeta reale e njerëzve dhe VIP-ave… Për më tepër duhet të prisni. Ndoshta do të flasim më konkretisht në një intervistë të ardhshme.
Ti je mbase e vetmja gazetare që interviston, por edhe duan të të intervistojnë. E ke problem këtë pjesë?
Shumë. Kam inat kur personazhet më refuzojnë, por më vjen instinktive që unë vetë t’i refuzoj kur më kërkojnë intervista. Dhe shpesh ata më thonë “Po hë mi Adela, se ti je dhe vetë gazetare…”. Sinqerisht jam lodhur duke u treguar të tjerëve gjërat e mia. E di më mirë se kushdo se kjo është pjesë e të qenët personazh publik, por nga “BB” kanë kaluar gati katër vjet. Unë kam një jetë të përqendruar te puna, familja dhe shoqëria, si të gjithë të tjerët. Përveçse të tregoj për punën time, nuk kam për çfarë të flas tjetër dhe nuk dua.
A të ndodh ndonjëherë kur nuk gjen një personazh të fortë, që shet, të thuash me vete “ah sikur të gjeja një personazh që më shet si Adela”?
Kam dëgjuar shpesh të më konsiderojnë si një personazh që “shet”. Të paktën kështu ka qenë. Mirëpo nuk mendoj se kjo ka ardhur ngaqë unë kisha ndonjë gjë më shumë, apo edhe më pak. Mendoj se personazhet që dalin nga reality, përgjithë- sisht shesin dhe kanë një kulm të vetin në treg. Po kjo është e përkohshme, dhe zakonisht mbaron shpejt. Me mua mund të ketë zgjatur disi më shumë, sepse puna më ka bërë të jem më shpesh në kontakt me publikun, dhe duke më parë, edhe më kanë kujtuar. Kur mbetem bosh nuk mendoj këtë, po shpesh i them kolegut tim Eraldo “A t’i bëj një intervistë vetes sime e të rri rehat…?” Nëse s’ia them unë, ma thotë ai (qesh).
Ka disa ditë që qarkullon në internet një lajm sikur ti po bashkëjeton me një gazetar, mund të na e sqarosh pak si qëndron e vërteta?
Eh, unë kam vite që bashkëjetoj me gazetarët. Edhe kur nuk merresha me gazetarinë, merrej ajo me mua. Lajmi është totalisht i sajuar. Në atë çka është shkruar dhe është shënuar sikur kam rrëfyer unë, s’ka asgjë të vërtetë. Unë momentalisht jetoj me disa mikesha të miat shumë të mira, por asnjëra prej tyre nuk punon gazetare. Mendoj se ky detaj, pra me kë jetoj unë, nuk u intereson njerëzve, kështu që nuk ishte ndonjë lajm i paparë. Po zgjedh të mos komentoj mbi ata që e kanë shkruar, botuar e përhapur, se më duket e panevojshme. Lexuesit e gjykojnë fare mirë vetë./Intervistoi:Ermira Shpetimi